Një grup serbësh në Mitrovicën Veriore solidarizohen me kërkesat e studentëve në Serbi

Prishtinë, 24 janar 2025 – Të premten, në kohën që në shumë qytete të Serbisë janë mbajtur protesta të studentëve dhe qytetarëve të pakënaqur me qeverisjen e vendit, dhjetëra qytetarë serbë në pjesën veriore të Mitrovicës kanë shprehur mbështetjen e tyre me kërkesat e studentëve dhe të qytetarëve në Serbi.

Sërgjan Gjorgjeviq, i cili bëri thirrje që ky aksion të mbahet në shenjë solidariteti me studentët në Serbi, tha se në Kosovë “nuk është e lehtë të shprehet mendimi, qëndrimi apo solidariteti”.

“Përkundër kësaj, ne jemi sot këtu”, tha ai.

Tubimi i solidaritetit me kërkesat e studentëve të universiteteve në Serbi është mbajtur para Fakultetit Filozofik në Mitrovicë të Veriut.

Por, ky fakultet, i cili funksionon në kuadër të sistemit universitar të Serbisë, është distancuar nga ky organizim. Ndërkaq, Parlamenti i Studentëve të këtij fakulteti, i ka drejtuar shigjetat kah Prishtina dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, madje edhe për bllokadën dhe protestën e studdentëve në Serbi. Udhëheqja e parlamentit studentor u ka bërë thirrje studentëve në Serbi që “të distancohen nga mbështetja” e Kurtit.

“Ai që ju ka mbështetur, po na vret dhe po na dëbon”, thuhet, ndër të tjera, në deklaratën e parlamentit studentor të Fakultetit Filozofik në Mitrovicë të Veriut.

Në deklaratë thuhet se studentët serbë në Kosovë kanë nevojë që “Serbia të jetë e fortë dhe e qëndrueshme politikisht dhe ekonomikisht – një vend me institucione të forta me sundim të ligjit, që ka mirëkuptim dhe miq si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim”.

Megjithatë, disa studentë të Fakultetit Filozofik në Mitrovicë të Veriut janë distancuar nga kjo deklaratë e Parlamentit Studentor. Ata kanë thënë se kjo deklaratë, të cilën e kanë cilësuar si “të turpshme dhe keqdashëse”, nuk e shbpreh qëndrimin e Parlamentit Studentor të këtij fakulteti, I cili as që është mbledhur për të diskutuar për këtë temë.

(r.m.)

Comment

*