Prishtinë, 2 shtator 2024 – Një person ka vdekur dhe pesë të tjerë kanë mbetur të plagosur të dielën në mbëmje në Prishtinë, gjatë përleshjes me armë zjarri mes dy grupeve. Incidenti ka ndodhur në rrugën “Gazmend Zajmi”, në lagjen Aktashi, rreth orës 22:00.
Mediet në Kosovë raportojnë senë këtë konflikt ka mbetur i vrarë Premtim Gashi, kurse janë plagosur: Salih Sekiraqa, Robert Llumnica, Korab Gashi, Fatos Abazi dhe Valdrin Ademi.
Policia e Kosovës ka njoftuar se vdekja e viktimës është konstatuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor, ndërsa të plagosurit po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se pesë të plagosdurit që janë duke u trajtuar në QKUK janë nën masën e arrestit dhe të mbikëqyrjes policore.
“Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë Zejnullah Gashi, së bashku me Prokurorin kujdestar kanë dal në vendin e ngjarjes dhe së bashku me hetuesit policor kanë konstatuar se në këtë rast kemi të bëjmë me një përleshje në mes dy grupeve të armatosura si pasojë e mosmarrëveshjeve të mëhershme, ku si pasojë e kësaj një person ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa pesë të dyshuar tjerë kanë marrë lëndime trupore dhe janë dërguar Klinikën Emergjente në QKUK, për të marrë trajtimin e duhur mjekësor dhe për momentin janë jashtë rrezikut për jetë. Me urdhër të prokurorit të shtetit është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes nga Policia e Kosovës si dhe janë kryer veprimet hetimore nga Njësia e Forenzikës. Po ashtu me urdhër të Prokurorit trupi i pa jetë i gjetur në vendin e ngjarjes është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për të iu bërë Autopsia”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Prokuroria ka thënë se, përveç pesë të plagosurve, po punohet edhe në identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në përleshjen e mbrëmshme.
Mediet në Kosovë raportojnë se në vendin e ngjarjes janë gjetur rreth 100 gëzhoja të municioneve të armëve që janë përdorur nga grupet rivale.
Konflikti I mbrëmshëm në Prishtinë dyshohet se është vazhdimësi e problemeve të mosmarrëveshjeve të vjetra të familjes Sekiraqa me familjen Gashi, të njohur me nofkën “Capat”, të dyja nga Prishtina.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka konfirmuar se në përleshje janë përfshirë dy familje mes të cilave ka ndodhur një konflikt i armatosur në muajin mars të këtij viti. Ai ka thënë se dy persona të cilët ishin përfshirë në konfliktin e atëhershëm gjenden në paraburgim dhe se ndaj tyre është ngritur aktakuzë.
(r.m.)