Vjenë, 19 maj 2022 – Një autobus me targa të Kosovës është aksidentuar në një autostradë pranë Eugendorfit në Austri, raporton agjencia APA. Raportohet se afër 20 persona janë lënduar.
Ekipet e ndihmës së pare dhe të zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes menjëherë pas aksidentit.
“Aktualisht kemi informacione për tre të plagosur rëndë dhe 16 të plagosur lehtë”, tha për APA, zëdhënësja e Kryqit të Kuq, Roberta Thanner.
“Deri më tani nuk kemi raportime për viktima”, shtoi ajo.
Aksidenti ndodhi rreth orës 03:00 në një autostradë nga Salzburgu në drejtim të Vjenës. Autobusi me rreth 25 pasagjerë, me gjasë është përplasur në mbrojtësen prej betoni të autostradës, por shkaqet e aksidentit ende janë të paqarta, tha zëdhënësi i policisë, Hans Wolfgruber.
“Në autobus gjendeshin rreth 25 persona”, tha komandanti i policisë rajonale, Herman Gerstgraser.
“Këta janë turistë që pa dyshim vijnë nga Kosova”, tha ai.
Wolfgruber tha se autobusi po udhëtonte nga Kosova për në Hanover të Gjermanisë.
Wolfgruber, në konferencën e parë për shtyp, në Eugendorf, tha se, sipas vlerësimeve të para, aksidenti ka ndodhur “pa faj të palës së tretë”, domethënë shoferin mund ta ketë zënë gjumi ose se aksidenti mund të jetë shkaktuar nga ndonjë defekt teknik.
Sidoqoftë, shkaku i aksidentit do të konstatohet nga ekspertët.
Vendi ku ka ndodhur aksidenti është mbyllur për trafik dhe autobusi gjendet ende në vendin e ngjarjes.
Sipas fotografive të publikuara nga mediat austriake, autobusi i aksidentuar i përkiste kompanisë “Armend Tours”.
(r.m.)