NJË FUNDJAVË NDRYSHE

Në prag të festave të Nëntorit: Mbresa nga një takim me Ambasadorin e RSh në ShBA i “Association of SKËNDERBEJ USA” në NY-NJ

VERI TALUSHLLARI

Një mbasdite e bukur fillimnëntori, e ngrohtë e plot diell. Një pamje e bukur nga taraca e një ndërtese të lartë në qendër të Manhattan-it, ku është bar “A to Z rooftop in 5th” i vëllezërve Vejuka, ku syri kap të famshmin Empire State Building e më në horizont Freedom Tower, më në perëndim Hudson River që rrjedh i qetë, madhështor i ndritshëm me New Jersey-in në sfond e më në veri të bukurin e të zhurmshmin Time Square.

Jemi disa anëtarë të Shoqatës SKËNDERBEJ që ndërsa presim mikun, bisedojmë me kamarierët, djem të bukur e të shkathët, e për kënaqësinë tonë, të gjithë shqiptarë. Ja dhe Ambasadori, z. Ervin Bushati, i shoqëruar nga Këshilltari i Ambasadës, z. Helidon Bendo.

Autori i shkrimit Veri Talushllari

Një Ambadador ndryshe. Miqësor. Jo formal. I qeshur dhe bashkëbisedues i këndshëm. Dëgjues i vëmëndshëm por dhe i mprehtë në përgjigjet. Nuk i thotë “jo” një gote vere pas një dite të lodhshme e një takimi të gjatë me përfaqsues të shoqatave të shumta shqiptare në New York, për ta bërë bisedën më të lirshme dhe më intime. Madje endé pa u ulur mirë, me Nadiren, Gëzimin apo Fluturën u zbuluan disa lidhje të hershme familjare e shoqërore, që e bënë bisedën edhe më të këndshme e të natyrshme.

Presidenti i “Association of SKËNDERBEJ”, Prof.Assoc. Dr. Gëzim Mustafaj i bën një përshkrim të jetës dhe veprimtarisë së Shoqatës, e cila mbledh në radhët e saj ushtarakë shqiptarë të liruar ose në pension tashmë me banim në ShBA, familjarë të tyre dhe miq e simpatizantë.

Në gjashtë vitet e veprimtarisë së saj, Shoqata ka bërë shumë veprimtari atdhetare, kulturore e humanitare, në përmbushje të misionit që i kemi vënë vetes për ruajtjen e traditave e zakoneve më të mira të popullit e Ushtrisë Shqiptare, por edhe për t’ju gjendur njeri tjetrit, për të festuar së bashku, për të dalë nga rutina e përditshme e nga stresi i të qënit larg Atdheut. Përmend veprimtaritë shkencore si për 100 vjetorin e Kongresit të Lushnjës apo promovime librash të anëtarëve të Shoqatës, mbledhje fondesh për raste fatkeqsish etj.

 -Po shumë bukur! Se kur dëgjon “Shoqatë ushtarakësh” të vete mendja te ndonjë përgatitje për luftë.- thotë duke qeshur Ambasadori. – Por më vjen mirë që siparin e festave po e hapim me ju. Jam rritur me histori të luftës dhe ushtrisë, kam pas gjyshin partizan dhe oficer.

-Po nëse na bëhet thirrje, edhe atë e bëjmë- ja kthejnë Agimi e Milto ja e biseda shkon te domosdoshmëria e rritjes së investimeve të qeverisë shqiptare për mbrojtjen se “…ja, grekët, serbët, po armatosen…”.

Ambasadori na tregon për disa hapa që janë bërë e disa investime sidomos në planin strategjik e të mbrojtjes, jo vetëm konvencionale por edhe në fusha të tjera ku jemi vlerësuar nga Komanda e NATOs si “më të mirët në klasë”. Dhe spjegon thjesht e qartë vlerat dhe rëndësinë e drejtimit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e tani të të Drejtave të Njeriut nga Shqipëria.

Doemos, flasim edhe për votën e emigrantëve, edhe për kujdesin që dy qeveritë shqiptare duhet të bëjnë për shkollat shqipe dhe Ambasadori na kujton se këtë muaj do të bëhet Samiti i Dytë i Diasporës, e, nëse dikush nga ju do të ndodhet në Shqipëri, duhet të jetë atje.

-Do të jem unë-thotë Petriti, e patjetër do të shkoj. Por me që Ambasadori na zbulon se është financier dhe në Parlament ka punuar për investimet, Zamiri e “kritikon” se disa investime duheshin bërë më mirë, e përmend -doemos si shkodran e biznesmen, që me siguri ja di vlerën e mbase një ditë do të hedhë pará atje- Velipojën, një pasuri e jashtëzakonshme.

Me një gjuhë të kuptueshme dhe argumente z.Ervin tregon prioritetet e investimeve dhe bumin që pritet në vitet e ardhshme jo të largët e ne doemos do të donim me zemër që ta shohim Atdheun tonë edhe më të bukur e më të zhvilluar. Ambasadori kërkon të dijë më shumë për shpërndarjen e emigrantëve në NY, NJ dhe Connecticut, për organizimin e tyre dhe së bashku biem në një mëndje që Shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia është më e mirëorganizuara në ShBA. I tregojmë edhe për një nismë për sjelljen në Shqipëri të eshtrave të Nolit, pasi atje e kanë vendin. Biem dakord që ka disa vështirësi të natyrave të ndryshme, por mbetet për tu parë.

Si pa u vënë re ikin dy orët dhe miqtë që do të duhet të udhëtojnë për në Washington D.C., ngrihen, e, pasi bëjmë disa foto, ndahemi miqësisht dhe me premtimin për të mos qënë ky takimi i fundit.

-Patjetër-thotë Ambasadori,- madje që këtë muaj kur do të ngremë Flamurin tonë në City Hall, (Bashkinë e NY), më 27 Nëntor! Mirupafshim atje dhe Gëzuat Festat!