Nga Adnan Mehmeti
President i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë
Stamford, 11 tetor 2021 – Kur nisëm rrugëtimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerkanë, nuk menduam që do të vijë dita për të përgatitur historinë e saj disa vjeçare. E sot, pas 20 viteve, po sjellim para lexuesit një botim të cilin e kemi ndarë në dy pjesë. Janë 20 vite histori letrare që ka ndodhur në këtë grupim shkrimtarësh në SHBA.
Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë-Amerikanë që nga viti 2001 u hapi portën atyre që me shkrimet e veprat e tyre do t’i jepnin jetë, jo vetëm rrugës së tyre krijuese, po do të bëheshin edhe urë komunikimi kulturor mes letërsisë që lëvrohet në Amerikë dhe asaj në trojet shqiptare.
Le të kujtojmë se gjatë këtyre dy dekadave janë organizuar aktivitete letrare, si: promovime, panaire librash, udhëtime letrare, përkujtimore, takime shkrimtarësh, konferenca shkencore, audiencë me shkrimtarë, zgjedhje të lira të kryesisë, konkurse letrare, hartime të antologjive, festim përvjetoresh, botime dhe promovime të revistës letrare “PENA”, si dhe pranime e prurje të reja. Mes këtyre veprimtarive do të shtonim edhe përpjekjet për një bibliotekë të anëtarëve të Shoqatës së Shkrimtarëve këtu në Amerikë.
Vëllimi i parë përfshin harkun kohor 2001-2011, nga themelimi deri në festimin e dekadës së parë. Vëllimi i dytë përfshin dekadën e dytë që rrok harkun kohor 2012-2021. Le t’ia lëmë pasardhësve tanë këtë pasuri letrare që përbën dhe një arkiv më vete.
Besojmë dhe shpresojmë se ata që do të vazhdojnë këtë mision letrar, do ta bëjnë shumë më mirë se ne këtë rrugë.
Dhe duke hedhur sërish sytë para, besojmë se drita e shkronjës do jetë më e fortë.
Mbase do kujtuar sot ajo shprehje e urtë e Naim Frashërit “Dhe dritë e diturisë përpara do në shpjerë”. E brenda diturisë, edhe letërsia ka vendin e saj mjaft të domosdoshëm.