Ruben Avxhiu
Lajmi i djegjes së mandateve të Kuvendit është dëshpërues.
Institucionet e demokracisë nuk janë të Edi Ramës. Ato nuk duhet të bojkotohen, nuk duhen lënë jashtë luftës politike. Ato nuk mund të zëvendësohen nga rruga.
Kryetarja e LSI-së tha se do të ishin gati për një qeveri edhe socialiste nëse ikën Rama. Ja po e zëmë një qeveri teknike.
Po kush do ta aprovojë? Nuk ka më prani në parlament.
Mund ta bojkotosh parlamentin pa e djegur mandatin. Mund të dalësh në rrugë dhe të kthehesh për të sanksionuar ndryshimin e fituar.
Çfarë është ky fetish për revolucionin? Për Vitin Zero? E vetmja gjë që është më keq se qeverisja e keqe, madje edhe se diktatura është anarkia.
Socialistët nuk kanë pse ankohen. Ky është libri i tyre i veprimit. Kopjim akoma më i skajshëm, për sjelljen e tyre për zgjedhjet e vitit 2009. Argumenti im në atë kohë ka qenë: do ta kujtoni këtë ditë kur të vini vetë në pushtet. Sjellja e keqe kopjohet. Do ta kujtojnë edhe demokratët kur të kthehen në pushtet, e socialistët do kenë radhën të luajnë rolin e komitit që del në rrugë. Mbase do të vijë një ditë një parti që do të presë 4 vjet pa e bojkotuar parlamentin. Ajo do të ketë mbështetjen time të plotë.
Demokracia derdhet shpesh në rrugë, po njërën dorë partitë politike duhet ta mbajnë te institucionet e demokracisë.
Asnjë nga partitë që ka qeverisur në këto 25 vjet nuk e ka të drejtën morale që të anullojë demokracinë difektoze shqiptare. Ka edhe firmën e tyre. Në garën për të vjedhur zgjedhjet njëra parti do të fitojë gjithmonë. Nuk ka ëngjëj në politikën shqiptare, po të paktën të ruajnë një lloj dekori.
Populli nuk do të jetë nesër në rrugë. Populli ka ngecur mes papërgjegjshmërisë në qeveri dhe asaj në opozitë.
As qeveria e as opozita nuk duhet të ëndërrojë ngritjen vërtet të popullit. Se nuk ka tre palë në atë ekuacion. Ka vetëm dy. Klasa politike dhe populli. Askush që ka gëzuar pushtet nuk duhet të mendojsë se nuk ka asgjë për të humbur. Ndoshta kanë harruar sesi jetojnë pjesa më e madhe e shqiptarëve. E harrojnë sesa të privilegjuar mbeten shumica e tyre edhe kur janë në opozitë.
Anarkia nuk fal askënd dhe përmbysjet e pamenduara mirë prodhojnë drejtësi mizore.
Shpresoj që mendjet e urta që kanë dështuar deri tani, të angazhohen përpara se të jetë vonë. Të moderojnë veprimet. Shihni brenda vetes me modestinë që nuk ju karakterizon. Kuptoni sesa me fat që jeni. Se sa shumë ka nevojë shoqëria shqiptare që të ofroni një alternativë politike serioze e të përgjegjshme. Në mos për të ardhmen e vendit, për hir të privilegjeve dhe suksesit personal e familjar që keni arritur. Për hir të potencialit të madh që ju pret se asnjë pushtet nuk është i përjetshëm. Ndaloni djegien e urave përpara se të jetë vonë.