Dita e Përkujtimit (Memorial Day) në Amerikë
Shqiptarët e festuan Ditën e Dëshmorëve më 5 maj, ndërsa këtë vit amerikanët e festojnë Diten e Përkujtimit (Memorial Day) më 27 maj. E hëna e fundit e majit të çdo viti, në Amerikë është e njohur si Memorial Day, ose Decoration Day (Dita e Përkujtimit, Dita e Zbukurimit), është festë federale, ditë kur populli amerikan nderon dhe shpreh falanderimet për të gjithë ata që kanë rënë, kanë flijuar jetën gjatë shërbimit në forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo festë nga viti 1868 e deri në vitin 1970 është festuar më 30 maj. Gjithashtu, shënon edhe fillimin jozyrtar të sezonit të pushimeve verore. Në këtë ditë shumë njerëz i vizitojnë varrezat dhe memorialet e ndryshme, posaçërisht për të nderuar ata që kanë vdekur gjatë shërbimit ushtarak. Vullnetarë të shumtë e vendosin nga një flamur amerikan në secilin varr në varrezat kombëtare. Organizohen parada, takime me veteranët, koncerte e shumë veprimtari të tjera përkujtimore, kulturore e artistike. Në parkun e godinës së Kongresit Amerikan organizohet një koncert madhështor me pjesë muzikore me motive atdhetare (patriotike), nderohen ata që kanë sherbyer dhe janë duke shërbyer në forcat e armatosura amerikane. Ndërsa Presidenti i ShBA-ve në mënyrë solemne e në prani të një numri të madh të qytetarëve, familjarëve të dëshmorëve e vendos një kurorë në Varrin e të Panjohurve ne Varrezat Kombëtare në Arlington (afer Uashingtonit).
Dita e Dëshmorëve në Shqipëri
Po ashtu, edhe në Shqipëri bëhen vizita, vendosen kurora në varrezat e dëshmorëve, vizita në familjet e tyre. Kjo datë eshte kundërthënëse, sepse lidhet me 5 majin, ditën kur është vrarë njëri nga krerët komunistë shqiptarë, Qemal Stafa. Ka mjaft fakte e dëshmi se atë e kishin tradhtuar shokët e tij dhe vetë Enver Hoxha, për motive të ulëta – çështje dashuriçkash apo konkurence. As Qemal Stafa dhe asnjë shqiptar e asnjë qenie njerëzore nuk duhet të ndahet nga kjo botë nga shkaqe jonatyrore. Me përcaktimin e kësaj date si “Dita e Dëshmorëve”, regjimi komunist, si edhe në çdo rast tjetër, ka vënë në plan të parë vetëm luftën e tyre, thua se shqiptarët kurrë nuk paskan luftuar gjatë historisë së tyre shumëshekullore, por paskan pritur që të udhëhiqen nga dy nacionalistë serbë: Milladin Popoviqi e Dushan Mugosha. Gjatë asaj lufte ka patur mjaft episode heroike edhe nga persona që nuk kanë qenë të lidhur me Partinë Komuniste Shqiptare (PKSh). Ndërmend na vjen qëndresa heroike e Mujo Ulqinakut në ditën e parë të pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill të vitit 1939. Ndoshta nuk është mirë të bëhen krahasime të tilla, por rënja e Mujo Ulqinakut duket shumë më heroike. Ata që ranë në fushëbeteja, jo vetëm në luftën e fundit, por në të gjitha luftërat që ka bërë populli ynë që nga koha ilire e gjer në ditën e sotme, nuk e kanë flijuar jetën e tyre për një parti apo një ideologji të caktuar, por për Iliri, Arbëri, Shqipëri. Gjatë qëndrimeve të mia në Francë kam parë shumë pllaka (tabela) të rrugëve që mbanin emrat e të rënëve, dëshmorëve, ku shkruhej: “Mort pour la France” (“Ka vdekur për Francën”). Në Shqipëri kjo ditë në vend se të jetë një ditë bashkimi, një ditë reflektimi për të gjithë të rënët, kjo është bërë një ditë përçarjeje, sepse kryesisht nderohen, përkujtohen të rënët komunistë, apo thënë më mirë, të përvetësuar nga komunistët.
