Libri “Ballë për ballë me krerët e SHIK-ut” është manifest moral i një avokati, i cili, në betejat e tij profesionale, megjithatë, arriti që sistemit të drejtësisë t’ia kthejë dinjitetin e humbur, kurse avokatëve mbrojtës t’ua heqë etiketën e kukullave të drejtuesve të sistemit të kalbëzuar juridik.
Pasi ta kemi lexuar librin “Ballë për ballë me krerët e SHIK-ut (Procesi politik ndaj Sadri Ramabajës – Fasadë legale e krimit)”, përpos që mësojmë shumë detaje të panjohura rreth këtij procesi të montuar gjyqësor, të cilat autori, avokati Ramiz Krasniqi, i ka veçuar dhe analizuar me hollësi, mbetemi edhe disi të hutuar, në kërkim të një sqarimi brenda vetes sonë lidhur me atë se cilat mund të jenë shkaqet që e shtyjnë një shoqëri të rrëshqasë në honet e oportunitetit intelektual, moral e profesional.
Ky libër, pra, hap shumë dilema morale e etike, mbi atë nëse e keqja është fenomen shoqëror apo individual-personal, mbi atë nëse jemi të gatshëm të reagojmë dhe të solidarizohemi me viktimat e represionit politik që huazon metoda të sofistikuara juridiko-policore, siç ka ndodhur në rastin e Dr. Sadri Ramabajës, atëherë kur e kërkon nevoja, apo të sillemi sikur s’ka ndodhur asgjë.
Shumë lexues do të mund të ngelin të habitur me informacionet që do të marrin nga ky libër pasi ta kenë mbyllur faqen e fundit të tij, për arsye se gazetarët, në kronikat dhe raportimet e tyre, edhe pse e kishin obligim parësor profesional, nuk e kanë pasqyruar drejt atë që kanë parë dhe dëgjuar në këtë proces të montuar gjyqësor. Kjo ka ndodhur sidomos kur kanë dëshmuar krerët shtetërorë. Këta të fundit, siç mësojmë nga libri i Ramiz Krasniqit, në sallën e gjyqit janë sjellë si të ishin zotërues absolut të së vërtetës që ata e demonstronin me vulgaritetin dhe arrogancën e frymorëve dykëmbësh të veshur me pushtetin e Zeusit, për arsye se ata ishin edhe dëshmitarë, edhe të dëmtuar, edhe prokurorë, edhe gjykatës e, ngandonjëherë, edhe aktorë cirku, sepse plot prej tyre mundoheshin të aktronin me duar e këmbë për të qenë sa më interesantë para një publiku që, megjithatë, mungonte në sallë.
Publiku, pra, dinte pak gjëra dhe vetëm njërën anë të medaljes, e dinte vetëm përmbajtjen e aktakuzës, ndërsa pjesa tjetër, ku jepeshin gjerësisht sqarime nga mbrojtja dhe nga të akuzuarit, sidomos nga Dr. Sadri Ramabaja, ishte e panjohur për opinionin publik.
Mediat raportuan se kush dëshmoi, por jo çfarë dëshmoi. Ato, madje, e kishin në duar aktakuzën përpara të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre, gjë që flet mjaftueshëm për njëanshmërinë e qasjes mediatike ndaj këtij procesi të montuar gjyqësor. Kjo flet mjaftueshëm mbi kontrollin politik të mediave, të cilat këtë proces të montuar gjyqësor e trajtuan si të ishin palë e dëmtuar. Absurditeti i kësaj praktike të palavdishme të raportimit mediatik ka ndikuar që, padrejtësisht, disa nga të akuzuarit, sidomos Dr. Ramabaja, të projektohen në sytë e publikut si elementë problematikë e keqbërës, ndaj të cilëve u dashka të merren masa drakonike.
Një publik i keqinformuar, me qasjen oportune dhe indiferente, është bashkëpjesëmarrës në shumë devijime që ndodhin në shoqëri. Për rrjedhojë, edhe ky proces gjyqësor e ka pasur aleat të keq publikun e keqinformuar, prandaj mu këtu qëndron edhe rëndësia e botimit të këtij libri.
