Kritikuesit dhe mbështetësit e Islamit, aktualisht, kanë pikëpamje shumë ekstreme për njëri-tjetrin. Ata kanë vetëm një gjë të përbashkët: aftësinë për të qenë mohues arbitrarë, pa përfillur argumentin dhe arsyen.
Kontestuesit dhe mbrojtësit e Islamit, kanë dy problem fundamentale sa i përket kuptimit dhe definimit gnoseologjik e terminologjik të gjërave. Për pasojë, ata që kontestojnë Islamin, nuk është e qartë nëse e kontestojnë atë si besim fetar dhe sistem vlerash civilizuese, apo i kontestojnë devijimet e ndryshme, si të natysës së praktikmit të këtij besimi, ashtu edhe të dukurive të ndryshme manifestuese dhe përfaqësuese?
Ndërkaq, mbrojtësit e Islamit ende nuk është e qartë se pse kanë nevojë të bëhen avokat edhe të devijime që paraqiten në vende e momente të caktuara nga ana e disa individëve e grupeve të papërgjegjshme, të cilët fshihen pas Islamit, duke imponuar një sistem sjelljesh dhe mendimesh që bien ndesh me kulturën, traditën dhe strukturën etno-psikologjike shqiptare.
Kritikuesit dhe mbështetësit e Islamit, kanë pikëpamje shumë ekstreme për njëri-tjetrin. Ata kanë vetëm një gjë të përbashkët: aftësinë për të qenë mohues arbitrar, pa përfillur argumentin dhe arsyen. Prandaj ata e kanë vështirë të mobilizojnë një masë kritike që do të gjykonte drejt për këto problematika dhe për rrjedhojë ky debat ka nevojë për një tjetër metodologji dhe një tjetër qasje më argumentuese.
Projektimi i kundërshtarit si armik që duhet asgjësuar dhe mosgjetja e argumenteve për ta sjellë debatin në rrafsh idesh e jo në atë përplasjesh edhe më të theksuara, ka bërë që publiku më tepër të hutohet se sa të sqarohet, më tepër të frikësohet, se sa të kthjellohet. Debatuesit, të ardhur nga formime e shkolla të ndryshme ideore e kulturore, i kanë rënë fortë tezës mbi ndikimin e modeleve të huaja në sjelljen tonë kolektive dhe për rrjedhojë shpërfytyrimin e identitetit tonë nacional, mirëpo ata pavetëdijshëm kanë rënë në grackën e të qenit vet model përçarjeje.
Në radhë të parë, për problematikat fetare po flasin njerëz jokompetent, ose me njohuri gjysmake mbi historinë dhe sociologjinë e religjionit, të cilët pastaj po kanë probleme fundamentale të mbrojnë qëndrimet dhe tezat e tyre në ballefaqim me ndonjë përfaqësues të klerit.
E dyta, për problematikat fetare po flasin ateistë, të konvertuar dhe besimtarë pasiv, të cilët po shikohen me njëfarë dyshimi nga njerëzit e proviniencave të ndyrshme.
E treta, mohuesit e njërit, apo religjionit tjetër, kritikën e zhvillojnë duke i barazuar devijimet e caktuara me vetë religjionet si doktrina dhe si besime.
E katërta, shumica e kritikuesve vijnë prej taborëve që nuk kanë ndonjë interaksion social e kulturor gjithaq të zhvilluar me mjedisin ku sillen e veprojnë.
Kritikuesi më i mirë i devijimeve brenda një etnie a religjioni, është ai i cili i takon asaj etnie a religjioni. Në momentin kur eksponenti i një religjionit kritikon devijimet e religjionit tjetër, aty zë fill keqkuptimi dhe kritika sado e pjekur dhe objektive të jetë, sërish perceptohet si e ngyrosur dhe me një intonim disi të pabalancuar.
Te ne nuk po ndodhë që eksponentët e Islamit të flasin me tone kritike për paraqitjet dhe dukuritë devijuese në religjionin e tyre.
Kështu po ndodhë edhe me eksponentët e ortodoksisë dhe katolicizmit.
