Një delegacion ish-ambasadorësh të Shteteve të Bashkuara do të vizitojë Shqipërinë, Kosovën, dhe Maqedoninë e Veriut

Intervistë me Ambasadorin Timothy A Chorba, President i Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, përpara nisjes për në Ballkan

Ambasadori Timothy A Chorba, President i Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë

Nga Ruben Avxhiu

Më 5 maj, një delegacion i Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë do të vizitojë Ballkanin Perëndimor, me ndalesa në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Delegacioni do të kryesohet nga Presidenti i Këshillit, Ambasadori Timothy A Chorba.

Këshilli është një institucion që mbledh ambasadorë jo të karrierës të Shteteve të Bashkuara. Ai numëron më shumë se 200 anëtarë, me një thesar kolektiv përvoje ambasadoriale që shtrihet mbi gjashtë dekada, në shërbim të njëmbëdhjetë presidentëve të SHBA-së.

Presidenti Timothy A. Chorba, i cili do të drejtojë delegacionin që po vjen në rajon, ka shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Singapor nga viti 1994 deri në vitin 1998. Ai e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij si Partner në firmën e njohur ligjore në Uashington, Patton Boggs, ku ka punuar që në vitin 1977.

Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë është një ide e thjeshtë por gjeniale që grumbullon dhe institucionalizon përvojën e jashtëzakonshme të fituar nga vitet e shërbimit në poste të rëndësishme diplomatike në mbarë botën. Ky institucion ofron mbështetje të drejtpërdrejtë për Departamentin e Shtetit dhe Drejtuesit e Misioneve diplomatike amerikane në botë, “sponsorizon bursa për zhvillimin e liderëve të rinj për karrierë në diplomacinë publike dhe çështjet ndërkombëtare, si dhe zhvillon konferenca gjashtëmujore për anëtarët e Këshillit me tema nga çështjet aktuale ndërkombëtare.

Këshilli zhvillon diskutime të anëtarëve në tryeza të rrumbullakëta me ambasadorët e huaj në Shtetet e Bashkuara, organizon misione për mbledhje faktesh nga terreni jashtë shtetit, boton një revistë, dy herë në vit: “American Ambassadors Review”, administron platformën dixhitale të Këshillit “Ambasadorët Amerikanë Live!”, për komente mbi punët e jashtme dhe edukon publikun lidhur me çështje të politikës së jashtme që prekin interesin kombëtar”. (Më shumë rreth Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë mund të lexoni këtu: https://www.americanambassadors.org/

Ambasadori Çorba u zgjodh President i Këshillit në vitin 2012. Krahas punës së tij të madhe si ambasador, ai numëron vite të shumta përvoje në praktikën juridike ndërkombëtare të korporatave, duke përfshirë marrëdhëniet me qeverinë, çështjet e politikave publike, transaksionet tregtare, çështjet tregtare, luftën kundër falsifikimit dhe kopjimit të prodhimeve, çështjet rregullatore, procese gjyqësore dhe financime, duke u shërbyer ndërmarrjeve shumëkombëshe amerikane dhe evropiane që bëjnë biznes në Amerikën e Veriut, Evropën Perëndimore, Amerikën e Jugut dhe Azi.

Ai u diplomua shkëlqyeshëm, magna cum laude dhe Phi Beta Kappa në 1968, nga Universiteti “Georgetown” në degën e Qeverisjes. Në vitet 1968-1969, studioi me Bursën “Fulbright” të Drejtën Ndërkombëtare dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin e Heidelbergut në Gjermani. Mbaroi studimet me një Doktoratë Juridike Universiteti i Harvardit në vitin 1972 dhe kaloi provimin për Avokat në Nju Jork në vitin 1973. Nga 1968 deri në 1986, shërbeu si officer rezervist i armëve të rënda në Ushtrinë Amerikane, duke arritur gradën Major.

Ambasadori Çorba lindi më 23 shtator 1946, në qytetin Yonkers, të  shtetit të Nju Jorkut dhe u rrit në Qytetin e Nju Jorkut, ku u diplomua në shkollën e mesme “Regis”. (Mund të lexoni më shumë rreth jetës së tij këtu: https://www.americanambassadors.org/members/timothy-a-chorba)

Ai ka vizituar Shqipërinë në të kaluarën pas një ftese të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë dhe të dy këshillat kanë ndërtuar një marrëdhënie pune. Gjatë kësaj interviste ai e çmoi shumë Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë, cilësinë e përbërjes dhe potencialin e tyre për të ndihmuar në fushën e diplomacisë dhe sigurisë në rajon.

Ambasadori Çorba pranoi me dashamirësi ftesën tonë për një intervistë me gazetën “Illyria” përpara udhëtimit të tij në Ballkan.