Imagjinojeni për një moment, sikur të mos botohej ky libër i Ramiz Krasniqit, çfarë efektesh negative do të vazhdonin të krijoheshin në publik për shkak të prezantimit fragmentar të këtij procesi të montuar gjyqësor!
Çfarë mësojmë, pra, nga ky libër, nëse i kemi parasysh disa nga deformimet që e shoqëruan mënyrën e njoftimit të opinionit publik mbi këtë proces të montuar gjyqësor?
Në radhë të parë, ky libër, po aq sa është një dëshmi konkrete e përballjes së profesor Sadri Ramabajës me drejtësinë e deformuar është edhe një manifest moral i një avokati, i cili në betejat e tij profesionale, megjithatë, arriti t’ia kthejë drejtësisë dinjitetin e humbur por edhe statusin e mbrojtësit që, në një proces gjyqësor të mos e paraqesë vetëm si kukull në duart instrumenteve juridike, por, mbi të gjitha, si një profesionist me profil të lartë etik e njerëzor.
Ramiz Krasniqi, si sistemues i kujdesshëm i gjithë kësaj materie të ngjeshur që ndodhet brenda kopertinave të këtij libri, na del edhe një intelektual me ndërgjegje të lartë qytetare që për kauzat e tij morale e profesionale është në gjendje të përballet edhe me sfida nga më të vështirat që hasen në procese të tilla, me defekte të theksuara procedurale dhe me deficite të mëdha të etikës dhe dinjitetit të një profesioni, i cili, fatkeqësisht, ishte kidnapuar nga skifterët grabitçarë të politikës.
Avokati Ramiz Krasniqi, duke qenë vetë pjesëmarrës në seancat gjyqësore, e ka bërë radiografinë e një procesi të montuar, ku akuzat ishin gatuar në kuzhinat misterioze të parafabrikateve institucionale, ku krerët e shtetit merreshin në pyetje në zyrat e tyre kurse në sallën e gjyqit e aktronin rolin prokurorit. Në të njëjtën zyrë, bashkë me prokurorin, ishin edhe hetuesit policorë që e merrnin në pyetje të akuzuarin padrejtësisht, Sadri Ramabajën, kurse teksti i aktakuzës ishte i stërmbushur me dubioza terminologjike-juridike që nuk korrespondonin fare me lajtmotivin e akuzës. Sepse aty kishte gjithçka, përveç provave për aktakuzën. Aty kishte plot vrasës imagjinarë, por nuk mund të gjendej asnnjë pistë e vetme konkrete që do të lidhte motivet e krimit me të akuzuarit. Siç u vërtetua, pafajësia e Sadri Ramabajës lidhej mbi të gjitha me natyrën dhe formimin e tij intelektual e njerëzor. Për mendësinë e tij ishin të huaja dhe të paimagjinueshme gjithë ato trillime që prokurori i nxirrte nga mënga.
Ky proces i montuar gjyqësor ndoshta një ditë do të përfshihet edhe në kurrikulat e universiteteve tona, për të shërbyer si shembull se si nuk duhet të përdoren inskenimet dhe fabrikimet për të formuluar aktakuzë që i ngjan një dordoleci bore në rrezet përvëluese të diellit.
Autori i librit, avokati Ramiz Krasniqi, sjell disa argumente përse ky proces gjyqësor do të mbahet mend si proces i pastër me motive politike dhe përse ky proces gjyqësor do të mbahet mend edhe si proces në të cilin krerët e pushtetit shkuan në gjykatë jo për të dëshmuar, ashtu siç i obligojnë dispozitat ligjore, por për të treguar edhe një herë se ata janë, siç kishte thënë mbreti i Francës, Luigjit XIV: “Shteti jam unë”.
Ky proces i montuar gjyqësor do të mbahet në mend edhe si një shans e humbur për shoqërinë civile dhe për mediat, të cilat, në vend se të raportonin objektivisht mbi gjithë rrjedhën dhe përmbajtjen e seancave gjyqësore, u shndërruan në megafonë të prishur të politikës së ditës dhe e shkelën etikën profesionale, duke u bërë palë me ata që akuzuan pa kurrfarë mbulese.
