Një bisedë me At Arthur Lionin në vitin 1995

Një bisedë me At Arthur Lionin në vitin 1995 nga Vehbi Bajrami.

Njohja me Nolin si fëmijë, takimi si student me dy shqiptarë në stacionin e Shkupit, në vitin 1965, vendimi për t’u bërë prift e mendimet e tij për fenë, shqiptarët, Nolin e trashëgiminë historike.

Ribotuar si lamtumirë për mikun e gazetës “Illyria” dhe udhëheqësin e shquar të komunitetit shqiptaro-amerikan, At Arthur Liolin.

Kush dyshon, beson…

Me at Arthur Liolinin në Kryekishën “Shën Gjergji”

Nga Vehbi Bajrami

BOSTON (Massachusetts)

Imzot Noli është i gjallë. E ndjejmë se e kemi pranë në çdo hap që hedhim në rrugën e çështjes kombëtare dhe në rrugën e Zotit. I dëgjojmë zërin, marrim këshillat, gjejmë zgjidhje për problemet e vështira, mbajmë gjallë frymën e shenjtë dhe frymën kombëtare.

Edhe sot Fan Noli ishte me ne, aty në Kishën Ortodokse “Shën Gjergji”, në Boston, me bustin e tij në hyrje, me fotografitë e tij në muret e faltores, me librat që ka shkruar e përkthyer. Se sa ishte i lidhur imzot Noli me kishën e shpjegon vetë në një shkrim që ruhet po në këtë kishë, të cilën e themeloi më 1908 dhe i shërbeu deri sa u nda nga kjo botë, më 1965: “Nga të gjithë aktivitetet e mia, dashuria ime e parë është kisha… Hyrja ime e parë në lëvizjen shqiptare ishte leximi i Dhjatës së Re të përkthyer nga Konstandin Kristoforidhi në shqip, kur unë isha dhjetë vjeç”.

At Arthur Liolini, kancelar i Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë që nga viti 1975 dhe famullitar në këtë kishë që nga viti 1970, përpiqet të mbajë gjallë frymën që mbolli “ikona e kombit”, siç e quan ai Fan Nolin.

– Kishat dhe xhamitë në Amerikë kanë qenë dhe janë portat e para të hyrjes së emigrantëve tanë në kontinentin e ri, ku ata kanë ardhur dhe vijnë për të kërkuar atë që u mungon në vendin e tyre, – thotë at Liolini, i veshur bukur me uniformë kishtare, duke ecur në faltoren e madhe ku ka predikuar peshkop Noli dhe ndalet para altarit të punuar nga shqiptarët, në fillim të këtij shekulli, që është i ngjashëm me altarët në Shqipërinë e Jugut.

– Ja dhe ikonat e gdhendura në gjuhën shqipe nga piktorët shqiptarë, – tregon ai duke i prekur ato me dorë dhe më udhëheq drejt sallës së pagëzimit ku bie në sy figura e Oniksit, dhuratë nga arbëreshët e Italisë, si dhe altarit që ia dhuruan kishës shqiptarët e Korçës, të mërguar në Acapulco të Meksikës.

Shqiptarët e kanë ndihmuar në mënyra të ndryshme këtë kishë të vjetër. Më kujtohet një shkrim i botuar në gazetën “Dielli”, më 13 shkurt 1952, që bënte fjalë për Qiriako Bojaxhi Lashovën, i cili i dha kësaj kishe një hua prej 25 mijë dollarësh me kushte tepër bujare për të larë borxhet dhe për të bërë ndërtimet e duhura. Kryekisha kishte hyrë në borxh kur bleu kishën. Ajo u ble 40 mijë dollarë por iu desh të shpenzojë edhe nja 40 mijë të tjera për rindërtime e meremetime.

Me një edukim të lartë (“Princeton University” dhe “New York University”), njohës i shkëlqyer i teologjisë, historisë dhe filozofisë, pjesëmarrës i shumë veprimtarive kulturore, humanitare, diplomatike dhe fetare për Shqipërinë, bekues i darkave shqiptare dhe i disa demonstratave të shqiptarëve të Amerikës për lirinë e Kosovës, at Liolini për shumë shqiptarë është sot më i admiruari klerik ortodoks në botën shqiptare.

