EDUARD E. ZENELAJ ringriti kujtesën e Masakrës në TEQEN e RABIJES
Nga Tajar DOMI
Tashmë dihet se historia shqiptare e kontributeve më të mëdha ndaj vendit , vecanërisht që nga rilindasit e pas tyre , përfaqësohet nga emra e figura kombëtare të larguar e të shkolluar jashtë tij. E lista e tyre është e pa mbarimtë. Kjo , për arësye të ndryshme , por më kryesorja është se largësia nga vendlindja e mungesa e saj në cdo hap në vendin e ri , të rrit dashurinë e nostalgjinë për të , duke u shoqeëruar më deshirën e zjarrtë për ta parë Atdheun , vendin tënd të lindjes e njerëzit e atjeshem të një gjaku , të jenë sa më mirë e të lumtur , mundësisht të përparojnë aq sa të mund të udhëheqin jo vetëm veten por edhe të tjerët.
Për hir të së vërtetës koha e sotme shohim që po jetohet e po udhëhiqet gjithnjë e më pak nga idealistët e patriotët . Sot kjo shtresë megjithëse jo e shumtë në numër e kësaj shoqërie , ulen e ngrihen , bien e zgjohen me llogarinë e fitimeve të të ardhurave të tyre të shumta nëpër banka , duke mos treguar asnjë pikë interesi për të tjerët përfshi edhe për vëllazerinë e tyre dhe jo më për vendlindjen . Kjo pjesë lëshon vetëm “ gurë pas “ , por nga ana tjetër me statuset “ patriotike “ të tyre në FB , në mediat e sotme të shumta , pretendojnë se këto mendime apo orientime janë të vlefshme e meritojnë të zbatohen sa hap e mbyll sytë . Shpesh këto lloj sugjerimesh kanë të bëjnë me plane fitim prurëse të mëdhaja financiare , duke rrëshqitur deri në tradhëti apo marrëveshje jo të drejta për kombin.
Krahas këtyre njerëzve , në Diasporë jeton pjesa tjetër e saj më e shumtë në numër , që ka më pak pasuri por të fituar ndoshta më me shumë mund se të parët , ndërsa zemra e tyre , tik-taku i saj dhe mendja , janë gjithnjë atje , në vendin e lindjes të cilin e kanë lenë për një jetë më të mirë diku tjetër.
Për bashkatdhetar të tillë këtu në Filadelfia , kemi shkruar e evidentuar vlerat e kontributet e tyre në komunitet , ndërsa në këtë shkrim do të prezantojmë një tjetër emër i cili për pak vite në Amerikë , e ka bërë të lexueshem e të respektuar veten e tij .
Eduardi ka lindur në fshatin Rabije të Tepelenës më 10 shkurt 1967 , por shpejt pas kësaj familja e tij u cvendos në Patos të Fierit , ku ai u rrit mbaroi edhe arsimin e mesëm në Teknikumin e Naftës. Përfundoi në vazhdim shkollën ushtarake dy vjecare të Zall – Herrit në Tiranë , ndërsa pas viteve ’90 – të kreu Universitetin “ Eqerem Cabej “ – dega Administrim Publik , në Gjirokastër.
Si shumica e brezit të tij , jeta e Eduardit dhe e familjes do të ishte në emigracion , për rreth 15 vite në Greqi e që nga 2015– ta cvendoset në Amerikë për të qenë edhe afër vëllait të tij i ardhur vite më parë këtu në Filadelfia . Sic tregon ai , në Greqi kemi punuar fort duke harxhuar kohën e duke konsumuar moshën tonë në gjithanshmërinë e saj , për të tjerët. Por Edi kujton dhe nuk i harron kurrë vitet 1998 – 1999 kur në Athinë e qytetet e tjera të Greqisë shqiptarët organizonin protestat në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës e kundër genocidit serb të Miloshevicit. Në këto tubime nuk mungonte edhe kontributi i bashkatdhetarit Eduard Zeneli.
