Fishkëllehet Rusia, duartrokitet Ukraina dhe vërshojnë mesazhet në mbështetje të tolerancës dhe lirisë
Festivali Eurovizionit është më shumë politikë se muzikë e kulturë, por përsëri mbi 100 milionë njerëz në botë nuk rrinë dot pa e ndjekur çdo vit. Këtë të shtunë, interesi ishte edhe më i madh dhe përsëri nuk kishte të bënte asgjë me këngën.
Ndërhyrja ruse në Ukrainë ka shokuar në veçanti vendet e Europës Lindore që kanë një histori raportesh të ndërlikuara me Rusinë. Shumë vëzhgues prisnin se si do të reagohej në sallën e madhe dhe në pikët vlerësuese të vendeve pjesëmarrëse. Disa parashikonin fitore të Ukrainës e të tjerë dënim me zero të pikë të Rusisë.
Në fakt, nuk ndodhi as njëra e as tjetra, por finalja e Eurovizionit u kthye gjithësesi në një sfidë ndaj Presidentit Vladimir Putin dhe regjimit të tij.
Më shumë se lufta në Ukrainë, ishte persekutimi që po u bëhet në Rusi homoseksualëve dhe denoncimet publike të festivalit nga politikanë rusë që ndikuan më së shumti në zgjedhjet e jurive dhe sentimentin mbizotërues në sallën e madhe të finales.
Simbol solidariteti u bë papritur Konçita Urst (Conchita Wurst) këngëtarja trans nga Austria e cila u shpall edhe fituese e Festivalit.
Kënga e Austrisë ishte mbase vërtet më e mira, por një nga arsyet që besohet se shtynë juritë dhe vendet pjesëmarrëse që të votojnë për të ishte pikërisht dhënia e një përgjigjeje kundër Putinit, jo edhe aq në fushën e politikës sesa në atë të lirisë dhe tolerancës.
Jo kudo në Europë ka të drejta të zhvilluara për pakicat e lartpërmendura dhe disa vende nuk kanë fare tradita tolerancë për lirinë e identitetit gjinor, por rasti i Rusisë ku shteti në mënyrë flagrante nxit persekutimin dhe dhunimin e kujtdo që guxon të dalë nga kallëpi i pranuar zyrtarisht është fare ekstremist dhe ka shokuar organizatat e të drejtave të njeriut.
Dy elemente ishin domethënëse në natën finale të Festivalit të Eurovizionit këtë vit. Vendet që votonin një pas një në favor të Austrisë dhe zhurma kundërshtuese në sallë kur përmendej emri i Rusisë. Sigurisht që dy motrat 17-vjeçare që përfaqësonin Rusinë nuk kanë faj për politikën agresore të vendit të tyre, por ato janë mjaft të pjekura për të kuptuar se protesta drejtohej kundër presidentit të tyre dhe jo atyre personalisht.
Nga ana tjetër, një vështrim më esëll i pikëve vlerësuese të dhëna nga juritë zbulon se kishte një dallim më të dukshëm mes vendeve të Lindjes dhe Perëndimit. Austria ishte votuar shumë në Perëndim dhe pak në Lindje, duke pasqyruar edhe botëkuptimet për lirinë e identitetit gjinor, në dy anët e ndara dikur nga Lufta e Ftohtë, po edhe nga faza të mëparshme të historisë.
Ja se sa pikë i dhanë Austrisë vendet lindore (munguan disa për arsye financiare dhe nuk janë përfshirë këtu vendet balltike):
Shqipëria 5
Armenia 0
Azerbajxhani 1
Bjellorusia 0
Maqedonia 3
Gjeorgjia 10
Hungaria 12
Moldavia 7
Mali i Zi 2
Polonia 0
Rumania 8
Rusia 5
Sllovenia 12
Ukraina 8
Juria e Rusisë me 5 pikët e saj duket se iu rebelua Presidentit Putin, ose e bëri një zgjedhje të ndërmjetme për të shmangur reagime të mëtejshme.
Vetë Konçita artikuloi në këtë mënyrë gëzimin e saj për fitoren, kur u ftua në skenë: “Kjo u kushtohet të gjithë atyre që besojnë në paqe dhe lirinë”. Në fakt shumica në civilizimin e ri europian besojnë se njerëzit duhet të kenë lirinë për zgjedhur vetë nëse duan të jetojnë si burra apo si gra. Ligjet që garantojnë këtë liri dhe niveli i të drejtave që rrjedhin prej saj variojnë nga vendi në vend, por minimum i domosdoshëm është liria për të zgjedhur vetë dhe jo të imponuar nga shteti.
Në fund të fundit, ajo që bashkoi europianët të shtunën në darkë nuk ishte propagandimi i një stili të jetesës por i lirisë për të zgjedhur, i parimit që vetë njeriu dhe jo shteti cakton identitetin e vet personal. Kjo është në fund të fundit, ajo që dallon në thelb demokracitë nga diktaturat. (r.a. Illyria)