At Liolini, lindur në Jamaica, New York, më 1943, është i pari klerik shqiptar që vizitoi Shqipërinë më 1988, ku siç dihet, që nga viti 1967, qeveria e Enver Hoxhës e shpalli religjionin të ndaluar.

– Shqiptarët dukeshin të vrarë në fytyra e të vrerosur në shpirt, – kujton at Liolini vizitën dymuajshe në Shqipëri, gjatë së cilës ai u takua me drejtues të Muzeut Kombëtar, Universitetit e institucioneve të ndryshme dhe bëri lutje fetare në varrezat e Tiranës e të Korçës.

-Megjithatë, – thotë at Liolini, – unë vura re se shqiptarët nuk e kishin braktisur Perëndinë, ata besonin tek ai, pavarësisht se praktikimi i fesë ishte i ndaluar me ligj. – Edhe stalinistët më të vendosur shpesh pohonin se ishte e pamundur që të hiqeshin prej mendjes dhe zemrës së popullit besimet dhe zakonet fetare. Feja në Shqipëri rezistoi dhe mbijetoi, megjithë përpjekjet e dhunshme që u bënë për ta shkulur idenë e të shenjtës prej shpirtit dhe mentalitetit shqiptar. Shumëkush thotë se shqiptarët nuk janë dhe aq fetarë. Unë mendoj të kundërtën: shqiptari nuk është njeri ateist. Ai është fetar dhe beson sipas mendjes së vet. Shqiptari, pasi është zhgënjyer e gënjyer prej tragjedive tmerruese që pësoi gjatë historisë, tani e pranon me rezervë çdo gjë absolute, sepse ai ka jetuar përherë në bregun e jetës, me uri, dashuri, urrejtje, dyshim.

Ne jemi të lidhur si asnjë komb tjetër me tokën, – thotë at Liolini duke i parë rrënjët e kësaj lidhjeje në kohën e Ilirisë. Dëshmi e kësaj lidhje janë monumentet e asaj kohe, siç është njeriu në skulpturë, gjymtyrët e të cilit bashkojnë qiellin me tokën.

-Do të ishte një gjë interesante të organizohej një simpozium për fenë e shqiptarit para Krishtërimit, për të nxjerrë në dritë se cili ishte karakteri shpirtëror i shqiptarëve, – propozon at Liolini.

Kur ai vizitoi Shqipërinë më 1988, diktatura komuniste atje ishte në grahmat e fundit.

– Vizita ime u bë në një shtet me fe të ndaluar. A nuk tregonte kjo se akulli i diktaturës kishte filluar të shkri- hej? – i drejton një pyetje retorike më shumë vetes kleriku ynë, të cilit disa ia zënë për të madhe që vajti në Shqipëri në kohën e diktaturës. Për ta, at Liolini ka këtë përgjigje: – Edhe në gjendje lufte duhet të kesh marrëdhënie me kundërshtarin. Disa shqiptarë të Amerikës, gjatë regjimit të Enver Hoxhës, shkonin në Shqipëri të shtyrë nga dashuria për atdhenë dhe njerëzit e tyre që kishin lënë atje. Shteti shqiptar u largua nga vlerat dhe traditat e larta shqiptare. Por, gjëja më e madhe që mund të bënim ne në ato kushte, ishte që të këshillonim e jo të kritikonim. Nëse vëllai, djali, apo vajza, largohet nga familja, ose nuk sillet mirë, si duhet vepruar: do ta mohosh, apo këshillosh? Është fare kollaj t’i japësh munxët. Shqiptari, sipas Lekë Dukagjinit, e pranon armikun në shtëpi e lëre më vëllanë e tij,- thotë at Liolini dhe shton se sistemi komunist nuk i shkonte përshtat karakterit të shqiptarëve, krenarisë dhe zotësisë së tyre, të lindur e rritur në një vend shumë të bukur natyror. Ata janë aq krenarë prej natyre, sa nuk mund t’i nënshtroheshin komunizmit, që kërkonte njerëz të përulur e servilë. Shqiptari I përulet vetëm Zotit.