Kështu , atdhetar i zjarrtë , kontribues në komunitet e dashamirës i bashkimit , u prezantua ai që në takimet e para në Filadelfia . Dëshiron që shqiptarët të jenë bashkë , falë kësaj mundësie që na krijon edhe shoqata atdhetare-kulturore “ Bijte e Shqipes “ këtu , me jetën e saj aktive e me shkollën ” Gjuha Jonë “ ku shumë nga fëmijtë tanë mësojnë gjuhën e bukur shqipe. Prandaj i shpërndan mendimet e vlerësimet e tij në biseda me grupe bashkatdhetarësh , duke theksuar se në Greqi nuk e kemi pasur në asnjë kohë një Qendër të tillë bashkuese të shqiptarëve.
Shpejt pasi u vendos në Filadelfia , Eduardi , u angazhua ne bisnesin e pasurive të paluajtshme , ndërsa së bashku me zonjën e tij Monika , administrojnë një shërbim për Home Care duke u ardhur në ndihmë edhe moshave të treta të bashkombësve të tyre.
U anëtarësua në shoqatën “ Bijte e Shqipes “ dhe u angazhua në shtimin e radhëve të saj me anëtar të rinj. Nga rrethi i tij shoqëror e miqësor kryesisht të rinj në moshë , shumë shpejt do ti kalonin 30 vetat që iu bashkuan numërit të madh të anëtarëve të kësaj shoqate. Në zgjedhjet e reja të këshillit të ri drejtues që u zhvilluan në prillin që kaloi , Eduardi së bashku me 5-6 emra të rinj nga komuniteti , intelektual e bisnesmen , u zgjodhën anëtar të këtij këshilli , duke i dhënë një hov të ri punës të kësaj strukture drejtuese të shoqatës .
Pra plot zell e dëshirë angazhimi i Edit për të bashkuar shqiptarët në “ Bijte e Shqipes” , duke iu bashkuar qëllimit e misionit të përbashkët që të trashëgojmë shumëçka nga historia , gjuha e kultura jone.
KOKA PAS , DREJT VENDLINDJES
Një atdhetari të tillë , vendlindja i rri varur si një torbë me kujtime por edhe duke e vëzhguar me shpirt e zemër se ku mund të jap sadopak kontribut . Gjatë kësaj kohe ai hodhi shikimin tek Obelisku qe i kushtohet masakrës në Teqen e Rabijes , në fshatin e tij të lindjes.
Në një bisedë me të pak kohë para se të nisej për në Shqipëri këtë verë , Edi më tregon disa foto nga celulari i tij , të një obelisku thuajse të shkatërruar e varrezat e të rënëve të rrafshuara . Nuk ka rrugë për të shkuar atje , dhe ai vend duket “ i vdekur për së gjalli “ bashkë me historinë e tij – thotë ai , pa e fshehur merakun e madh për këtë . Kam biseduar me kryetarin e ri të bashkisë Memaliaj dhe unë do të bëj financimin e kësaj historie , rehabilitimin e Obeliskut e të varrezave . Bashkia do të bëjë dicka për të hapur rrugën dhe së bashku tu japim sa më shumë jetë gjërave në atë vend . Ndihesh shumë keq , vazhdon Edi bisedën , kur shikon fshatin tënd të lindjes , dikur me mbi 200 shtëpi e rreth 1.500 banorë me një jetë të gumëzhimëshme , me rrugë , shkolla e kopshte, shërbim shëndetësor etj , të jetë kthyer në një vend pa jetë , ku edhe ata 100 frymë që jetojnë janë në një skamje të skajshme. Kështu mund të jenë shumë nga fshatrat periferik në Shqiperi , por secili qan të tijin dhe secili duhet të ktheje kokën andej nga vjen.
