Kontributi i Dr. Rifat Latifit për vendlindjen e tij është një frymëzim për të gjithë
Nga Harry Bajraktari
Emërimi i Dr. Rifat Latifit si ministri i ri i Shëndetësisë është një lajm shumë i mirë për Kosovën.
Një profesionist i vërtetë, ekspert i shquar në rang ndërkombëtar, studjues dhe praktikues i fjalës së fundit të shkencës me telemjekësinë, si dhe një bamirës frymëzues, Dr. Latifisjell një shpresë të re për kosovën tonë të dashur. Si shumë vende të tjera në botë, Kosova është përballur me sfida të mëdha për shkak të pandemisë duke riorientuar mjetet e saja tyë kufizuara në shërbimit shëndetësor. Në këtë drejtim, Dr. Latifi është njeriu i duhur në kohën e duhur.
E kam njohur Dr. Latifin prej shumë vitesh tashmë dhe jam krenar që e kam mik. Kthimi i tij në New York, si Drejtor i Kirurgjisë në Qendrën Mjekësore të Westchesterit dhe Kolegjit Mjekësor të New York-ut na dha mundësinë që të rilidhemi dhe të rigjallërojmë bashkëpunimin tonë.
Kam pasur nderin që t’i bashkohem nismës së tij historike për sigurimin e fondeve që do të financonin për dekadën e ardhshme Kolegjin e Kirurgjisë së Kosovës. Ky institucion u themelua nga Dr. Latifi sipas modelit të Kolegjit Amerikan të Kirurgëve, anëtar i të cilit prej shumë kohësh është Dr. Latifi. Ai është edhe anëtar i Kolegjit Ndërkombëtar të Kirurgëve.
Që nga koha kur ishte profesor në Universitetin e Arizonës, duke punuar në projektin udhërrëfyes të Telemjekësisë, ai luftoi shumë që t’i përfshinte Kosovën dhe Shqipërinë në listën e vogël të vendeve që do të vininj në zbatim këtë kombinim të teknologjisë më të përparuar me mjekësinë. Kjo çoi ekspertizën mjekësore edhe në pikat më të izoluara dhe të varfra të atdheut tonë ku mungonte shërbimi dhe personeli i nevojshëm mjekësor.
Pra, Dr. Latifi ka vite që ndihmon në përmirësimin e gjendjes së shëndetit publik dhe shërbimeve mjekësore në Kosovë. Tan inga pozita e ministrit të Shëndetësisë, ai do të ketë mundësi të kurorëzojë këtë punë të madhe që ka nisur. E përgëzoj me këtë rast kryeministrin Albin Kurti për këtë zgjedhje në kabinetin e tij.
Është padyshim një dëshmi e dashurisë së Dr. Rifat Latifit për vendlindjen fakti që ai po braktis një pozitë të lakmuar dhe një karrierë të pasur në Shtetet e Bashkuara për t’u rikthyer në Kosovë.
Është shembulli i radhës i shqiptaro-amerikanëve që kontribuojnë për atdheun dhe në veçanti Kosovën. Ata kanë qenë kudo që nga ditët e errëta të pushtimit dhe shtypjes serbe, në rezistencë e luftën për liri. Pas pavarësisë shumë prej tyre si dhe nga diaspora e gjerë janë rikthyer në Kosovë si udhëheqës, profesionistë, investues e në kapacitete të tjera për të ndihmuar republikën më të re në Europë drejt një të ardhme të ndritur. Vetëm pak ditë më parë, një arkitekt i suksesshëm në Londër, Përparim Rama, u kthye në vendlindje dhe u zgjodh kryetar i Prishtinës.
I uroj Dr. Latifit suksese në detyrën e tij të re si ministër dhe shpresoj se shembulli i tij do të frymëzojë shumë të tjerë që t’i bashkohen Kosovës me talentet dhe njohuritë e tyre të çmuara.