Kontakti i parë i at Liolinit me botën shqiptare përtej Atlantikut, ndodhi më 1964 kur ai qe djalosh 21 vjeç, në atë kohë student në kolegjin “Albert Schweitzer” në Zvicër. Ai vajti për herë të parë në Prishtinë, në Shkup dhe në Ohër për të studiuar ikonat e kishave ortodokse. Mirëpo, synimi i tij nuk ishte vetëm të studionte ikonat kishtare, po edhe të takonte e të njihej me shqiptarë të këtyre trojeve, për të cilët dinte shumë pak.

At Liolini tregon se si në stacionin e trenit në Shkup takoi dy shqiptarë: njëri i veshur me elegancë, i qetë dhe i rezervuar, ndërsa tjetri afër tij, ulur në një karrige, veshur me tirq, mustaqedredhur, me një çantë me mish pule, djathë dhe ca vezë. At Liolini kishte më shumë dëshirë të fliste me shqiptarin e veshur me rroba kombëtare, sepse i pari, në sytë e studentit shqiptaro-amerikan, nga veshja ngjante si të ishte gjerman apo amerikan, ndërsa fshatari dukej tamam shqiptar. Fshatari, i ngrohtë e miqësor me at Liolinin, ndau gjysmën e djathit, gjysmën e mishit të pulës e copën e bukës.

17 vjet më vonë, at Liolini bashkë me klerikët e tjerë të komunitetit shqiptar në Amerikë, mbajti një lutje për shqiptarët e Kosovës në New York, të cilët, në atë kohë po i jepnin grushtin e fortë sistemit diktatorial të Jugosllavisë, duke kërkuar barazi si kombet e tjera të këtij shteti. Ai u lut që gjaku i shqiptarit të mos derdhet rrugëve të Kosovës e që mbi pasionet shoviniste jugosllave të mbizotëronte mendja e shplarë nga çdo paragjykim e urrejtje; që kërkesat e shqiptarëve të merreshin në konsideratë dhe të shqyrtoheshin me arsye nga kreu politik i shtetit që i sundonte dhe nga bota që dëshironte paqen në vend të dhunës.

***

I përndershmi at Arthur Liolini, në moshë të njomë ëndërronte që kur të rritej të bëhej mjek.

“Arthuri ka qenë shumë i talentuar qëkur ishte fëmijë. Ai kishte shumë dashuri për librin”, thotë nëna e tij, Elena Liolini.

Gazeta “Dielli”, më 1958, e quante atë “gjeni të ri” për “aventurat” e tij në shkencë, për të cilat ai kishte fituar disa shpërblime si dhe për talentin në muzikë. Në moshën 11 vjeç Arthurin e gjejmë organist të Kishës “Shën Nikolla” në New York.

Kati përdhes i shtëpisë së tij ishte kthyer në një si laborator ku studenti i ri kalonte orë të tëra, duke bërë studime mbi qelizën.

– Keni treguar interesim për muzikë, histori, mjekësi e fe. Cilën e keni dashur më shumë? – e pyeta at Liolinin.

-I kam dashur të gjitha, prandaj u bëra prift, sepse priftëria i përmbledh të gjitha këto: fenë, diplomacinë, historinë, muzikën, mjekësinë. Të gjitha shkencat e kanë burimin në teologji, – pohon ai.

– Në cilat pika bashkohen shkenca dhe feja?

