Kiev, 13 mars 2022 – Një gazetar amerikan është vrarë të dielën nga trupat ruse në Ukrainë, prej nga po raportonte për luftën.
Policia ukrainase në Kiev ka njoftuar se gazetari Brent Renaud është qëlluar për vdekje në Irpin, në periferi të kryeqytetit.
“Një korrespondent 51-vjeçar i mediave me famë botërore u qëllua sot në Irpin”, ka thënë shefi i policisë në rajonin e Kievit Andrey Nebitov.
Ai ka thënë se forcat ukrainase po përpiqen ta tërheqin trupin e të ndjerit nga zona e luftës.
Nebitov ka njoftuar gjithashtu se në të njëjtin sulm të forcave ruse është plagosur edhe një tjetër gazetar, i cili besohet të jetë koleg i zotit Renaud.
Lajmin e kakonfirmuar edhe Danylo Shapovalov, mjek vullnetar në mbrojtjen territoriale të Ukrainës. Ai ka thënë se njëri nga amerikanët ka vdekur, kurse tjetri ka marrë trajtim mjekësor, por nuk ka dhënë detaje lidhur me gjendjen shëndetësore të tij.
Sipas raportimeve fillestare, i ndjeri Renaud ka punuar për gazetën “New York Times”, por zëvendës-kryeredaktori i gazetës, Cliff Levy, ka thënë se ai nuk ishte angazhuar në Ukrainë nga kjo gazetë.
“Jemi thellësisht të pikëlluar nga lajmi për vdekjen e Brent Renaud. Brent ishte një fotograf dhe regjisor i talentuar që kishte kontribuar në ‘New York Times’ ndër vite”, ka thënë Levy në një deklaratë të shpërndarë në Twitter.
“Megjithëse ai kishte kontribuar për ‘The Times’ në të kaluarën (kryesisht më 2015), tani nuk ishte i angazhuar në Ukrainë nga asnjë redaksi e ‘The Times’:, ka shkruar ai.
(Sipas The Sun dhe AFP)