Një këshilltar i Putinit jep dorëheqje dhe largohet nga Rusia, për shkak të invazionit në Ukrainë

Moskë, 23 mars 2022 – Anatolij Chubais, këshilltar për ndryshime klimatike i Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, ka dhënë dorëheqje dhe është larguar nga Rusia për shkak të mospajtimeve me invazionin në Ukrainë.

Ai është zyrtari më i lartë rus që i ndan rrugët me Putinin për shkak të Ukrainës.

Burime të afërta me Kremlinin kanë thënë se Chubais ka shkuar në Turqi dhe nuk e ka ndërmend të kthehet në Rusi. Sipas gazetës Komersant, ai është parë në Stamboll të hënën.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e ka konfirmuar lajmin për dorëheqjen e Chubais, por nuk ka dashur të komentojë largimin e tij nga Rusia, duke e cilësuar këtë si “çështje private të Chubaisit”.

Anatoly Chubais konsiderohet arkitekt i procesit të privatizimit të pronave shtetërore në Rusi. Gjatë tri dekadave të fundit, ai ka qenë në shumë pozita të larta zyrtare. Në kabinetin e parë qeveritar të Boris Jelcinit ka qenë ministër i ngarkuar me administrimin e pronave shtetërore dhe procesin e privatizimit.

Chubais ka pasur njohje të hershme me Putinin, qysh në Shën Petersburg. Ai e ka ndihmuar Putinin të ngjitet në karrierën politike. Prej ardhjes  së Putinit në krye të shtetit ai ka udhëhequr kompanitë  më të mëdha energjetike në vend.

Këshilltar i Putinit është emëruar në vitin 2020.

Duke qenë në këtë pozitë, ai pati kontakte të shumta me organizata ndërkombëtare për të hartuar strategjinë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Rusisë.

Një javë pas invazionit të Rusisë në Ukrainë, Chubais e postoi në rrjetet sociale fotografinë e liderit të ndjerë të opozitës rusë, Boris Nemtsovt, i cili u vra në vitin 2015. Ky postim, ndonëse nuk kishte fare tekst, u vlerësua si qëndrim i tij kundër invazionit në Ukrainë.

Dorëheqja dhe largimi i tij nga Rusia janë shenja se në mesin e zyrtarëve të lartë rusë ka kundërshti për afresionin rus në Ukrainë.

(r.m.)