Një medalje pa lavdi, një debat pa fryte

Nga Ruben Avxhiu

Debatet në Shqipëri janë dëshpëruese.

Jo. Ylli Pampuri nuk ka marrë medalje olimpike në vitin 1972. (Medaljet për grup-peshën e tij në vitin 1972 i gjeni këtu: https://olympics.com/en/olympic-games/munich-1972/results/weightlifting/56-60kg-featherweight-men)

Po. Mbrëmë u fitua medalja e parë olimpike për Shqipërinë, por sporti shqiptar nuk ka ndonjë meritë për këtë. Mundësi gjeorgjian nga Osetia Jugore, nuk deshi të konkurronte për Gjeorgjinë, nuk mundi të konkurronte për Rusinë, dhe mbeti në kërkim të një vendi adoptues.

Pse e pranoi Shqipëria?

Rregullat teknike janë zbutur pak në nivelin olimpik. Mund të marrësh një pasaportë dhe të konkurrosh në emër të një vendi tjetër. Pra gjithnjë e më shumë është vënë në qendër individi dhe jo vendi që përfaqëson. Merre si të duash.

Që këtu fillon absurdi i debateve tona që në fund nuk prodhojnë asgjë të frytshme. Kryeministri ngre në qiell një arritje për të cilën të themi të drejtën nuk kemi ndonjë meritë. I takon ta duartrokasë por zbulon veten kur e paraqet si rezultat i ndonjë pune të madhe. Nga ana tjetër, Opozitarët, në vend të një kritike serioze për gjendjen e sportit, kapen me një detaj e ripërsërisin një legjendë për një medalje që nuk ekziston vetëm nga inati. Po ja po e zëmë se e ka marrë vërtet Pampuri atë medalje. Në vitin 1972! Çfarë është bërë që atëhere në më shumë se 50 vjet? Pse nuk duhet të mburret kryeministri me medaljen e parë në më shumë se gjysëmshekulli? Edhe po ta kishte gabim, kjo nuk do t’i prishte ndonjë punë kryeministrit, aq më tepër që zhurma për këtë detaj, largon vëmendjen nga tema e duhur: pse Shqipëria, e humbi traditën e saj të jashtëzakonshme në peshëngritje dhe konkurron me sportistë të huaj? Po ky kam frikë nuk është më shqetësimi i askujt.

Shiko, një medalje në arkiv nuk është keq. E duam edhe ne emrin e vendit tonë nëpër tabela medaljesh olimpike. Mirëpo, me çfarë fytyre mund ta paraqesësh këtë si fitore të madhe të Shqipërisë.

Nga ana tjetër, Shqipëria ka qenë historikisht viktimë e vjedhjes së lavdisë. Simbol kryesor i këtij fenomeni është Pirro Dhima, një peshëngritës i formuar në Shqipëri, i cili jo vetëm që filloi të përfaqësonte Greqinë, pikërisht kur arriti pjekurinë e tij sportive, duke ia dhënë asaj medaljet e rekordet ndërkombëtare, por hodhi dhe vijon të hedhë baltë mbi Shqipërinë, vendin që e përgatiti dhe e bëri sportist të shquar. Frytet e punës sonë i vodhi një vend tjetër. Të paktën Shqipëria nuk po pretendon se këta sportistë të huaj që konkurrojnë me flamurin e saj janë shqiptarë etnikë.

 

PAMPURI

Tani sapër sqarim për peshëngritësin Ymer Pampurin, i cili mund të ketë qenë vërtet më i mirë në botë për grup-peshën e  tij, në Olimpiadën e vitit 1972 në Mynih të Gjermanisë.

Sipas burimeve të vetë Komitetit Olimpik, që gjenden në faqen e tyre në internet:

Pampuri mori pjesë në garën e peshës 60 kg (që do të thotë të peshëngritësve që peshojnë ndërmjet 56 dhe 60 kilogramë. Pampuri sipas faqes në Wikipedia peshonte 59 kg dhe 350 gram.)

Në garën e forcës, ai ngriti 172.5 kilogramë duke thyer rekordin olimpik. Një arritje e jashtëzakonshme. Por nuk ishte i vetmi. Dy peshëngritës të tjerë, bullgari (turk sipas emrit) Norair Nurikyan dhe sovietiku (gjeorgjian sipas emrit) Dito Shanidze ngritën të njëjtën peshë. Që të tre u njohën si rekordmenë.

Mirëpo, medaljet olimpike nuk jepeshin vetëm për rezultate finale të kombinuara të forcës, shtytjes dhe shkëputjes. Rezultatet mblidheshin me aritmetikë të thjeshtë dhe nxirrej fituesi.

