I vrari është mbështetës i opozitës (LSI), ndërsa një nga të lënduarit, kandidat për deputet i Partisë Demokratike. Opozita fajësoi qeverinë për dhunën, ndërsa presidenti dhe kryeministri bënë thirrje për qetësi, zgjedhje të lira dhe pjesëmarrje masive
Denion Ndrenika
Një person humbi jetën dhe tri të tjerë u lënduan me armë zjarri në një Qendër Votimi në Laç. Viktima është Gjin Pjetër Gjoni, 52 vjeç mbështetës i Lëvizjes Socialiste për Integrim, kurse një i lënduar është kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Mhill Fufi, njëherit nënkryetar i Qarkut të Lezhës. Policia tha se po punon për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes në shkollën e mesme “Shtjefën Gjeçovi”. Partia Socialiste po në Laç tërhoqi 5 komisionerë me arsyetimin se ka persona të armatosur në një Qendër Votimi. Ndërkohë, kryetari socialist Edi Rama tha se nuk do të votojë pa u zbardhur vrasja. Zoti Rama shtyu votimin dhe qëndroi në Laç: “Nuk ka asgjë që ndryshon fatin e këtyre zgjedhjeve dhe ne jemi të vendosur, të organizuar kudo për të mbrojtur çdo votë. I them Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë që të ndahet përfundimisht nga ky flirt i patolerueshëm me forcat kriminale”.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta fajësoi kryeministrin Sali Berisha: “Policia të marrë masat për të ndaluar një gjakderdhje të mundshme për sot. Sali Berisha që nga sot nuk është dhe nuk mund të jetë kryeministër i shqiptarëve! Kjo histori ka përfunduar një herë e mirë! Me banditë dhe me gjak ai nuk qëndron dot! Ai duhet të iki me çdo çmim! Çmimin ai e zgjedh vetë! Ne jemi për zgjedhje të lira dhe të ndershme”!
Kryeministri tha se nuk ka informacion të plotë mbi ngjarjen. Zot Berisha pasi votoi theksoi rëndësinë për pjesëmarrje masive: “Votova “44”-ën, preka fatin! Ftoj të marrin pjesë në votime, në mënyrën më të qytetëruar, të votojnë alternativën që gjykojnë më të mirë. Ta shndërrojmë këtë ditë në ditë feste, në një ditë mirëkuptimi, ku njerëzit të shprehin lirisht mendimet e tyre”.
Presidenti Bujar Nishani theksoi se rëndësi ka bashkimi dhe jo ndarja: “Unë jam i bindur që shqiptarët do të tregojnë maturi, qetësi, përgjegjësi civile, duke demonstruar pjesëmarrje sa më të gjerë, duke respektuar maksimalisht rregullat e votimit. Partitë dhe idelogjitë, për të cilat ne votojmë janë të ndryshme, por Shqipëria dhe e ardhmja e saj është vetëm një”!
Përgjithësisht procesi ka qenë i qetë, me ndonjë parregullsi teknike.