Keshtu gjithë vrull e deshirë , niset për të realizuar atë cfarë mendonte . Korriku 2023 e gjen në vendlindje. Organizohet puna dhe brenda 2-3 javësh , gjithcka ishte ndryshe : Obelisku i ngritur në përkujtim të të rënëve në masakrën e vitit 1943 në Rabije dukej madhështor tani pas restaurimit , ndërsa pllakat e varrezave ku ishte shënuar emri i cdo të rëni dukeshin sikur kishin jetë. Në traditën e përkujtimit të kësaj historie , edhe këtë vit qe ishte 80 vjetori i saj , ky përkujtim do të zhvillohej por më i zgjeruar e më me shumë krenari . Ishte bashkëfshatari i tyre , vëllai e miku , shqiptaro-amerikani Eduard Zenelaj që u solli emocione të shumta . Mbi 200 pjesëmarrës u mblodhën aty kokë lartë e të gëzuar , për ta falenderuar Edin e tyre, duke përkujtuar për të mos e harruar historinë e tmerrshme të ndodhur në atë vend 80 vite më parë . Kishin ardhur në këtë veprimtari bashkëfshatar nga fshatrat e zonës së Buzit e nga Mallakastra , pjesëtar të familjeve të dëshmorëve , drejtues të pushtetit vendor e shoqatave si kryetari i Bashkise Memaliaj z. Albert Malaj , kryetari i Bashkise Tepelene z. Termet Peci , prefekti i Fierit z. Lefter Shehaj , kryegjyshi boteror bektashian z. Haxhi – Dedej Edmond Ibrahimi , përfaqësuesi i shoqates “Deshmoret e Atdheut” z. Gjergji Velaj etj. Ishte aty edhe nipi i Ismail Qemalit , z. Qamil Vlora që ishte ftuar për të marrë pjesë , i cili i bën surprizën Edit me një takim të vecantë në Kaninë të Vlores , ku përvec pritjes me shumë pjesëmarrës , i dhuron për shoqaten “Bijte e Shqipes” një flamur kombëtar me histori të vecantë , në respekt të punës e përkushtimit të antarëve të saj për Atdheun.
PAK RRESHTA PER MASAKREN NË TEQEN E RABIJES
Ishte një vend ku predikohej bektashizmi , një teqe që kishte marrë emër dhe frekuentohej gjërësisht nga banorët e zonës . Ajo kishte disa dervishë dhe drejtohej nga kryedervishi Baba Abaz Memushi ( Rabija ) . Në vitet e luftes për clirimin e vendit gjatë pushtimit fashist e nazist të Shqiperisë ( 1939-1944) ajo ishte shëndruar në një qendër aktive të propogandës e pjesëmarrjes në këtë luftë clirimtare. Si pasojë e kësaj lidhje me luftën , pushtuesit italiane ndërmorën me dt 23 Korrik 1943 sulmin ndaj këtij objekti fetar duke kryer një nga masakrat me të mëdhaja në zonë si pasojë e të cilës , mbeten të vrarë 5 dervishë dhe 26 persona të tjerë . Ata ( pushtuesit ) dogjën e plackitën fshatin Rabije , duke lënë pas edhe viktima të tjera gjatë këtij operacioni fashist.
Përvec informacionit që më dha Edi rreth kesaj historie të përgjakshme , lexova për të edhe në disa artikuj , libra e biseda në mediat e ndryshme .
Kur mësova se Baba Abazi nuk pranoi të ndahej nga të tjerët në momentin e pushkatimit , mu kujtua edhe një masakër e tillë në fshatin tim të lindjes Ceren teë Dibres , 110 vite më parë , ku serbët dogjën e bastisën shtëpitë dhe morën prej tyre të gjithë burrat të cilët i pushkatuan së bashku në vendin që sot quhet “ Varret e Shehitëve “. Para se ti vrisnin , njëri prej tyre ( Ismail Hafuzi ) iu lut serbit katil që të lironin nipin ( djalin e vellait ) meqenëse ishte djalë i vetem dhe të sillte aty në vend të tij ,njërin nga djemtë , por breshëria e armës i hodhi në tokë të gjithë.