Për fat të keq, në Shqipëri në atë kohë nuk praktikoheshin ende shtytja dhe shkëputja. Të paktën kështu thotë kjo faqe në arkivin e Lojërave Olimpike në internet (https://olympics.com/en/athletes/ymer-pampuri). Megjithatë, Pampuri i provoi të konkurronte edhe në dy stilet e tjera, por rezultatet nuk ishin si në atë të forcës. Ai ngriti përkatësisht 90kg dhe 125 kg, të cilat nuk ishin rezultate të mira. Më një total 342.5 kg, ai zbriti në vendin e 9.

Dy rivalët me të cilët kishte konkuruar me sukses në stilin forcës patën rezultate më të mira.

Bullgari Nuryikan theu rekordin botëror në shkëputje me 157.5 kg dhe ngriti 117,5 kg në garën tjetër. Me një total 402.5 kg u shpall fitues dhe mori medaljen e artë të olimpiadës.

Sovietiku Shanidze (lexo Shanixhe) arriti toalin 400.0 kg dhe mori medaljen e argjendtë.

János Benedek i Hungarisë, i cili në garën e forcës kishte mbetur prapa tyre dhe Pampurit, me vetëm 125 kg, ngriti respektivisht 120 dhe 152.5 kg në garat e shtytjes dhe shkëputjes dhe me një total 390.0 kg zuri vendin e tretë dhe mori medaljen e bronxit.

(I shikoni vetë këtu rezultatet e të gjithë pjesëmarrësve: https://en.wikipedia.org/wiki/Weightlifting_at_the_1972_Summer_Olympics_%E2%80%93_Men%27s_60_kg)

Kur mendon kushtet nga të cilat vinte Ymer Pampuri, mungesën e stërvitjes profesionale, mungesën e njohjes së disiplinave dhe përgatitjes së nevojshme, mund të themi pa frikë që ishte një talent i paparë botëror.

Do ta kishte marrë medaljen olimpike nëse jepej për secilin stil në veçanti dhe jo vetëm për stilet e kombinuara për çdo grup-peshë.

Suksesi i tij mund të ketë frymëzuar një investim të vërtetë shumë më të madh në sportin e peshëngritjes duke shtruar rrugën nëpër të cilën ecën e u rritën më vonë, Pirro Dhima me shokë.

 

A KA INTERES PËR TA ZHVILLUAR SPORTIN NË SHQIPËRI?

Komunizmin e shajmë për një milion arsye, por financimi për ekipet zinxhir që fillonin që nga fëminia përgatitjen e sportistëve të ardhshëm është diçka që nuk e kemi zëvendësuar dot. Kjo kërkon investim afatgjatë nga ana e shtetit, një punë e cila qendron në heshtje për vite në mos dekada me radhë deri sa fillon të japë fryte. Kjo shkon ndesh me kulturën e sotme ku të gjitha investimet, duke nisur që nga më të thjeshtat në biznes, synojnë vetëm fitimin e menjëhershëm.

Pse të mendojmë për të krijuar një sportist pas 10-15 vitesh kur mund ta blejmë një të gatshëm sot duke i dhënë pasaportën? Kombëtaret i formojmë me lojtarë të rritur jashtë, për klubet brenda marrim lojtarë nga vende më të varfra. Kjo i ngjan pak asaj prishjes së fabrikave fitimprurësenë Shqipëri që të bëjnë para tregëtarët. Pse të investohej në bujqësinë shqiptare kur fitohet shumë më mirë dhe lehtë duke bërë tregëti duke i sjellë prodhimet nga jashtë.

Supozohet që dalëngadalë shoqëria fillon stabilizohet dhe rikthehet te prodhimi i brendshëm, por në realitet jetojmë në një botë globale që e dekurajon këtë normalitet.

Sporti është pjesë e kësaj bote. Pse do të çojë fonde një ministër apo kryeministër për një punë rezultatet e të cilës do të jepnin fryte kur dikush tjetër të jetë në pushtet e të marrë meritën.

 

Në fund, mos u lodhni të kërkoni nga Federata e Peshëngritjes së Shqipërisë, një arkiv të kampionateve tona kombëtare të peshëngritjes, me shpjegim për stilet, rezultate në vite etj. Historia jonë rifillon nga zero sa herë ndërrohen kryetarët, kryeministrat, administratat.

Për fat të mirë, ka pasur gazetarë si Besnik Dizdari që kanë hedhur pak dritë mbi historinë e sportit shqiptar, edhe në peshëngritje, pavarësisht se mungesat mbeten të mëdha. (Këtu trajton dhe rastin Pampuri: https://www.panorama.com.al/sport/speciale-nga-besnik-dizdari-1972-2022-nga-ymer-pampuri-e-briken-calja-te-zelimkhan-abakarov/)

Ne nuk e shkruajmë e ruajmë historinë. Pastaj thurrim legjenda e mite, e bëjnë mbrëmjeve bëjmë debate të zjarrta, që nuk nxjerrin asnjë përfundim e përfitim, e harrohen kur vjen mëngjesi