Tiranë, 30 dhjetor 2021 – Një person është gjetur i vdekur në një humnerë në Malin e Munellës në zonën e Gjegjanit të Pukës, ndërsa katër të tjerë janë shpëtuar nga ekipet e shpëtimit, të enjten në mbrëmje.
Policia njoftoi se Ndoc Mula është gjetur i vdekur në humnerë, ndërsa gazetari Alfred Lela, Ilir Shyti, Dorian Malaj dhe Gisel Dollani janë shpëtuar.
Në njoftim thuhet se popunohet për nxjerrjen e trupit të viktimës nga humnera.
“Shërbimet e Policisë, shërbimet e zjarrëfikses, pjesëtare të shoqatës së alpinistëve Pukë dhe banorë të zonës kanë vijuar kërkimet në kushte klimaterike të vështira dhe terren të thepisur. Pas disa orë kërkimesh është gjetur i pajetë shtetasi N. M, dhe po vijon puna për nxjerrjen e trupit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në njoftim thuhet se Gazetari Lela, bashkë me alpinistët amatorë Ilir Shyti, Ndoc Mula, Dorian Malaj dhe Gisel Dollani, ishin duke eksploruar në Malin e Munellës në Pukë, kur kanë rrëshqitur dhe kanë rënë në një humnerë, si pasojë e motit të keq dhe stuhisë së borës.
Sipas policisë, Lela, Malaj dhe Dollani janë në gjendje më të mirë shëndetësore, kurse Shyti është në gjendje më të rëndë.
Aksidenti ka ndodhur të enjten në mbrëmje.
Gazetari Lelaj ka rrëfyer se sapo e kanë prekur majën e malit, zona është përfshirë nga një stuhi e fortë që e ka bërë të vështirë lëvizjen e tyre. Ai ka thënë se grupi ka vendosur të kthehet rrugës që është ngjitur, por gjurmët e ngjitjes ishin fshirë nga era e fuqishme dhe ngrica, kështu që zbritja nga maja ka qenë tepër e vështirë.
Lela ka treguar se gjatë zbritjes, ai ka rrëshqiyur i pari në humnerë dhe pas tij edhe bashkëudhëtarët e tij. Ai ka thënë se, për fat të mirë, ka arritur të mbahet në trungun e një peme dhe ka shpëtuar nga përplasja me një shkëmb aty pranë.
“E kapëm majën, aty nisi një stuhi që frynte në dy krahët dhe na bëri të pamundur kapërcimin në anën tjetër të majës për t’u ulur në një drejtim tjetër. Era ishte e tillë sa që na merrte mbrasht. U detyruam të iknim mbrapsht. Ishim pa fat, sepse era dhe i ftohti i kishin mbuluar gjurmët, duke e bërë uljen më të vështirë. Në përpjekje për t’u ulur kemi rrëshqitur 3 prej nesh, unë i pari. Me ndihmë të Zotit jam ndalur aty ku nuk mendoja se do të ndalesha më, mendoja se e kisha mbyllur me këtë botë. Më ka ndaluar një objekt pa shkuar në anën tjetër të shkëmbit”, ka rrëfyer ai.
Lela ka thënë se grupi ishte nisur për një ekspeditë në maje të Munellës.
“Ne jemi grup që bëjmë ekspedita prej shumë vitesh. Ishim një grup miqsh që do të bënim ngjitjen e fundit të vitit e ndërkohë unë dhe kameramani po xhironim e filmonim”, ka thënë ai.
BallkanWeb raporton se grupi ishte nisur për të xhiruar një reportazh për masivin malor të Munellës, i cili është i njohur zone e Rrëqebullit të Ballkanit. Ky masiv malor është propozuar të futet në listën e zonave të mbrojtura.
(r.m.)