Nikki Haley kërkon mbrojtje prej Shërbimit Sekret

Uashington, 6 shkurt 2024 – Nikki Haley, konkurrentja e fundit e madhe e ish-presidentit amerikan Donald Trump për të fituar nominimin e republikanëve për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, ka kërkuar edhe zyrtarisht mbrojtje prej Shërbimit Sekret.

Ajo i ka thënë gazetës amerikane Wall Street Journal se siguria shtesë është e nevojshme për “arsye të shumëfishta”.

“Nuk do të mund të më ndalohet të bëj atë që dua të bëj”, i ka thënë ajo gazetës.

Haleyt, e cila në sondazhe del më poshtë se Trumpi në renditje, i është kërkuar nga ish-presidenti që t’i japë fund garës dhe t’i bashkohet partisë kundër demokratit Joe Biden.

Haley, ish-ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara dhe ish-guvernatore e Karolinës së Jugut, është nën mbrojtje derisa bën fushatë.

Edhe policia lokale është parë në takimet që ka zhvilluar ajo.

“Kur bëni diçka kësisoj, do të merrni kërcënime”, u ka thënë ajo gazetarëve në Karolinën e Jugut, javën e kaluar.

“Ky është realiteti, por nuk do të më ndaloj”, ka thënë ajo.

Secili vendim për t’i ofruar asaj mbrojtje nga Shërbimi Sekret merret nga  Sekretari për Siguri Kombëtare, i cili fillimisht duhet të mbledhë një komitet të Kongresit.

Në anën tjetër, Trump, si ish-president i SHBA-së, gëzon mbrojtje nga Shërbimi Sekret gjatë gjithë jetës.

(REL)