Prishtinë, 21 maj 2021 – Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë kundër personit juridik SH.P.K “Kelkos Energy” dhe kundër personit përgjegjës të personit juridik, të pandehurit G.W., për shkak të veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
Personi juridik SH.P.K “Kelkos Energy” dhe personi përgjegjës i subjektit juridik, G.W., akozohen për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm në rrugën Deçan – Plavë.
Sipas aktakuzës, më 30 prill të vitit 2020, rreth orës 16:50, si pasojë e rrjedhjes së ujit nga tubacioni për furnizim me ujë të hidrocentraleve që administrohen dhe menaxhohen nga SH.P.K “Kelkos Energy” është dëmtuar një pjesë e rrugës që ishte përgatitur për asfaltim, me gjatësi prej tri kilometrash. Me këtë veprim i janë shkaktuar dëme materiale edhe punëkryesit, SH.P.K “Lika Trade”.
Ekziston dyshimi i bazuar mirë se SH.P.K “Kelkos Energy” nuk i ka ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë, kështu që ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
Prokurori i shtetit i ka propozuar gjykatës kompetente që i pandehuri G.W., dhe personi juridik SH.P.K “Kelkos Energy” , të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila u vihet në barrë.
(r.m.)