Një i vdekur dhe 19 të plagosur në një përleshje me armë në Prishtinë

Prishtinë, 5 gusht 2023 – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të premten në mbrëmje vonë, në një lokal në qendër të Prishtinës.

Një person është vrarë dhe 20 të tjerë kanë mbetur të plagosur gjatë përleshjes me armë zjarri në lokalin “Bon Vivand”, në rrugën “Rexhep Lucii”. Shtatë nga të plagosurit janë qëlluar me armë zjarri, ndërsa 13 të tjerët kanë pësuar lëndime nga ciflat e xhamave të lokalit dhe nga gjësende të tjera.

Mediet në Kosovë njoftuan se nga plagët me armë zjarri ka vdekur Kastriot Ramadani.

Shefi i repartit të kujdesit intensiv në Qendën Klinike Unversitare të Kosovës në Prishtinë, Shaqir Uka, ka bërë të ditur se viktima është një 39-vjeçar, i cili nuk u ka mbijetuar  plagëve me armë zjarri në stomak.

“Pacienti në fjalë, edhe përkundër të gjithë trajtimit kirurgjik dhe terapisë intensive, nuk ka arritur tiu mbijetoj plagëve dhe ka ndërruar jetë në orët e hershme të mëngjesit. Ka qenë i plagosur në regjionin e barkut. Mosha e tij ishte 39 vjeç”, ka thënë ai.

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës njoftoi se të gjithë të plagosurit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ndihmë mjekësore kanë kërkuar 20 persona.

“Është konstatuar se nga arma e zjarrit kanë rezultuar të plagosur 7 persona, ku njëri nga ta si pasojë nga plagët e marra ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës. Ndërsa 13 persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore nga gërvishtjet e xhamave apo nga gjësendet tjera. Të gjithë kanë kërkuar ndihmë mjekësore”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Në njoftim thuhet se prokurori i rastit dhe Policia e Kosovës janë duke punuar në identifikimin e personave të përfshirë në këtë rast, me qëllim të zbardhjes së plotë të ngjarjes.

“Prokurori, rastin në fjalë e ka cilësuar ‘Vrasje të rëndë’ neni 173, ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ neni 366 dhe ‘Pjesëmarrje në rrahje’ neni 187 i Kodit Penal të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Prokuurorisë Themelore në Prishtinë.

Policia ka njoftuar se katër të dyshuarit kryesorë janë të hospitalizuar në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës dhe janë nën përkujdesjen e policisë, me vendim të prokurorit të rastit.

Prokuroria ka thënë se njëri nga të dyshuarit për përfshirje në konflikt gjendet në arrati dhe se të gjithë të dyshuarit kanë të kaluar kriminale.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thën se personat e përfshirë në konflikt kishin kryer më parë dhjetëra vepra penale. Ai e ka fajësuar sistemin e drejtësisë se po i lë të lirë të dyshuarit për vepra të rënda.

“Në qendër të kryeqytetit, shtetasit tanë janë të rrezikuar për shkak të kriminelëve që nuk po ndëshkohen nga drejtësia. Ata duke u ndjerë të plotfuqishëm përballë ligjit nuk hezitojnë që hesapet e tyre kriminale t’i zgjidhin me armë e atë në lokale publike në prezencë dhe duke rrezikuar dhjetra të rinj të tjerë.

Palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetra vepra të mëhershme penale. Kur lëngon drejtësia, situatat e ngjashme janë të pashmangshme!

Drejtësia është punë e policisë, e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Drejtësia është një sistem i plotë kur të gjithë institucionet përmbushin funksionin e tyre”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

“Është koha e fundit që efikasiteti i Policisë në këtë segment të rritet, por mbi të gjitha përgjegjshmëria dhe vendosmëria e Prokurorisë dhe guximi i gjykatësve për dënime drakonike për këtë kontigjent kriminal”, ka theksuar ai.

Ministri Sveçla ka njoftuar se minostria që e drejton do të inicojë themelimin e një taskforce për hetimin e krimeve të rënda.

“Ministria e Brendshme në kuadër të strategjisë kundër krimit të organizuar do të inicojë themelimin e një taskforce për hetimin e thellë, jo vetëm të këtij rasti, por edhe të rasteve të tjera të ngjashme”, ka thënë ai.

(r.m.)