Laguna Woods (California), 16 maj 2022 – Një person i armatosur hapi zjarr në një kishë në Kaliforninë Jugore të dielën, duke vrarë një person dhe duke plagosur pesë të tjerë. Më pas personat e pranishëm e ndaluan atë dhe i lidhën këmbët.
Ngjarja ndodhi të dielën në Kishën Presbiteriane në Laguna Woods. Policia arrestoi një të dyshuar të paidentifikuar rreth të 60-tave.
Një person vdiq në vendngjarje ndërsa katër të tjerë u plagosën rëndë dhe një i pestë ka pësuar lëndime të lehta, thanë zyrtarët e policisë. Të gjithë të plagosurit u dërguan në spital.
Rreth 30 deri në 40 persona ishin në kishë kur i dyshuari hapi zjarr.
“Për momentin, nuk e dimë se cili mund të jetë motivi i të dyshuarit ose nëse ai kishte një objektiv të caktuar, apo nëse bëhet fjalë për një incident të nxitur nga urrejtja,” tha në një konferencë shtypi zëvendës sherifi i distriktit Orange, Jeff Hallock.
Ai shtoi se autoritetet besojnë se i dyshuari nuk është banor i zonës.
Në vendngjarje u gjetën dy pistoleta.
“Askush nuk duhet të ketë frikë të shkojë në objektin e tij të besimit. Mendimet tona janë me viktimat, komunitetin dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo ngjarje tragjike,” tha zyra e guvernatorit Gavin Newsom në Twitter.
(Zëri i Amerikës)