Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, bazuar në strategjinë për avansimin e shëndetësisë kosovare dhe nevojën për zvogëlimin e numrit të referimit të rasteve për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, përmes kërkesës së drejtuar sot te bordi i SHSKUK-së, ka iniciuar krijimin e Shërbimit të Kardiokirurgjisë Pediatrike, për fëmijët me sëmundje kongjenitale të zemrës.
Ministri Latifi ka theksuar se Ministria e Shëndetësisë do të sigurojë trajnimin e personelit përkatës dhe do të bëjë furnizimin e paisjeve të nevojshme edhe përmes përkrahjes nga partnerët tanë ndërkombëtarë.
Pasi që trajnimi i kardiokirurgëve, infermierëve dhe personelit tjetër është parashikuar të fillojë në muajin shtator 2022, ministri Latifi ka kërkuar nga menaxhmenti i SHSKUK-së që sa më herët të identifikojë personelin përkatës që do të dërgohet për trajnim jashtë Kosovës në një nga vendet me sistemin më të zhvilluar në botë për kardiokirugji te fëmijët. (Telegrafi)