Një Ditë e Dëshmorëve për të gjithë të rënët
Festat, përkujtimet në shkallë kombëtare duhet të kenë një karakter gjithëkombëtar, të bashkojnë gjithë kombin dhe jo ta përçajnë ate, duke bërë ndasira, se vetëm dikush paska luftuar për Shqipëri, ndërsa të tjerët jo. Prandaj, sikurse në Amerikë, është mirë që të caktohet një Ditë e Dëshmorëve, Ditë e Përkujtimit, ku populli përkulet me respekt për të nderuar flijimin e tyre për atdhe, në të gjitha luftërat që ka bërë populli ynë ndër shekuj, ditë që nuk lidhet me asnjë ngjarje, asnjë individ të caktuar. Sidomos, me ndonjë individ apo ngjarje që është kundërthënëse (kontraverse) dhe që nuk është e pranuar nga të gjithë shqiptarët. Pra, siç e cekëm në fillim të këtij shkrimi, në Amerikë Dita e Përkujtimit (Memorial Day) çdoherë festohet të hënën e fundit të majit dhe nuk është e lidhur për asnjë luftë, betejë, individ të caktuar. Por, nëse ndodh që në Shqipëri për këtë ditë të zgjidhet një akt heroik i ndonjë lufte të caktuar, atëherë duhet të përcaktohemi për një luftë, për një individ që gëzon përkrahjen, adhurimin e gjithë kombit, që nuk lidhet me asnjë parti e ideologji jokombëtare e përçarëse, por që lidhet vetëm me Shqipërinë e shqiptarizmin. Ky do të ishte një hap i duhur i Shqipërisë për t’u larguar nga e kaluara e saj komuniste. Shumë vende si simbol, si përmendore të ditës së të rënëve kanë zgjedhur varrin e një ushtari të panjohur, por që përfaqëson të gjithë të rënët për atdhe. Në dorën e Përmendores (Monumentit) “Nëna Shqipëri” në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë ende qëndron ylli pesëcepësh – simboli kombëtar i shqiptarëve është shqiponja dykrenore dhe jo ylli pesëcepësh i komunizmit.
Të jetësohen idealet e shenjta të dëshmorëve të kombit
Një vend, komb që nuk i nderon ata që për lirinë e tij e kanë bërë flijimin maksimal, përfundimtar, nuk mishëron kurrëfarë vlera morale e njerëzore. Madje as nuk e meriton të quhet komb, shtet. Po ashtu, duhet të jetë e papranueshme që një parti, qeveri t’i shfrytëzojë aktet heroike të dëshmorëve të kombit për të fituar poena politike, për të arsyetuar, përligjësuar regjimin e tyre, siç bëri regjimi komunist në Shqipëri për afër gjysëm shekulli. Regjimi komunist me hipokrizinë e tij, në sipërfaqe u bënte nder dëshmorëve duke vënë kurora në varret e tyre, duke vizituar familjarët e tyre, por e përdhosi testamentin, amanetin e tyre për të ndërtuar një Shqipëri të lirë e demokratike dhe jo një ferr mbi dhe. Diktatura i nderonte të rënët, sepse ata ishin nën dhe, të parrezikshëm për të, por ndryshe sillej me ata që mbetën gjallë. Diktatori Hoxha me nuhatjen (instiktin) e tij paranoike i zhduku nga faqja e dheut dhe nga faqet e historisë gati të gjithë shokët e tij, madje duke i lënë edhe pa varre.
Prandaj, kombi ynë ka nevojë për një Ditë të Dëshmorëve, Ditë të Përkujtimit për të nderuar të gjithë ata që e flijuan jetën për lirinë e çdo pëllëmb të tokës shqiptare, në të gjitha luftërat që ka bërë populli ynë për liri e pavarësi. Të gjithë, edhe Qemal Stafen me shokët e tij. Por, të jetë edhe një ditë për të reflektuar e për t’u zotuar për t’i zbatuar në jetë idealet e tyre të shenjta. Askush te mos thirret në emër të dëshmorëve, të shfrytëzojë lavdinë e tyre për interesa vetjake (personale), për t’i mbuluar paaftësitë, krimet e tyre. Lavdi e përjetshme të gjithë dëshmorëve të kombit tonë!
Filadelfia, 24 maj 2019
Sadik Elshani është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.