21 shkurti njihet si Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare. Për herë të parë ajo u festua nga Organizata Albanian American Dual Language & Culture dhe shkolla shqipe Children of the Eagle me themeluese dhe drejtuese Zonjën Drita Gjongecaj rreth dy vjet më parë. Ishte një tribut dhe manifestim i miqve të kësaj shkolle ku nxënës, mësues, prindër dhe miq të shumtë festuan dhe gëzuan së bashku. Këtë vit festimet kulmuan në një event gala me pjesëmarrjen speciale të tenorit shqiptar Riad Ymeri i cili performoi me fëmijët dy himnet tona, atë amerikan dhe shqiptar dhe më pas ai këndoi vargjet e Naim Frashërit, “Fjalët e qiririt”, kompozuar nga Limoz Dizdari.
Nuk mungoi në këtë event edhe një prezantim konçiz i zonjës Marjana Bulku e cila në fjalën e saj hyrëse panoramizoi veprimtarinë e AADLC dhe shkollës Children of the eagle, e cila në fare pak vite jetë i ka sjellë kaq shumë cilësi edukimit në gjuhën shqipe si dhe komunitetit shqiptaro-amerikan përmes Seminarit të përvitshëm mbi Metodat dhe perspektivat e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë, Piknikut veror, trajnimeve online të networkut të mësuesve të gjuhës amtare në disa kontinente, etj. Vëmendje të vecantë ato i kanë kushtuar edhe veprimtarive të përbashkëta me Vatrën, Televizionin Kultura Shqiptare (ACTV), Konsullatën e Kosovës në NY, organizatën Motrat Qiriazi (AAWO), Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë, Sigal Group Austria, partnershipe këto që janë zgjeruar së fundmi me shoqatën Skënderbej, Shoqatën Humanitare Shqiptaro-Amerikane “Duart e Hapura” (AAOHA) dhe OJQ Arta Prishtinë.
Nëpërmjet këtyre partnershipeve AADLC ka dalë më e fortë dhe natyrisht që përfitues janë nxënësit e shkollës Children of the eagle, të cilët zgjerojnë diapazonin e njohurive përmes veprimtarive të shumta që shkolla zhvillon përtej orëve të mësimit fundjavave.
Pastaj fjalën e mori themeluesja dhe drejtuesja, zonja Drita Gjongecaj, e cila theksoi ndërmjet të tjerash: “Në këtë ditë ne vlerësojmë mundësinë që na jepet të ruajmë gjuhën, kulturën, identitetin dhe krenarinë kombëtare edhe këtu në Amerikën e largët; me anë të gjuhës ne vazhdojmë të shprehim shpirtin e kulturën tonë unike, prandaj edhe një herë riafirmojmë përkushtimin tonë maksimal ndaj punës për përcimin e vlerave më të bukura shqiptare e rrjedhimisht të një prezantimi dinjitoz të shqiptarëve këtu dhe kudo në botë”.
Festa gala kishte prezent zërat e fëmijëve; ata ishin protagonistët e kësaj dite me këngët, vallet, recitimet.
Nuk do t’i mungonte këtij organizimi Vatra me përfaqsuesit e saj Asllan Bushati dhe Presidenti i saj i Nderit, zoti Agim Rexhaj i cili në fjalën e tij theksoi se ndjehej i privilegjuar të jetë mes fëmijëve në festimet për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare. Ai tha se ishte thellësisht mirënjohës që kjo ditë po shndërrohej në festë dhe traditë ku gjuha shqipe, simbol i yni përbashkues është edhe kryefjala e veprimtarive të përditshme.
Z. Agim Rexhaj iu drejtua të pranishmëve edhe si qytetar por edhe si vatran i kahershëm që çmon dhe nderon kontributin e shkollës shqipe Children of the eagle e cila kontaktet me Vatrën i ka ruajtur si të shenjta. Ato datojnë me fillimet e veprimtarisë së kësaj shkolle e cila i ka sjellë komunitetit kaq shumë risi dhe vlera këto 10 -vjet.
Falë zonjës Drita,-theksoi ai-nxënësit u afruan në Vatrën tonë, duke iu rrëfyer atyre mbi historinë e saj mbishekullore që e mbrojti atdheun me pendë mendimtarësh në çdo kohë.
Rexhaj gjithashtu theksoi, “Partnershipin tuaj me Vatrën e shoh si një investim për të ardhmen e Vatrës por edhe si garanci për marrdhëniet tona sistematike me kulturën, historinë, vlerat e trashëguara gjuhsore e intelektuale”.
Nuk mungoi falenderimi i përzemërt për mësuesit e Children of the Eagle dhe të gjithë kontribuesit që kohën e tyre të shenjtë e ndajnë mes fëmijëve dhe gjuhës shqipe duke e ruajtur dhe trashëguar atë për brezat që rriten larg atdheut në mënyrë që të mos e harrojmë kurrë gjuhën amë.
“Asgjë më shumë sesa gjuha shqipe nuk na bën dot bashkë dhe ky është një shërbim patriotik dhe intelektual që i bëni kombit për të sotmen e mbi të gjitha për të nesërmen”, e mbylli fjalën e tij Presidenti i nderit i Vatrës, zoti Agim Rexhaj.
Në këtë takim festiv dhe simbolik nuk munguan vlerësimet që stafi drejtues i AADLC kishte menduar të ndante me miqtë e saj.