Kiev / Vjenë, 29 gusht 2022 – Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha të hënën se misioni i mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së tek Zaporizhzhia, do të jetë misioni “më i vështirë në historinë e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike”.
Këto komente vijnë pasi kjo agjenci njoftoi mëngjesin e të hënës se ekspertët e saj janë rrugës drejt centralit më të madh bërthamor në Evropë, Zaporizhzia.
“Ne presim nga misioni një deklaratë të qartë të fakteve, shkeljen e të gjitha protokolleve të sigurisë bërthamore. Ne e dimë se Rusia po rrezikon jo vetëm Ukrainën, por të gjithë botën nga një aksident bërthamor. Unë s’kam informata rreth rrjedhjeve tek centrali. Ky është pikërisht misioni i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore për të inspektuar situatën dhe për të dalë me të dhëna”, tha kryediplomati ukrainas, Kuleba.
Ai i kërkoi Rusisë që të largohet nga Zaporizhzhia para se të shkaktohet një katastrofë bërthamore.
Në anën tjetër Ministria e mbrojtjes e Rusisë e akuzoi të hënën Ukrainën se ka dërguar një dron për të kryer sulme në centralin bërethamor të Zaporizhzhias.
“Regjimi i Kievit vazhdon provokimet për të krijuar një fatkeqësi të shkaktuar nga njeriu në termocentralin bërthamor Zaporizhzhia. Më 28 gusht, një dron sulmues ukrainas u qëllua nga armët e lehta teksa po i afrohej ndërtesës speciale nr. 1, e cila ruan karburantin bërthamor të prodhimit amerikan dhe mbetje të ngurta radioaktive. Droni i rrëzuar nga ushtarët rusë ra në çatinë e ndërtesës speciale nr. 1. Dëmet e rënda dhe viktimat u shmangën”, tha zëdhënësi i Ministriës ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov.
Ai gjithashtu tha se Rusia kishte rrëzuar dy avionë luftarakë ukrainas mbi rajonet e Zaporizhzhias dhe Donjeckut, ndonëse këto raporte nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Të dyja palët e kanë mohuar se po bombardojnë uzinën e Zaporizhzhias në javët e fundit, ndërsa secila akuzon tjetrën për një gjë të tillë.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi, ka kërkuar prej muajsh qasje në uzinën e Zaporizhzhias. Ndërsa një delegacion i kësaj agjencie është nisur të hënën në mëngjes për në centralin bërthamor në Ukrainë.
Situata rreth Zaporizhzhias është shqetësimi kryesor edhe për presidentin francez, Emmanuel Macron i cili foli për situatën e frikshme pas takimit me kryeministrin polak, Mateusz Morawiecki.
“Situata rreth centralit Zaporizhzhia është sigurisht ajo që na shqetëson më shumë. Ne kemi bërë gjithçka këto ditët e fundit për të ndihmuar në organizimin e misionit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore. Ne kemi një shqetësim të përbashkët: para së gjithash, siguria bërthamore nuk duhet të bëhen të brishta nga kjo luftë. Dhe kështu ky mision është i rëndësishëm, ai duhet të ruajë këtë termocentral dhe sigurinë e gjithë rajonit”, tha zoti Macron.
Me rritjen e frikës për një aksident bërthamor në Ukrainë, nga e hëna, autoritetet e Zaporizhzhias kanë nisur shpërndarjen e tabletave të jodit për banorët e saj.
“Duke qenë se zona jonë ndodhet 50 km larg termocentralit bërthamor, në zonën e ekspozimit të mundshëm ndaj rrezatimit, ne po shpërndajmë tableta jodi për njerëzit, kryesisht për ata nën 40 vjeç. Ata që janë mbi 40 vjeç nuk rekomandohet të marrin ilaçin. Është një masë parandaluese dhe profilaktike. Ilaçi merret vetëm pas një njoftimi zyrtar nga autoritetet” tha mjekja e qendrës mjekësore ku bëhej shpërndarja e jodit, Liliia Kolesnik.
“Kam ardhur për të marrë tableta jodi. Në rast të rrezikut të ekspozimit ndaj rrezatimit, që të mos vuajmë nga asnjë efekt anësor. Ne jemi mirënjohës për organizimin e shpërndarjes”, tha banorja e Zaporizhzhias, Olha që nuk pranoi të japë mbiemrin.
Sipas mjekes Liliia Kolesnik, rreth 8,500 persona i kanë marrë këto tableta, duke përfshirë edhe 2,500 fëmijë.
Tabletat e jodit mund të bllokojnë rrezatimin radioaktiv dhe përdoren në emergjencat bërthamore për të ndihmuar në mbrojtjen e tiroides, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
(Zëri i Amerikës)