Prishtinë, 6 prill 2025 – Disa dhjetra serbë nga Kosova, të dielën në mëngjes, janë nisur në këmbë për në Beograd, për të marrë pjesë në tubimin e promovimit të “Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin” të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të shtunën, më 12 prill.
Portali “Kosovo online” raporton se serbët nga Graçanica dhe nga qytete të tjera të Kosovës e kanë nisur këmbë rrugën deri në Beograd.
Njëri prej atyre që e morën rrugën për në Beograd citohet të ketë tënë se në Beograd mbrohet Kosova.
“Moti i keq, shiu dhe bora nuk do të na pengojnë të arrijmë qëllimin tonë dhe të arrijmë të gjallë dhe të mirë në tubimin e madh që mbahet të shtunën. Ne nga Kosova do ta mbrojmë Kosovën tonë edhe në Beograd sepse vendi ynë është i sulmuar si nga jashtë ashtu edhe nga brenda”, citohet Ivan Cvetkoviq.
Njohësi i fushës së sigurisë, Avni Islami, në një postim në Facebook, ka shkruar se serbët e Kosovës po detyrohen të shkojnë në Beograd nga udhëheqësi i grupit të armatosur serb që e kreu sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, Milan Radoiçiq, dhe nga Lista Serbe, partia e serbëve të Kosovës që kontrollohet nga Vuçiqi.
“Mediat e Vuçiqit po e paraqesin këtë si ‘përkrahje të sinqertë’, por kush e njeh situaten, e di që kjo është shumë larg së vërtetës. Këta njerëz janë organizuar nga Milan Radoiçiq dhe Lista Serbe te lidhura jo vetëm me strukturat paralele, por edhe me grupet kriminale që për vite ushtrojnë presion mbi komunitetin serb në Kosovë”, ka shkruar ai.
Islami ka thënë se për shumicën prej serbëve nga Kosova pjesëmarrja në tubimin e Vuçiqit “nuk është zgjedhje por është detyrim”.
“Për shumicën këtyre serbeve pjesëmarrja nuk është zgjedhje por është detyrim. Nëse nuk shkojnë ua ndalin ndihmat, i kërcënojnë, i izolojnë”, ka shkruar Islami.
(r.m.)