Ngritet statusi i Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s

Prishtinë, 24 mars 2024 – Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Driton Hyseni, i cili është kryesues i Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ka njoftuar se Komisioni i Përhershëm i Asamblesë e ka avancuar statusin e Kuvendit të Kosovës në këtë trup. Ai ka thënë se Kosova, e cila e kishte statusin e vëzhguesit, tash e ka statusin e anëtares së asociuar. Vendimi për avancimin e statusit të Kosovës do të formalizohet në sesionin pranveror të Asamblesë, më 27 maj.

“Për shumë vjet Kosova kishte statusin e anëtarit vëzhgues. Ky vendim do të formalizohet me votim në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në sesionin pranveror të Asamblesë, që do të mbahet më 27 maj në Sofje. Me ngritjen e nivelit të përfaqësimit të Kosovës në Asamblenë e NATO-s ne do të kemi zgjerim të delegacionit, përfshirje më të madhe në vendimet e Asamblesë dhe do të kemi të drejtë në adresimin e amendamenteve dhe komenteve për secilin proces e dokument i cili trajtohet nga Asambleja, të cilat më herët është dashur të bëheshin përmes delegacioneve të vendeve të tjera, kryesisht Shqipërisë”, ka shkruar Hyseni në Facebook.

Hyseni e ka falënderuar presidentin e Asamblesë, deputetin polak Michal Szczerba, për përkrahjen e Kosovës.

Statusin e anëtarëve të asociuar e mbajnë në PE-në e NATO-s edhe Armenia, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Zvicra, Austria, Ukraina, Moldavia, Parlamenti Evropian e edhe Serbia.

(r.m.)