Një medie e përgjegjshme, profesionalisht e moralisht, të paktën që mund të bënte ishte të analizonte disa fakte kontradiktore që prokuroria ishte munduar t’i prezantojë si të mirëqena.
Nëse aktakuza e cilësonte njërin prej të akuzuarve kryesor si të paaftë për të kryer vepra penale, sepse, siç thuhej, “I pandehuri Murat Jashari, duke qenë në gjendje të paaftësisë mendore për të kuptuar dhe kontrolluar sjelljet e veta, për shkak të sëmurjes, ngase vuan nga çrregullimi skizoafektiv – tipi manikal, me karakter të përhershëm…”, atëherë si ka mundur t’u ikë mediave ky detaj krucial që e rrëzon për toke akuzën dhe e bën të padenjë moralisht e profesionalisht çfarë do gjykatësi që e shpall fajtor cilindo që paska bashkëpunuar me një person të paaftë, siç thuhet në aktakuzë.
Fundja, siç del edhe nga ekspertiza profesionale e avokatit Ramiz Krasniqi, kjo është e sanksionuar edhe në nenin 17 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, i cili thotë: “Kryerësi i veprës është penalisht përgjegjës, nëse është mendërisht i aftë… Personat e papërgjegjshëm nuk mund të shpallen fajtorë”.
Vetëm prokurorët e dikurshëm serbë e jugosllavë sajonin akuza në inkubatorët e inskenimeve politike-policore duke u bazuar në insinuata dhe alibira të rrejshme, për të plotësuar mozaikun me guralecin e radhës që quhej i akuzuar.
Kemi menduar se një shkollë të tillë inskenimesh policore do ta mbajmë mend vetëm si kujtim të keq, por nuk na kishte shkuar asnjëherë ndërmend se mund të vijë një ditë që edhe në Kosovën e lirë e të pavarur dikujt nga politika do t’i teket të huazojë metodat e kësaj shkolle për të luftuar oponentët me shpifje e akuza të fabrikuara. Askujt nuk i ka shkuar ndërmend se një qytetar i lirë i Republikës së Kosovës mund të mbyllet prapa grilave vetëm sepse e ka redaktuar një libër që ia ka prishur gjumin pushtetarëve!
Nëse inkuizicioni mesjetar i digjte librat dhe autorët e librave në turrën e druve, për idetë e tyre që cilësoheshin heretike, inkuizitorët e sotëm e shpikën një formë të re të disiplinimit të redaktorëve të librave, duke i shpallur ata, madje, edhe si ideatorë të krimeve që asnjëherë nuk janë kryer.
Avokati Ramiz Krasniqi, duke e ndjekur hap pas hapi këtë proces të montuar gjyqësor, në mbrojtje të klientit të tij, në fund, ndjehet i lehtësuar, për arsye se, siç e thotë ai, popullit më në fund po i kthehet shpresa ndaj gjyqësorit tonë, duke aluduar në vendimin që e shpallte Sadri Ramabajën të pafajshëm për akuzat që inarkoheshin padrejtësisht.
Kështu, nga ky libër i avokatit Ramiz Krasniqi mund të nxirret mësim me vlerë se labirintet e sistemit të drejtësisë mund të duken të errëta fillimisht, por nëse këtij sistemi i bëhet oponencë e fuqishme me argumente, prova dhe ekspertiza profesionale, siç ndodhi me këtë proces të montuar gjyqësor, ka të ngjarë të provohet se të gjithë fabrikuesit e krimeve imagjinare janë të dobët përballë kauzave të drejta qytetare.
Duke qenë bartësi kryesor i kësaj kauze, Prof. Dr. Sadri Ramabaja, me ndihmën e mbrojtësit të tij, avokatit Ramiz Krasniqit, dhanë një mesazh të fuqishëm për të gjithë ata që aksidentalisht mund të futen në kurthet e mafias politike – duhet të besojnë tek vetja e tyre dhe te pastërtia e ndërgjegjes së tyre, sepse vetëm ato janë garancë që rrëzojnë për tokë çfarëdo lloj djallëzie dhe inskenimi.