Prishtinë, 3 prill 2021 – Në Kuvendin e Kosovës ka nisur seanca e jashtëzakonshme, ku pritet të votohet për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Seanca ka nisur me afër dy orë vonesë për arsye që nuk janë bërë të ditura. Por, besohet se shtyrja është pasojë e pasigurisë për kuorumin e nevojshëm për votim të ligjshëm për kandidatët për president.
Kandidatë për pozitën e të parit të vendit janë Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta.
Pas prezantimit zyrtar të dy kandidatëve, kuvendi autorizoi Komisionin për legjislacion dhe mandate që të verifikojë nëse kandidatët i plotësojnë kriteret e përcaktuara me Kushtetutë.
Të pranishëm në sallë janë 84 deputetë: deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe deputetët e komuniteteve joserbe. Të pranishën në seancë janë edhe Albena Reshitaj deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës sie dhe Enver Hoxhaj e Bedri Hamza deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës.
Deputetët tjerë të Partisë Demokratike të Kosovës, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Listës Serbe po e bojkotojnë këtë seancë.
Sipas Kushtetutës, në garë për president duhet të jenë të paktën dy kandidatë, të cilët paraprakisht duhet të sigurojnë nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve.
Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota të deputetëve.
Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.
Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
(r.m.)