Pra , armiqtë e pushtuesit e këtij vendi , kanë qenë mizor e të njëjtë në sjelljen barbare ndaj shqiptarëve në cdo kohë e në cdo cep të trojeve tona. Ndërsa shqiptaret nuk i janë trembur kurrë vdekjes , kur ajo ka ardhur për mbrojtjen e atdheut , por aty kanë shprehur edhe njëherë krenarinë shqiptare dhe dashurinë , ndihmën e humanizmin për njëri tjetrin .
Lidhja e klerikeve te Rabijes me formacionet e luftes per clirimin e vendit e shëndrroi , këtë vend të shenjtë në një vatër atdhetare në një qendër mobilizuese të shumë banorëve të zonës që luftuan kundër bishës fashiste.
Sigurisht për meritat e tij , emri i Baba Abazit , u përjetësua në formacionin e rëndësishëm luftarak që u quajt “Batalioni Baba Abazi” për të cilin historia do të shkruante me bëmat e tij.
“ TUNDE O MALIQ RABIJA , KENDOJNE DJEMTE NGA LABERIA “.
Këto janë vargjet e këngës qe i janë thurur një emri e figure te rëndësishme të këtij fshati e të gjithë zonës së Buzit , gjyshit të mikut tonë Eduardit , të pa harruarit MALIQ ZENEL ZENELI . Shumë emocione u përjetuan me datën 10 gusht 2023 në Donie të Kalivacit , në festimin e 80 vjetorit të krijimit të Batalionit “ Baba Abazi “, dhe në përkujtimin e shumë atdhetarëve që kontribuan në mbrojtjen e Atdheut një pjesë prej të cilëve ranë heroikisht në këtë luftë.
Maliq Zeneli ishte një ndër organizatorët e krahinës së Buzit në tre luftërat , por në luftën e Vlorës të 1920 -ës ishte komandant i luftëtareve të kësaj krahinë , ndërsa në vitet e pushtimit fashist 1939 – 1944 ishte Komandant Vendi ku dha një kontribut të rëndësishëm atdhetar. Familja e tij i përkiste një shtresë jo të varfër të asaj kohe , por kishte një ekonomi të mirë , që përbënte një faktor jo të vogël për tërheqjen e banorëve në lëvizjen për clirim. Maliqi lindi në Rabije në vitin 1986 dhe vdiq në qytetin e Patosit më 2 Maj 1882 , duke lënë pas veprën e tij të lavdërueshme , dy herë i dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor , me datën 22 Mars 1950 me “ Medaljen e Kujtimit “ dhe me datën 31 Gusht 1970 me Medaljen “ Për veprimtari patriotike “. Ndërsa këtë vit ( 23 korrik 2023 ) , Bashkia e Memaliajt e shpalli Maliq Zenelin “ Qytetar Nderi “ të saj.
Jeta e tij , u jep trashëgimtareve të kësaj familje , midis tyre edhe Eduardit , krenarinë e ligjshme dhe detyrimin për ta vazhduar kontributin për vendin e lindjes . Eshte kjo trashëgimi e këtij trungu , që e bën pra bashkatdhetarin tonë në Filadelfia të jetë një emër i vlerësuar nga komuniteti , pasi tek ai janë formuar e demonstruar cilësi e aftësi , me një motivim atdhetar e bashkues , por edhe human e krenar , që së bashku më shumë të tjerë mundohen ti japin jetë një “Shqipërie të vogël “ në Filadelfia , dhe pa harruar asnjehere nga kemi ardhur.
Të lumtë Eduard Zeneli.
*Autori eshte Ish Kryetar i Shoqates
Bijte e Shqipes – Filadelfia
Filadelfia , 20 Tetor 2023