– Ato kanë shumë pikëtakime. Shkenca vërteton se Perëndia na ka dhënë trurin për të zbuluar botën. Është interesant të dihet se shumë shkencëtarë që merren me gjenetikën, kërkojnë këshilla nga klerikët. Shkencëtarët mund të zbulojnë, por nuk e dinë ç’duhet të bëjnë me zbulimet. Shkenca s’ka moral dhe etikë, ka vetëm qëllimin për të zbuluar, kurse feja ka dimensionin moral të qëllimeve, etikën. Shkenca e pastër nuk bën gjykime. Ajo vetëm zbulon, ndërsa qëllimi i fesë është të japë vlerësime, të gjykojë, të thotë cila është e mirë e cila s’është e mirë. Mirëpo, edhe feja fiton shumë nga shkenca për të mos mbetur në vend. Ungjilli thotë se feja mund të plotësohet me vetveten, – pohon at Liolini dhe shton: – Unë besoj se edhe ateizmi ka brenda tij teizmin. Për të mohuar, sipas logjikës, duhet të pra- nosh një gjë. Unë besoj në lirinë e fesë. Kam pasur dhe kam miq që janë jobesimtarë e që janë më të mirë se shumë besimtarë. Mirëpo, njeriu që është fetar, ai që e kupton thelbin e religjionit, nuk është fanatik. Dhe, siç thotë Ungjilli, pa dyshimin, nuk ka fe. Ai që nuk dyshon, nuk është njeri, është një robot i doktrinës. Si mund të jesh një robot marksist, mund të jesh edhe një robot fetar. Krishti thotë: “Lum ai që ka dyshime dhe beson”, – thekson at Liolini dhe zë në gojë thënien e artisit anglez Peter Justinov: “Ajo që e shpie botën për- para, nuk është dashuria, por dyshimi”.

Nga i ati, Evans J. Liolini, at Liolini u frymëzua të merrej me historinë e Shqipërisë dhe me fenë. Dëshirën për t’u marrë me muzikë ia nguliti e ëma, Elena. I ati i tij u lind në Boboshticë të Korçës, e ëma në Amerikë. Evans Liolinin e gjejmë në veprimtrari të ndryshme: kryetar i parë i Këshillit të Kishës Ortodokse Shqiptare “Shën Nikolla” në New York, nismëtar i themelimit të fondit për studentët që duan të studiojnë teologjinë, këshilltar i Fan Nolit në Këshillin e Përgjithshëm të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë etj.

Kryesia e Fondit të Studentëve në New York: Evans Liolin, babai i at Liolinit (ulur). Nga e majta (në këmbë): James Viso, Alex Efthim dhe Philip Cotmil

– Dy herë në vit Fan Noli vinte në shtëpinë tonë, – thotë at Liolini dhe tregon një fotografi ku ai ka dalë bashkë me babanë dhe Fan Nolin, para Kishës “Shën Nikolla”, në New York, më 1950.

– Prindërit e mi, sa herë që vinte Fan Noli në shtëpinë tonë, më plotësonin dëshirën që bashkë me ta, të shoqëroja hirësinë e tij. Me mua në shoqëri ndodheshin përherë edhe vëllezërit Nikolla, sot prift në Michigan dhe vëllai Jimi, sot njëri nga aktivistët e Kishës “Shën Nikolla” në Queens. Kjo ka qenë për mua një përvojë e mirë jetësore. Në fjalët e at Nolit për problemet tona kombëtare teologjike, unë gjeta frymëzimin për t’u marrë me prejardhjen time, me historinë e popullit tim dhe për t’iu përkushtuar misionit fetar. Bëjnë gabim ata prindër që i mënjanojnë fëmijët e tyre për t’u shoqëruar me njerëz të vjetër e të ditur, – thotë at Liolini dhe citon shkrimtarin italian Vincenzo Giobert- in: “Babai duhet të jetë shok dhe person i besuar e jo tiran i fëmijëve”.

Kleriku ynë në moshë të njomë i shkruante letra Fan Nolit, i cili i kthente gjithmonë përgjigje, duke e nxitur djaloshin e ri të vazhdonte rrugën e ndritur të sukseseve që kishte nisur. Nga imzot Noli, at Liolini, veç të tjerash, trashëgoi edhe stilin e të shkruarit. Imzot Noli i thoshte: “Shkruaj shkurt e me kuptim”, siç këshillonte Shën Pavli.

