Tiranë, 16 janar 2025 – Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Shqipëri njoftoi se mbrëmjen e 15 janarit, në Shqipëri është evakuuar një fëmijë 1-vjeçar nga Gaza, të cilit do t’i ofrohet kujdesi kritik shëndetësor.
“Mbrëmjen e kaluar u krye evakuimi mjekësor për ofrimin e kujdesit kritik në Shqipëri për një fëmijë 1-vjeçar nga Gaza. Fëmija aktualisht po merr kujdesin mjekësor në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”, ndërsa babai, vëllai dhe motra janë akomoduar në qendrën e refugjatëve në Babrru të Tiranës”, thuhet në njoftimin e zyrës së OBSH-së në Tiranë.
OBSH-ja i falënderon institucionet shtetërore të Shqipërisë për lehtësimin e këtij akti humanitar.
“Angazhimi i Shqipërisë për të mbështetur ata në nevojë është një shembull i rëndësishëm solidariteti. Meqë shumë pacientë nga Gaza ende kërkojnë kujdes urgjent mjekësor, përpjekjet e koordinuara ndërkombëtare mbeten vendimtare”, thuhet në joftim.
Ky është evakuimi i parë mjekësor në Shqipëri i banorëve të Gazës. Në nëntor të vitit 2023 ishte evakuuar një familje shqiptare nga enklava palestineze.
Organizatat për të drejtat e fëmijëve dhe ato humanitare kanë bërë thirrje të vazhdueshme për lehtësimin e evakuimeve mjekësore nga Rripi i Gazës.
Në tetor të e vitit të kaluar, agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF, tha se ritmi me të cilin fëmijët e sëmurë po evakuohen nga Gaza është më pak se një fëmijë në ditë. UNICEF tha se nëse ky ritëm “i ngadalshëm e vdekjeprurës” vazhdon, atëherë do të duhej më shumë se shtatë vjet për të evakuuar 2.500 fëmijë që kanë nevojë urgjente për kujdes shëndetësor.
Sipas UNICEF-it, nga 1 janari deri më 7 maj 2024, nga Gaza u evakuuan mesatarisht 296 fëmijë në muaj, që kishin nevojë për kujdes mjekësor. Por, pasi Izraeli nisi ofensivë në afërsi të pikëkalimit të Rafahut, ky numër, tha agjencia, ra në 22 në muaj.
Më shumë se 46.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, janë vrarë gjatë luftës në Rripin Gazës. Pjesa dërmuese e banorëve kanë mbetur të pastrehë, për shkak se shtëpitë e tyre janë shkatërruar nga sulmet raketore nga Izraeli.
Rrripi i Gazës është zhytur në krizë të thellë humanitare.
Më 15 janar, palët arritën marrëveshje për armëpushim dhe për lirim të pengjeve, e cila pritet të hyjë në fuqi më 19 janar.
(r.m.)