Pretoria (Afrikë e Jugut), 9 qershor 2021 – Një grua i ka lindur 10 foshnja në Pretoria, në Afrikën e Jugut.
Ky mund të jetë rekord i ri botëror për numrin e foshnjave të lindura.
Burri i lehonës Gosiame Thamara Sithole, Tehobo Tsotetsi, ka thënë se janë shokuar nga lajmi, pasi gjatë kontrolleve mjekësore paraprake ai dhe gruaja e tij e kishin kuptuar se do t’i kenë tetë foshnja.
“Janë shtatë djem dhe tri vajza. Jam i lumtur. Jam i emocionuar. Nuk mund të flas shumë”, ka thënë Tsotetsi për “Pretoria News”, të hënën në mbrëmje, pas lindjes së foshnjave.
Sithole, 37-vjeçare, është nënë e binjakëve, të cilët tani janë gjashtëvjeçarë. Mjekët kanë thënë se foshnjat kanë lindur me prerje cezariane dhe Sithole është në gjendje të mirë shëndetësore.
Një zyrtar i Afrikës Jugore ka konfirmuar për BBC-në lindjen e foshnjave.
Autoritetet e rekordeve “Guinness” kanë thënë se janë duke e hetuar rastin e Sitholes.
Rekordin Guinness aktualisht e mban një grua nga Shtetet e Bashkuara, e cila, në vitin 2009, i kishte lindur tetë foshnja përnjëherë.
Muajin e kaluar, 25-vjeçarja Halima Cisse nga Mali, i ka lindur nëntë foshnja në një klinikë në Maroko.
Lindjet e më shumë foshnjave përnjëherë, zakonisht, janë rezultat i trajtimeve për fertilitet.
(r.m.)