At Liolinit i ka mbetur në kujtesë një rast që ia kishin treguar shqiptarët e moshuar. Një biznesmen i pasur nga Detroiti vajti në banesën e Fan Nolit që ishte afër një biblioteke.

– Hirësi, ti je peshkop me nam, si mund të jetosh në një banesë të tillë pa mobilje, – i tha biznesmeni Fan Nolit.

Peshkopi, i cili jetonte në një banesë me libra nga dyshemeja deri në tavan, u mejtua një çikë, pastaj e pyeti mysafirin:

– Ku i keni ju mobiljet? Nuk i keni sjellë me vete? Biznesmeni ia ktheu: – Si t’i sjell mobiljet me vete këtu? Unë jam turist në Boston.

– Ah, edhe unë jam turist në këtë botë, – ia ktheu Noli, për të cilin at Liolini thotë se ishte murg i vërtetë, jo si disa të tjerë që duken si murgjër, por në vepra nuk janë të tillë.

– Fan Noli ishte fetar me zemër, – thotë at Liolini, duke kundërshtuar ata që thonë të kundërtën.

– Në Federatën Pan Shqiptare “Vatra” ai fliste e angazhohej politikisht, në kishë predikonte vetëm fenë, – thotë at Liolini dhe shton: -Peshkop Noli ishte demokrat i bindur. Motoja e tij ishin fjalët: “duam një qeveri të popullit, prej popullit, për popullin”, siç tha në parlamentin shqiptar më 1923.

– Noli ishte njeri realist. Ai u përpoq dhe arriti që mesha në kishën shqiptare të Amerikës të zhvillohej edhe në gjuhën angleze. Disa e kanë kritikuar pse meshonte në gjuhën angleze, duke e akuzuar se në këtë mënyrë “do të humbim shqipen”. Mirëpo, ata nuk e kuptonin se shqiptarët e lindur në Amerikë, ose ishin martuar me të huaj, ose kishin filluar të asimiloheshin dhe nuk e kuptonin gjuhën shqipe. Pa predikimin e meshës në gjuhën angleze, këta të rinj s’do të vinin në kishë, – thotë at Liolini.

– Është thënë shpesh që në vitet e tij të rinisë, Noli e pa Kishën Ortodokse Shqiptare si një mjet për të shpëtuar Shqipërinë. Por gjithashtu mund të thuhet se kisha e shpëtoi Fan Nolin si shërbyes publik dhe si njeri, – thotë at Liolini dhe shton: – Si njeri i Zotit, ai nuk njihte literaturë më të madhe se sa shkrimin e shenjtë, nuk njihte muzikë më të fuqishme se sa zërin, i cili lavdëron Perëndinë dhe nuk njihte art më të bukur se artin e lutjes.

Kleriku dhe dijetari ynë ka gjetur shkrime të ndryshme mbi imzot Nolin që janë botuar në gazetat e huaja. Gazeta angleze “The Manchester Guardian” më 1920 në një editorial shkruan: “Fan Noli është një njeri që do të ishte i shquar në çdo shtet. Një diplomat i përsosur, një ekspert në politikën ndërkombëtare, një debatues i talentuar, qysh prej fillimit bëri një për- shtypje të thellë në Gjenevë. Ai i hodhi poshtë kundërshtarët e tij ballkanikë në një mënyrë mjeshtërore, por gjithmonë me një buzëqeshje. Ai është një njeri me një kulturë të gjerë që ka lexuar çdo gjë të vlefshme për t’u lexuar në anglisht dhe frëngjisht”. Lordi anglez Cecil i shkroi Nolit se “si përfaqësuesi kryesor i mbrojtjes së vendit tuaj, është e mjaftueshme të thoni vetëm që jeni shqiptar”. Fan Nolin e vlerësuan lart edhe kundërshtarët e tij. “Megali Elliniqi Enkiklopedia”, botuar në Athinë më 1933, shkruan: “Fan Noli është një nga shqiptarët më të shquar në fushën e letrave… dhe një nga personalitetet më të fuqishme politike të Shqipërisë. Aneksimi (fjala aneksim është shkruar nga grekët, të cilët pretendojnë që Jugu i Shqipërisë, i quajtur prej tyre Vorio Epir i takon Greqisë, ndërsa dihet që grekët kanë aneksuar territorin shqiptar në Jug, Çamërinë banuar nga shqiptarët) i Epirit të Veriut nga Shqipëria ishte rezultat i politikës së tij të mençur. Në saje të kulturës së tij, njohjes së shumë gjuhëve dhe aftësisë së tij gazetareske, ai është bërë udhëheqja dhe mendja frymëzuese e Rilindjes Shqiptare dhe kampioni kryesor i saj nëpër botë”.