Tridhjetë vjet më parë, Ambasadori Timothy A Chorba (djathtas), në fushën e golfit, me Presidentin e atëhershëm Bill Clinton.

 

Ambasador Çorba, faleminderit për mundësinë e kësaj interviste me gazetën “Illyria”. Gjatë gjithë jetës suaj keni qenë i përfshirë në çështjet ndërkombëtare dhe për më shumë se një dekadë jeni duke shërbyer si President i Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë. Cilat janë disa nga kontributet e Këshillit që ju bëjnë më shumë krenar?

Ndër kontributet e Këshillit për të cilat ne jemi më krenarë është programi ynë i Bursës Annenberg, i cili ofron programe akademike dhe mentorim ambasadorial për pjesëmarrësit në programin e praktikantit të kolegjit të Departamentit të Shtetit. Ky është një investim për të rinjtë universitarë më premtues të sotëm, nga të cilët do të dalin udhëheqësit e ardhshëm të Amerikës në arenën ndërkombëtare. Një tjetër nga programet tona është Bursa Davis, e cila ofron mentorim, si dhe trajnim në Universitetin e Kalifornisë Jugore për oficerët e Shërbimit të Jashtëm të SHBA-së që punojnë në çështjet publike.

 

Edhe ne kemi në Shqipëri Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë me të cilin duket se keni vendosur marrëdhënie bashkëpunimi. Cila është përshtypja juaj për këtë Këshill dhe cili është potenciali i tyre për të ndihmuar diplomacinë shqiptare dhe kauzën e paqes dhe përparimit në rajon dhe më gjerë?

Më kanë bërë shumë përshtypje përkushtimi dhe cilësia e lartë e anëtarëve të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë të cilët i kam njohur në Tiranë si dhe në SHBA. Ambasadori Genci Mucaj, i cili ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Turqi dhe si këshilltar për punët e jashtme i Presidentit të Shqipërisë, ka qenë një forcë shtytëse e palodhur në Zhvillimin e organizatës. Anëtarët e Këshillit janë shumë të arsimuar si dhe me përvojë dhe të sofistikuar në diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare. Këshilli dhe anëtarët e tij kanë potencial të madh për të përfaqësuar interesat e Shqipërisë dhe për të kontribuar në kauzën e paqes dhe përparimit jo vetëm në Ballkan, por edhe përtej rajonit. Shqipëria duhet të jetë krenare për këtë organizim.

 

Ju e keni vizituar Shqipërinë më parë, por tani po filloni një mision të ri në rajon. Cili është qëllimi i këtij turneu? Cili do të jetë itinerari kryesor dhe disa nga personalitetet që do të takoni?

Qëllimi i misionit tonë është të njohim delegacionin tonë të ish-ambasadorëve të SHBA-së me çështjet kryesore politike në rajon si dhe me historinë dhe pritshmëritë e tij për të ardhmen e tre vendeve që do të vizitojmë, përkatësisht Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ne presim takime me ambasadat tona të SHBA-së në ato vende, si dhe me udhëheqësit e tyre të lartë politikë si dhe komunitetet e tyre diplomatike rezidente.

 

Si do ta vlerësonit marrëdhënien mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë? Çfarë do t’u sugjeronit atyre që punojnë për të përmirësuar dhe forcuar këtë marrëdhënie?

Këto pyetje janë disi të parakohshme, pasi delegacioni ynë nuk gëzon ende një njohje të thellë me Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, që shpresojmë ta përftojmë nga misioni ynë në rajon. Natyrisht, SHBA vlerëson mbështetjen e Shqipërisë si anëtare e NATO-s për rezistencën e kësaj organizate ndaj sulmit rus kundër Ukrainës, si dhe për ndihmën e Shqipërisë në strehimin e refugjatëve afganë në vazhdën e kolapsit tragjik të atij vendi. Kohët e fundit kam vënë re se interesi amerikan për të vizituar Shqipërinë është rritur me 57% këtë vit; mesa duket fjala për orientimin pro-amerikan të Shqipërisë po përhapet qartë në publikun amerikan.

 

Në nivel personal, nëse keni pak më shumë kohë: Pse zgjodhët të studioni dhe të punoni në çështjet ndërkombëtare? Sa e rëndësishme ishte kombinimi i arsimit tuaj me një diplomë juridike?

Pyetja juaj është një pyetje shumë e mirë që më bën të reflektoj mbi jetën time duke nisur nga gati gjashtëdhjetë vjet më pare, në kohën kur vendosa të ndiqja shkollimin tim universitar në Universitetin Georgetown në Uashington, D.C. Duke u rritur në Qytetin e Nju Jorkut, një qytet vërtet botëror në të cilin fliteshin të paktën tetëdhjetë gjuhë dhe ku kulturat dhe ambiciet e emigrantëve ishin normalitet, interesi im u zhvillua natyrshëm për të gjetur në botën e gjerë të çështjeve ndërkombëtare të ardhmen time. Universiteti “Georgetown” më dha mundësi për të hyrë në atë botë, shtoji këtu edhe një arsim të shkëlqyer në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe gjuhën gjermane, stazhet e korporatave në Stokholm dhe Mynih, si dhe një bursë Fulbright në Universitetin e Heidelbergut.

