Muhamet HAMITI
Si sot, para 25 vjetësh, më 11 janar 1999, u vra në Prishtinë Enver Maloku, gazetari kryesor politik i kohës në Kosovë, bashkëpunëtor i Presidentit historik Ibrahim Rugova.
Ishte shef i Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), agjencisë së lajmeve të Kosovë. E vranë herën e dytë. I kishte shpëtuar atenatit të parë, më 18 korrik 1998, kur u shkrepën plumba drejt tij, para banesës së tij në Breg të Diellit në Prishtinë. Nuk qe ndalur në punën e vet, bile punonte më me intensitet, sikur ta dinte që ditët i kishte të numëruara. Jeta e tij në ata gjashtë muaj ishte kronikë e një vrasjeje të paralajmëruar.
Një pjesë e punës së tij të asaj kohe përmblidhet në librin “Gjuha e stuhisë”, që bashkë me kolegun tim në QIK, Safet Zejnullahun, e botuam para 22 vjetësh. Gjuha e stuhisë e dëfton kohën por edhe tipin e shkrimit të Enver Malokut, të mprehtë, të qartë, të gjallë, shqip.
Të tillë e kujtoj sot mikun tim, Enver Malokun, njeriun e kulturës shqipe që bëri luftën e vet për liri, pavarësi e demokraci të Kosovës deri në frymën e tij të fundit. Profetik është shkrimi i tij i mbramë për vitin 1998: “Viti i luftës 1998 dhe viti i lirisë 1999”.
Prishtinë, 11 janar 2024