Ka ngjallur reagime të forta dhe të ashpra, deklarata e mbrëmshme e Lulzim Bashës në një intervistë se ai kishte arritur të fitonte zgjedhjet për bashkinë e Tiranës në vitin 2011, vetëm sepse përjashtoi nga fushata, Sali Berishën, i cili në atë kohë ishte edhe Kryeministër, edhe Kryetar i PD-së.
Ka shpërthyer me zemërim edhe Bujar Nishani, pikërisht ai që ishte në atë kohë drejtuesi i Shtabit Elektoral të PD-së për Tiranën.
Të nderuar miq, një gënjeshtar kongjenital jo vetëm që nuk mund të na udhëheq në ndonjë fitore por na shkaktoi në tetë vite, kaosin, hallakatjen dhe dekurajimin më të madh politik që kemi patur ndonjëherë brenda Partisë Demokratike.
Gënjeshtari kongjenital po thotë se ka fituar në 2011, Bashkinë e Tiranës, pa Berishën!
Si drejtues i shtabit elektoral për Tiranën, atë botë, më bezdiste deri në nervozizëm tek shikoja se si gjatë gjithë ditës, L. Basha i kërkonte S. Berishës ta udhëzonte, ti tregonte e ti mësonte edhe detajet më elementare për axhendën ditore dhe tezat e fushatës.
Ky nuk është thjesht qesharak, jo vetëm gënjeshtar kongjenital por një parazit politik me një kosto të madhe për të gjithë ne.
11 Dhjetori 2021, po vjen me shpejtësi.
Uragani i njerëzve të ndershëm, trimave e patriotëve do të shpëtojë Partinë Demokratike.
Të ringremë PD për të shpëtuar Shqipërinë.
OraNews