Vendimi vjen pas së ashtuquajturës Të Martës së Madhe në SHBA, ku u mbajtën zgjedhjet paraprake brendapartiake në 15 shtete
Ruben Avxhiu
Megjithëse në këtë pikë ishte thjesht një formalitet, ish-ambasadorja dhe ish-guvernatorja republikane ka vendosur të ndërpresë betejën e saj zgjedhore me ish-presidentin Donald Trump.
Vendimi vjen pas së ashtuquajturës Të Martës së Madhe në SHBA, ku u mbajtën zgjedhjet paraprake brendapartiake në 15 shtete.
Trump fitoi në 14 nga këto shtete duke konfirmuar mbizotërimin e tij mes bazës republikane. Haley fitoi vetëm në Vermont, duke e ngjitur në dy numrin e garave ku ka triumfuar. Tjetra ishte ajo e kryeqytetit Washington DC. Ka edhe një fitore në Kaukusin e Nevadas, por vetëm nga që Trump nuk mundi të marrë pjesë. Edhe aty teknikisht në vend të parë doli “Asnjëri”.
Haley ofroi një version më klasik të kandidaturës republikane, i cili bie ndesh me frymën e re që përfaqësohet nga Donald Trump. Bijë emigrantësh indianë, ajo ka qenë një yll në ngritje e Partisë Republikane. Fitorja e saj më e bujshme ishte zgjedhja si guvernatore e shtetit të Karolinës së Jugut. Presidenti Trump e emëroi Ambasadore të SHBA-së në OKB, një detyrë që e kreu me shumë sukses. Përvoja që mori aty në politikën e jashtme, e gërshetuar me përvojën në qeverisje të shtetit të saj të Karolinës së Veriut e bënë Haleyn, një kandidate shumë të mirë për postin më të fuqishëm të botës.
Shqiptaro-amerikanët kishin një arsye më shumë për ta pëlqyer kandidaten Nikki Haley. Në një takim në Konsullatën e Kosovës, në Neë York, kur ishte Ambasadore në OKB, ajo deklaroi se e kishte bashkëshortin me origjinë nga Shqipëria. Edhe në detyrën e saj në OKB ishte pozitive ndaj Kosovës dhe interesave shqiptare në Ballkan.
Pavarësisht nga të gjitha, Haley në asnjë moment nuk u duk se mund të fitonte vërtet. Anketimet vazhdimisht kanë parashikuar se do të humbte. Shumica e republikanëve e panë kandidimin e saj si një tradhëti ndaj ish-presidentit Trump. Ajo nuk mundi të krijonte lidhje të forta dhe besim në bazën e partisë. Sinjali më domethënës ishte humbja që pësoi në shtetin e saj në Karolinën e Jugut, ku Trump fitoi bindshëm. Dallimi kryesor mes tyre ishte sidomos entuziasmi i pjesëmarrjes. Mobilizimi i mbështetësve të ish-presidentit ka qenë kaq i madh sa shpesh ka sjellë njerëzit masivisht në pikat e votimit pa ndonjë organizim nga fushata e tij.
Rivalët e mëparshëm që kanë dalë nga gara i kanë mbyllur fushatat duke bërë thirrje që të votohet për Donald Trump. Ndryshe nga ata, Haley nuk po e mbështet kandidatin Trump për President por i ka bërë thirrje që të gjejë mënyrën për të afruar drejt vetes republikanët që votuan për kandidaturën e saj. Sepse për momentin, ata nuk e shohin si njeriun e duhur për Shtëpinë e Bardhë. Besohet se edhe një masë e rëndësishme e votuesve të pavarur do të preferuar më mirë ish-guvernatoren sesa ish-presidentin. Këto janë vota që do t’i duhen në nëntor kur duket se do të përballet përsëri me demokratin Joe Biden.
Edhe Presidenti Biden fitoi lehtësisht në mungesë të ndonjë kandidati të rëndësishëm. Edhe ai humbi vetëm një votim, atë në Samoan Amerikane (një ishull i vogël në Oqeanin Paqësor). Edhe ai si Trump ka një pjesë të partisë që nuk e do më, sidomos në krahun e majtë, sidomos për shkak të luftës në Gaza. Edhe ai ka një pjesë jo të vogël të të pavarurve që dyshojnë te aftësitë e tij sidomos për shkak të moshës dhe gjendjes fizike e mendore. Edhe ai ashtu si Trump duhet të bindë këto segmente të elektoratit për të siguruar rizgjedhjen.