Si të spjegohet fakti që kemi një armatë të tërë kritikuesish të cilëve, bie fjala, u bën përshtypje, paraqitja e ndonjë kleriku mysliman nga bota arabe në ndonjë ceremoni të këtushme fetare, por nuk iu bën kurrfarë përshtypje shërbesa disadekadëshe e një kleriku të huaj (me qëndrim jogjithmonë miqësor ndaj shqiptarëve) në krye të Kishës Ortodokse të Shqipërisë (!).
Keqkuptimi kryesor që po ndodhë lidhet me qëndrimin natë e ditë qafëpërpjetë e majegishtave për të pa në oborrin e huaj një kashtë të hollë dhe për të mbyllur sytë para një trau në oborrin tënd.
Për modelet e stërkequra të ardhura nga Lindja në mjediset tona, bie fjala, më tepër kanë folur kritikuesit e Islamit, se sa vetë imamët dhe besimtarët e devotshëm të këtij religjioni.
Kur vie puna të denoncosh ata djemë të ri me mjekrra që rekrutohen nga shtabe misterioze për të vra njerëz në emër të një kauze gjoja fetare, ose ndonjë imam që predikon kuturu se puna në armatë dhe polici është haram, ose ai tjetri që ndan “viza” për parajsë, duke i klasifikuar të merituarit dhe të pamerituarit, atëherë shumë “gardian” të Islamit që flasin shqip nuk po arrijnë të ndajnë shapin nga sheqeri. Nuk po arrijnë të mbrojnë Islamin nga devijimet që po paraqiten nga vet përfaqësuesit e këtij besimi, sepse atyre si duket po iu mungon guximi dhe kurajoja qytetare që të konfrontohen me këto struktura radikale që janë futur si ushujza brenda Islamit. Ata, me këtë oportunizëm të skajshëm, po i bëjnë një shërbim shumë të keq vet islamit, duke mbrojtur diçka që nuk mund të mbrohet, ose duke fshehur diçka që duket nga avioni. Ata që mbrojnë radikalizmin islam, nuk kanë të drejtë t’i akuzojnë të tjerët për islamofob, ashtu siç këta të fundit nuk kanë të drejtë të vëjnë shenja barazimi në mes të Islamit dhe radikalizmit të tij. Këta të fundit nuk kanë të drejtë të vënë shenja barazimi në mes të Islamit si besim dhe myslimanëve si popuj të ndryshëm, të edukuar sipas shkollave të ndryshme juridike që mund të mos kenë shumë pikëtakime me kulturën tonë të lashtë iliro-shqiptare.
Përqindja e atyre që po debatojnë mbi problematikat fetare është shumë e vogël, kurse e atyre që po bëjnë sehir, është shumë e madhe. Në këto rrethana është e pamundur të krijohet ndonjë masë kritike që do t’iu jepte përgjigje dilemave që imponon koha.
Në frymën çfarë po zhvillohen këto polemika e këto përplasje, ndoshta është më mirë që nuk ka një përfshirje më masive të publikut dhe kjo flet, megjithatë, për një pjekuri të njerëzve që të mos iniciojnë tema të cilat më tepër sjellin përçarje se sa mirëkuptim, më tepër ndezin motorët e polarazimive se sa çelin shtigje të mirëkuptimit.
Një përgjigje më të pjekur kësaj atmosfere polarizuese dhe paragjykuese, mbase do t’i jepte një qasje krejt tjetër, që në thelb do të kishte debatin konstruktiv e shkencor, të hapur dhe argumentues, ku nuk do të kishte vend për improvizime dhe për amatorizma të natyrave të ndryshme. Ky debat ka nevojë për njerëz e institucione që do të angazhoheshin në shtigje afatgjata dhe të menduara shtruar e mirë, sepse nëse zhvillohen kështu gjërat ka rrezik që në një të ardhme të afërt të bëhemi peng të paaftësive tona për të menaxhuar drejt bebatin publik dhe efektet që prodhon ai.
Shkup, 30 tetor 2023