Sportdashësit shqiptarë nuk kanë faj nëse barazimi me Norvegjinë u ka shijuar si humbje. Vetëm pak minuta para mbarimit Shqipëria udhëhiqte 1-0 dhe kualifikimi i parë në histori për në Kupën e Botës dukej i prekshëm.
Për norvegjezët, golin e barazimit e shënoi Hogli, në minutën e 87-të dhe ndeshja mbaroi 1-1. Tani kualifikimi është shumë i komplikuar. Shqipëria nuk është më e para në grup dhe vendi i dytë nuk kualifikohet drejtpërdrejt por ka disa ndeshje eliminatore të tjera. Për më tepër tani edhe vendi i dytë është i rrezikuar.
Gjithësesi kur mendon se vetëm pak vite më parë vendi i dytë nga fundi në grup ishte një sukses, merret me mend se futbolli shqiptar ka përparuar shumë në vitet e fundit. Ndërkohë që Kosova nuk po arrin të pranohet në FIFA dhe UEFA, shumica e talenteve nga Kosova kanë veshur më gëzim fanellat e kombëtares shqiptare duke bërë që të paktën në futboll shqiptarët të jenë një dhe të bashkuar.
Entuziasmi dhe besimi ishin të dukshëm në shkallët e stadiumit tonë kombëtar me mijëra të rinj që të veshur kuqezi që e kishin filluar festën që një ditë më parë. Me parrullën “Unë besoj” ishin organizuar në rrjetet sociale.
Mirëpo edhe pse në pjesën e parë ishte Shqipëria që kaloi në avantazh me golin e Valdet Ramës, të shënuar në minutën e 41-të, përsëri nuk mundi t’i bëjë ballë lojës deri në fund dhe pësoi një gol në fund të ndeshjes.
Mes komenteve të shumta pas lojës, në rrjetet sociale nuk mungoi edhe humori politik, duke u nisur nga mbiemrat e futbollistëve: “Ishte hera e parë që Berisha duartroket Ramën”, shkruante dikush për gëzimin e kryeministrit në tribunë për pas golit të shënuar nga Valdet Rama.
“Rama në bëri golin që kaluam në avantazh, Berisha lejoi golin që nuk fituam”, thoshte dikush tjetër për portierin Berisha.
Dhe e fundit: “Berisha, Basha dhe Rama të gjithë në një skuadër dhe përsëri nuk mjaftuan për të fituar!”