Sa i përket studimeve pasuniversitare për një diplomë juridike në Harvard, është e rëndësishme të mbani mend se ndryshe nga sistemet arsimore të shumicës së vendeve të tjera, në SHBA nuk je i detyruar të përqendrohesh në një fushë të ngushtë të ligjit, që në fillimet e arsimit universitar. Në vend të kësaj, katër vitet e kolegjit ofrojnë ekspozim të gjerë në një sërë disiplinash akademike, duke përfshirë gjuhët, historinë, filozofinë, shkencën, biznesin dhe letërsinë. Kurse pas kolegjit, mund të zgjedhësh të fillosh studimin më të përqendruar trevjeçar në drejtësi. Nga ana tjetër, arsimimi im juridik përfundimisht më hapi rrugë duke përfshirë punën në Kongresin e SHBA-së, Bundeshtagun gjerman, si dhe fillimisht në Wall Street, përpara se të transferohesha në Uashington, duke u specializuar përfundimisht në të drejtën ndërkombëtare tregtare duke përfaqësuar interesat e klientëve shumëkombësh si këtu në SHBA ashtu edhe jashtë saj. Diploma ime e drejtësisë në Harvard hapi rrugën për emërimin tim përfundimtar si ambasador i SHBA-së. Me të vërtetë më mundësoi “të shoh botën”, siç thotë një fjalë e urtë.

 

Cilat janë disa nga mënyrat se si ka ndryshuar konteksti në çështjet ndërkombëtare që nga koha kur keni filluar karrierën tuaj? Çfarë do t’u sugjeronit të rinjve që aspirojnë t’i bashkohen trupit diplomatik në ditët e sotme ose ëndërrojnë për një karrierë në drejtësi dhe çështjet ndërkombëtare?

Ndryshimi më i dukshëm në çështjet ndërkombëtare gjatë pesëdhjetë viteve të fundit ka qenë zhvillimi i telekomunikacionit dhe evolucioni i internetit. Për shembull, pesëdhjetë vjet më parë, telefonatat e brendshme dhe ato ndërkombëtare ishin të shtrenjta dhe nuk kishte celularë. Në të kundërt, sot me telefonat celularë komunikimi në mbarë botën është i disponueshëm, në çast, dhe i lirë. Me internetin, tërësia e njohurive, historisë dhe përvojës së grumbulluar të njeriut është në dispozicion, në majë të gishtave për këdo, vërtet në çdo moment. Po kështu, me email dhe mesazhe me tekst, komunikimi asinkron ndërpersonal ka rritur në mënyrë eksponenciale efikasitetin e komunikimit.

 

Kam vënë re marrëdhënien tuaj me Yonkersin dhe Nju Jorkun. Ekziston një komunitet i fortë shqiptaro-amerikan në Westchester. A keni ndonjë lidhje apo ndonjë përvojë me anëtarët e komunitetit tonë?

Që të jem i sinqertë, nuk kam. Unë kam lindur në Yonkers sepse mjeku obstetër i nënës sime kishte privilegje pranimi në Spitalin e Përgjithshëm Yonkers, por pak pasi linda atje më sollën në Bronksin e Veriut ku jetonin prindërit e mi dhe babai im ishte kirurg dhe mjek i përgjithshëm. Në vitet 1990, vumë re shqiptarët që po vendoseshin në atë pjesë të qytetit të Nju Jorkut, por më parë – dhe sigurisht kur isha djalë i ri– emigracioni shqiptar nuk ishte i dukshëm.

 

Çfarë roli mund të luajnë shqiptaro-amerikanët për të ndihmuar marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, Kosovës dhe “lagjes shqiptare” në rajon?

Duke perifrazuar Presidentin John F. Kennedy, roli më i vlefshëm që mund të luajnë shqiptaro-amerikanët është të jenë amerikanë të mirë dhe të përqendrohen në edukimin e fëmijëve të tyre. Sa më shumë që të përparojnë ekonomikisht shqiptaro-amerikanët këtu në SHBA, aq më e madhe është mundësia që ata të investojnë sërish në Shqipëri, Kosovë dhe “lagjen shqiptare”, duke kontribuar kështu në zhvillimin ekonomik të Ballkanit dhe forcimin e këtyre vendeve. Nga ana tjetër, përmirësimi dhe prosperiteti ekonomik rrisin përkushtimin ndaj demokracisë.

 

Gjatë një prej udhëtimeve të tij: Eksplorimi i maleve të Skocisë.