Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, që detyron televizionet private të transmetojnë pa redaktim kasetat e përgatitura nga partitë politike gjatë fushatës, është asgjë më pak sesa një atentat ndaj lirisë së medias madje edhe ndaj mbijetesës së saj.
Televizionet dhe mjetet e tjera të informacionit duhet të vendosin vetë sesi t’I paraqesin lajmet e ditës dhe nuk mund t’u imponohet propagandë partiake. Nuk ka vend demokratik në botë ku zbatohet ky model.
Justifikimi i KQZ-së se po vepron sipas ligjeve në fuqi tregon ose një interpretim dashakeqas të ligjit, ose një një ligj që duhet injoruar derisa të krijohet mundësia për ta ndryshuar.
Partitë nëse duan të paraqesin të pandryshuar pikëpamjet e tyre, propagandën e tyre për telespektatorët apo publikun e çdo mjeti radioteleviziv e gazette, duhet të blejnë reklama ashtu si ndodh në çdo vend të botës.
Këto reklama janë shpesh burim i rëndësishëm mbijetese për median dhe bëjnë një ndarje të qartë ndërmjet informacionit të lirë dhe propagandës partiake.
KQZ-ja gjithashtu është justifikuar duke thënë se neni 84 sipas të cilit e ka marrë këtë vendim të turpshëm, është aprovuar nga të gjitha partitë. Ky është një shans shumë i mirë për të gjitha partitë kryesore të vendit, nga pushteti në opozitë që të distancohen nga ky vendim dhe të mos i bashkohen këtij sulmi të pacipë kundër lirisë së medias, demokracisë dhe perspektivës së Shqipërisë për t’iu afruar anëtarësimit në Bashkimin Europuan. Sepse një rregull i tillë imponues ndaj medias nuk është karakteristikë e një vendi që është i gatshëm t’u bashkangjitet demokracive popullore.
KQZ-ja ndodhet në një pozitë të vështirë, gati e përgjysmuar dhe e kthyer papritur në një mollë sherri të politikës në vend. Minimumi që mund të bëjnë në këtë periudhë anëtarët e mbetur të këtij komisioni është që të mos e dëmtojnë procesin demokratik më shumë se ç’e kanë dëmtuar partitë kryesore të vendit.
Shumë organe të medias në Shqipëri në fakt, qoftë nga mungesa e mundësive, qoftë nga mungesa e përgjegjësisë profesionale, pranojnë prej kohësh kasetat e gatshme që u vijnë nga partitë.
Të tjera anojnë qartas në favor të njërit apo tjetrit krah. Në këtë rast me të drejtë KQZ kërkon që t’i detyrojë të kompensojnë në favor të partive që kanë diskriminuar. Nuk është çudi që disa prej këtyre mjeteve të mundohen që kohën e detyruar për ndonjë parti politike ta shfrytëzojnë për ta raportuar në dritë negative atë.
Po ndërsa KQZ mund ta detyrojë median në vija të përgjithshme që të respektojë vendosjen e kushteve të barabarta të konkurrimit të partive, ai nuk mund t’u imponojë redaksive përmbajtjen e programeve.
Në fund të fundit, ajo që do të edukojë median në Shqipëri është pjekuria e qytetarëve shqiptarë. Një shoqëri që do të vendosë një ditë të bëhet serioze ndaj klasës së vet politike do të detyrojë në fund edhe median që të pasqyrojë në mënyrë serioze fushatën dhe konkurrimin partiak.
Po kjo nuk mund të bëhet me urdhër e as mund të ndihmohet nga kasetat e shëmtuara të një propagande lodhëse që prodhojnë pa u lodhur shumë prej partive shqiptare.
Në këtë kontekst është zemërngrohëse të shohësh një grup gazetarësh që po protestojnë publikisht vendimin duke u ngritur në mbrojtje të lirisë. Ashtu siç është për të ardhur keq, që shumë kolegë të tyre preferojnë të qendrojnë mënjanë, indiferentë ose në përkrahje të këtij vendimi famëkeq. Në luftën për të drejtat dhe dinjitetin e tyre, gazetarët kanë aleatë vetëm njëri-tjetrin.