At Liolini në një shkrim të botuar në “Illyria” më 1993, në mënyrë të shkurtër e të qartë ka zbërthyer per- sonalitetin e imzot Nolit që disa studiues tanë nuk kanë arritur ta bëjnë me faqe të tëra libri. Ndër të tjera ai ka shkruar: “Me gjithë faktin që Fan Noli ishte një personalitet shumë i njohur, mendimet e tij të brendshme dhe emocionet e tij mbeten edhe sot e kësaj dite një enigmë. Ai ishte një njeri me paraqitje e karizmë të madhe dhe shpesh një kombinim i shumëfishtë edhe i paradokseve. Ai mund të magjepste, të qortonte, të kërcënonte dhe të këshillonte me një fjali, gjë që shpesh i hutonte miqtë e tij. Ai mund të ishte zemërak, i tërhequr dhe sentimental, deri sa të të bënte edhe për të qarë në të njëjtin bashkëbisedim…”.

At Liolini e ka përmbledhur patriotizmin e imzot Nolit me fjalët: “instrumenti për të siguruar qën- drueshmëri dhe besim për lëvizjen shqiptare në rritje gjatë shekullit 20-të”. Ndonëse të tjerë e paraprinë atë në zgjimin kombëtar, shkruan ai, imzot Noli e pa atë të marrë formë dhe emri i tij u bë një formë bashkimi, kryesisht në Amerikë, më tepër se kudo, ku komuniteti shqiptar ishte në gjendje të lulëzonte dhe të zhvillohej lirisht.

Sekretari Amerikan i Shtetit, James Baker, bisedon me at Liolinin e klerikë të tjerë gjatë vizitës në Tiranë në qershor 1991.

Vazhdoj dialogun me at Arthur Liolinin pa ndërruar temën. Flasim për Fan Nolin, figurën e të cilit e ka traj- tuar me mjeshtëri kleriku ynë. Duke e krahasuar imzot Nolin me Thomas Jefferson-in, at Liolini thotë: “Ashtu si Thomas Jefferson-i, ai ishte një humanist i shquar dhe një reformator energjik, i logjikshëm, i përpiktë dhe plot ankth për të ruajtur atë që besonte të ishte e drejta e patjetërsueshme e popullit të tij”.

– Larg nga vendi i tij qysh prej moshës së njomë, – vazhdon ai, – imzot Noli në pjesën më të madhe të kohës jetoi në varfëri. Ai ishte gjithmonë shqiponja e vetmuar: shumë e njohën atë, të gjithë e njohin atë, por ai ishte kryesisht vetëm me Krishtin dhe Ungjijtë dhe harroi pjesën më të madhe të jetës së tij në këtë botë, në përkthimet e Shkrimit të Shenjtë dhe të Liturgjisë.

Ndërmjet sendeve personale që u gjetën në tavolinën e punës së të ndjerit metropolit, ditën e vdek- jes së tij, siç shkruan at Liolini, ishte edhe një vëllim i hollë me poezi franceze dhe disa letra me përkthimet e tij të fundit. Titulli i librit kishte emrin e një poezie elegjike romantike të DeVugney-t, titulluar “La Mort Du Loup”. Metropoliti soditës, vazhdon at Liolini, ishte mjaft i tërhequr nga kjo poezi e esëllt, që duket të përmbajë një sens të një angazhimi intensiv dhe një heshtje fisnike. Këto vargje të fundit të poezisë, që janë kaq të ndjera dhe që duhet ta kishin prekur thellë atë gjatë tërë jetës së tij plot përpjekje ishin të nëvizuara: “Të rënkosh, të qash, të ankohesh është paburrëri/Bëj me zell detyrën e gjatë dhe të zjarrtë të cilën fati të ka dhënë/ Dhe atëherë, si unë vuaj dhe vdis/ Pa thënë asnjë fjalë”.

