Një grup arkeologësh amerikanë kërkojnë anulimin e vendimit për shkrirjen e ASA

Tiranë, 8 qershor 2023 – Një grup profesorësh dhe arkeologësh amerikanë publikuan të enjten një letër të hapur në të cilën kundërshtojnë vendimin e Këshillit të Ministrave për shkrirjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike, ASA.

17 profesorë të arkeologjisë nga mbi një dyzinë universitetesh amerikane, ngrenë shqetësimin se vendimmarrja e qeverisë është bërë pa u konsultuar me kolegët e tyre shqiptar dhe arsyetojnë se ajo vë në rrezik lirinë akademike të arkeologëve dhe cënon arritjet e deri tanishme.

“Arkeologët e Institutit të Arkeologjisë nuk janë konsultuar mbi këtë plan, i cili do të ndikojë shumë ata dhe aftësinë e tyre për të punuar. Vendim i vendosjes së ASA dhe Institutit të Arkeologjisë nën Akademinë e Shkencave pa një marrëveshje do të shtojë burokracinë dhe mbikëqyrjen, duke cënuar lirinë akademike dhe kërkimin”, ngrihet ndër të tjera si shqetësim në letër.

Letra e nënshkruar nga arkeologë që kanë punuar më herët në Shqipëri dhe njohin shqetësimet e kolegëve të tyre, vë në dukje se plani i qeverisë është jo transparent sa i përket ndikimit financiar dhe se do të ndikonte negativisht në zhvillimin e arkeologjisë shqiptare.

“Në vitet e fundit, arkeologjia shqiptare, e drejtuar nga arkeologët e Institutit të Arkeologjisë, ka zënë më në fund vendin e vetë në arenën ndërkombëtare. Ne jemi të shqetësuar se vendosja e ASA nën Akademinë e Shkencave do të nxjerrë nga shinat këtë frymë të re”, thuhet në letër.

Profesorët kanë renditur edhe projekte të përbashkëta të suksesshme, përfshi ekspozitën “Mbretërit e Parë të Europës”. Ata i bëjnë thirrje qeverisë të rishohë vendimmarrjen dhe të konsultojë arkeologët mbi të ardhmen e arkeologjisë shqiptare.

Letra i bashkohet një tjetre të nisur më herët nga mbi 100 akademikë, aktivistë dhe organizata të shoqërisë civile nga Shqipëria dhe Europa që kundërshtuan shkrirjen e ASA.

Akademia e Studimeve Albanologjike është institucioni ku bëjnë pjesë Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (IAKSA), Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Instituti i Historisë dhe Qendra e Enciklopedisë Shqiptare.

Një javë më parë, qeveria vendosi të shkrijë këtë institucion për ta kaluar në varësi të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, pavarësisht kritikave ndaj këtij projekti.

Akademia e Shkencave drejtohet aktualisht nga Skënder Gjinushi, një politikan, i cili u zgjodh në këtë pozicion pasi Partia Socialiste miratoi ndryshime ligjore. Dy deputetë socialistë kanë propozuar ndërkohë ndryshime të mëtejshme ligjore për t’i mundësuar Gjinushit të ketë një mandat tjetër si kryetar, pasi ligji ekzistues, i miratuar nga vetë socialistët, parashikonte ndryshe.

(Reporter.al)