Nisin fluturimet komerciale në Aeroportin e Kukësit

Tiranë, 9 korrik 2021 – Në Aeroportin e Kukësit “Zayed-Flatrat e Veriut” të premten kanë nisur zyrtarisht fluturimet komerciale.

Avioni i kompanisë ajrore zvicerane “Helvetic Airways”, me 67 udhëtarë, i nisur nga Zyrihu, është ulur rreth orës 12:45.

Kryeministri i Shëipërisë, Edi Rama, ka postuar në rrjetet sociale fotot kur udhëtarët e oarë kanë zbritur në aeroport, ku janë pritur me lule dhe karamele.

“Me këmbë të mbarë në Kukës. Sot në aeroportin “ZAYED-Flatrat e Veriut”, shkruan Rama.

Ai e ka cilësuar këtë aeroport si “porta e dytë të qiellit të Shqipërisë”.

Avioni i kompanisë “Helvetic Airways” ka fluturuar për në Zyrih një orë e gjysmë pas aterrimit.

Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit “Zayed-Flatrat e Veriut” ka një pistë prej 2.2 kilometrash dhe kullën e tij të vëzhgimit. Pista e aeroportit është projektuar për operimin e 3 avionëve njëkohësisht, ndërsa brenda një ore nga ky aeroport mund të nisen 4 avionë.

Terminali ka një hapësirë  prej 3.500 metrash katror dhe i ka 2 porta hyrëse, Brenda hapësirës së terminalit gjendet një zonë muzeale për luftën e Kosovës, e cila ishte pika fillestare e këtij aeroporti, si dhuratë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, në ndihmë për refugjatët e luftës.

(r.m.)