Brisbane (Australi), 19 qershor 2021 – Hulumtuesit në Australi po fillojnë provat klinike të një lloji të ri të vaksinës kundër COVID-19 – një spërkatës në hundë. Shkencëtarët në Brisbane besojnë se trajtimi mund të jetë më i efektshëm kundër virusit se sa vaksinat e AstraZeneca-s dhe Pfizer-it dhe se do të mundësonte vaksinimin e pacientëve që kanë frikë nga gjilpërat.
Pavarësisht fushatave të bashkërenduara të shëndetit publik, programi i vaksinimit në Australi ka qenë i ngadaltë, krahasuar me vendet e tjera. Australia është përballur me probleme të furnizimit dhe me ankesa për planifikim të dobët nga ana e qeverisë, ndërsa niveli relativisht i ulët i rasteve të koronavirusit ka rezultuar në vetëkënaqësi dhe hezitim në komunitet.
Australia po përshpejton fushatën e saj të imunizimit. Në të ardhmen, vaksinat mund të administrohen më lehtë – si një spërkatës në hundë i krijuar për të “sulmuar virusin” ndërsa ilaçi hyn në trup.
Dr. Paul Griffin, drejtor mjekësor në Rrjetin Nucleus, një organizatë kërkimore që po fillon provat e terapisë me spërkatësin në hundë, tha se ndërsa ilaçet e tjera kryesisht mbrojnë kundër shfaqjes së simptomave të rënda të COVID-19, kjo vaksinë synon të zvogëlojë rrezikun e infeksionit.
Një komision i pavarur i etikës në Australi ka miratuar provat klinike. Studiuesit thonë se spërkatësi në hundë mund të jetë i disponueshëm brenda një ose dy vitesh.
(Zëri i Amerikës)