Përfaqësuesit e qeverisë komuniste të Tiranës, për arsye politike nuk u lejuan të vinin në Boston për t’i dhënë nderimet e fundit mitropolit Nolit. Siç shkruan “Dielli”, kurora lulesh të dërguara nga autoritetet komuniste të Tiranës figuronin në Kishën “Shën Gjergji”.

***

Flasim me at Liolinin për emigrantët e rinj të ardhur viteve të fundit në Boston. Si gjinden ata në mjedisin e ri?

– Emigranti shqiptar, në çdo kohë, kalon në tri etapa: ardhja në Amerikë dhe mosinteresimi total për t’u marrë me aktivitete që lidhen me vendin dhe popullin që i takon; etapa e dytë: ambientimi i tij, strehimi, punësimi, fazë kjo kur para shqiptarit ka dy rrugë: ose të hyjë në organizatat shqiptare, në kisha apo xhami, ose të humbë në oqeanin amerikan dhe etapa e tretë, shqiptari, nëse është i orientuar mirë në pikëpamje kombëtare, bëhet më i matur dhe më i interesuar për shqiptarizëm, dëshiron të punojë me mish e shpirt për atdhenë e tij. Po ta vështrojmë si fenomen sociologjik ardhjen e shqiptarëve në Amerikë, do të shohim se shqiptari i parë që erdhi në kontinentin e ri ri, s’donte të dëgjonte gjë për Shqipërinë. Donte vetëm paranë që të kthehej sa më parë në atdhe. Kështu ndodh edhe me ata që vijnë sot në Amerikë, – thotë at Liolini.

– Shqiptarët në Amerikë, – vazhdon at Liolini, – jeto- jnë në dy skaje të një elipsi: në njërën anë është shqiptarizma, në tjetrën – amerikanizma. Po të humbim shqiptarizmën, do të shkrihemi në oqeanin amerikan. Po të mungojë amerikanizma, shqiptarët do të mbeten në geto. Çdo shoqatë, institut, gazetë duhet të zbatojë dygjuhësinë: shqip e anglisht, në mënyrë që skajet e këtij elipsi të mos shkëputen.

– Duhet të jemi krenarë me brezin e hershëm shqip- tar që erdhi në Amerikë, që, me pak para në xhep, ndihmoi Shqipërinë. Duhet të jemi po ashtu krenarë me arritjet e brezit të dytë shqiptar në Amerikë, që korri suksese duke u arsimuar. Shqiptari ka një nam të mirë në Amerikë, një histori të veçantë, të admirueshme për një minoritet, – pohon at Liolini.

– Si e shihni sot organizimin e shqiptarëve?

– Është e nevojshme të kemi një kongres të për- bashkët për organizimin e shqiptarëve të Amerikës, në të cilin do të mund të merrnin pjesë të gjitha shoqatat. Mirëpo, është e vështirë të mblidhen të gjithë shqiptarët në një shoqatë, se shqiptari për nga natyra do që të jetë njeri i pavarur. Shihni sa gazeta e sa parti ka sot në Shqipëri. Të bëjmë, pra, një kongres që do të mund të mblidhte përfaqësuesit e shoqatave në interes të organizimit tonë më të mirë, – thotë at Liolini.

Ai është i martuar me zonjën Margaret Becker, mësuese, e cila ka punuar me njerëzit me të meta fizike dhe tani punon në fushën ligjore. At Liolini dhe priftëresha Margaret kanë tre fëmijë.

Dimër, 1995

Marrë nga libri “Shqiptarët e Amerikës”, i autorit Vehbi Bajrami