Beograd, 8 korrik 2022 –Zoran Rashkoviq, ish-pjesëtarë i njësisë së paramilitarëve serbë “Çakallët”, ka deklaruar në Gjykatën e Lartë të Beogradit se njëri nga të pandehurit në rastin e krimeve të luftës në katër fshatra të Kosovës në pranverë të vitit 1999, ishte i pranishëm gjatë të shtënave ndaj një grupi civilësh shqiptarë.
Zoran Rashkoviq ka thënë se Predrag Vukoviq, me nofkën “Madzo”, Ka qenë në mesin e grupit të luftëtarëve serbë që kanë rrëmbyer dhe e kanë vrarë një grup civilësh shqiptarë të kapur në fshatin Qyshk, në Kosovë, në maj 1999.
Rashkoviq i ka thënë se Vukoviq kishte shkuar në njësinë e tij pas krimeve të tjera të kryera në fshatin Lubeniq dhe se i kujtohej se Vukoviq ka hyrë në aksion bashkë me “Çakallët”.
Ai ka treguar se Vukoviq, së bashku me dy luftëtarë të tjerë, Ranko Momiq dhe Milojko Nikoliq “Sumadija”, e kishin dërguar grupin e civilëve shqiptarë prej 15 ose 20 vetash në një shtëpi të papërfunduar të fshatit dhe i kishin ekzekutuar.
“Ai ishte në grupin që çoi deri tek të shtënat. Ranko Momiq e ka udhëhequr dhe organizuar atë. I kam dëgjuar të shtënat dhe e kam parë Rankon ‘Sumadija’”, ka treguar Rashkoviq.
“Kam dëgjuar të shtëna, [por] nuk e di nëse është shtënë nga një, nga dy apo nga tri armë,”, ka shtuar ai.
Megjithatë, Rashkoviq ka thënë se ai nuk e ka parë Vukoviqin duke shtënë.
Vukoviq është njëri nga 11 ish-pjesëtarët e Njësisë 177 të Ushtrisë Jugosllave që po gjykohen për krime të luftës të kryera në fshatrat Zahaç, Qyshk, Pavlan dhe Lubeniq, në pjesën perëndimore të Kosovës, në maj të vitit 1999. Aktakuza i ngarkon ata për vrasjen e të paktën 118 shqiptarëve.
Vukoviq ishte arrestuar në vitin 2018, kurse para gjykatës ka dalë për herë të parë në nëntor të vitit 2019. Ai akuzohet për krime ndaj shqilotarëve në fshatrat Lubeniq dhe Qyshk.
Rashkoviq, i cili është njëri nga dëshmitarët kryesorë të prokurorisë, këtë here i ka dalë në mbrojtje të Vukoviqit.
Kur ishte intervistuar për një dokumentar të BIRN-it që merrej me hetimin e rolit të komandantëve në masakrat e kryera në Kosovën në vitin 1999, ai kishte thënë se Vukotiq ka marrë pjesë në operacion.
Gjykata e Lartë e Beogradit ka pritur një vit që Rashkoviq të thirrej për të dëshmuar, sepse ai gjendej në një burg në Gjermani. Në seancën e së premtes, Rashkoviq ishte i pranishëm në gjykatë, sepse është ekstraduar nga Gjermania, për një tjetër procedim penal në Serbi.
Në një seancë dëgjimore të vitit 2015, Rashkoviq kishte treguara se më 1 prill të vitit 1999 një njësi tjetër i kishte ekzekutuar rreth 60 burra në fshatin Lubeniq të Kosovës, kurse në vitin 2011 kishte folur edhe për krimet e kryera në fshatin Qyshk.
Ishte planifikuar që Rashkoviq të dëshmonte në gjykatë me emër të koduar, për të fshehur identitetin e tij, por të premten ai ka vendosur të fliste hapur dhe të tregonte për, siç ka thënë, “të vërtetën për tmerret në Kosovë”.
Kjo ishte hera e parë në historinë e gjykatës serbe që një dëshmitar i mbrojtur vendoste të dëshmonte publikisht.
Por, të premten, Rashkoviq i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të Beogradit t’i rikthehet statusi i dëshmitarit të mbrojtur, me arsyetim se kishte marrë kërcënime me vdekje, për të dhe familjen e tij, në qoftë se do të vazhdonte të dëshmonte për krimet në Kosovë.
Avokatët mbrojtës e kanë kundërshtuar këtë kërkesë të Rashkoviqit, me arsyetim se ai po gënjen dhe po përpiqet ta manipulojë gjykatën.
Në vitin 2014, ish-pjesëtarët e Njësisë 177 të Ushtrisë Jugosllave janë dënuar me gjithsej 106 vjet burg, por, në vitin 2015, Gjykata e Apelit në Beograd e anuloi aktvendimin dhe e dërgoi çështjen në rigjykim.
/Sipas BalkanInsight/