Ruben Avxhiu
Sot, Izraeli është kaq i vendosur të shkatërrojë Hamasin sa që nuk po kursen as imazhin e tij publik, të dëmtuar rëndë nga pamjet e civilëve të vrarë. Aq e rëndësishme i duket kjo ndërmarrje.
Në ditë si këto, të duket e pabesueshme që për disa dekada, madje deri vonë, Izraeli dhe udhëheqësit dhe themeluesit e Hamasit si dhe ideologët islamistë arabë të rajonit ishin aleatë dhe ndihmonin njëri-tjetrin.
Sigurisht, ishte një botë tjetër shumë më e ndryshme kur nisi ky bashkëpunim. Militantët arabë që vriteshin duke luftuar me Izraelin nuk faleshin duke u kthyer nga Meka por nga Moska. Bashkimi Sovietik furnizonte Organizatën për Çlirimin e Palestinës me para, armë dhe ide majtiste.
Arabët në atë kohë e shihnin fenë si diçka që lidhej më shumë me baballarët e tyre dhe moshat e vjetra. Fenë e lidhnin me diktatorët që e përdornin si mjet për të përforcuar shtypjen e masave. Palestina frymëzohej nga ish-kolonitë afrikane që kishin fituar pavarësinë dhe jo nga historitë e Profetit Muhamed dhe bashkëluftëtarëve të tij.
OÇP-ja që do të themelonte më vonë Autoritetin Palestinez, i cili sot shihet si krahu i paqes dhe kompromisit në Lindjen e Mesme, në atë kohë shihej si përfaqësuesja e ekstremizmit të frikshëm. Mbiemri i preferuar i terrorizmit të asaj kohe ishte i kuq dhe jo islamik. Ngjarja më tronditëse kishte qenë atentati terrorist që vrau sportistët e ekipit të Izraelit që po merrnin pjesë në Olimpiadën Botërore të Mynihut.
Në këto rrethana, Izraeli shikonte me dashamirësi dhe shpresë islamistët dhe ideologët e tyre që një ditë do të themelonin Hamasin. Këta ishin më pak të shqetësuar nëse duhej të kishte një shtet më shumë arab në Lindjen e Mesme se sa tmerroheshin nga shpërfillja e të rinjve për botën e përtejme.
Sot Gaza është kala e Hamasit islamist por në vitet që po flas ishte ende e pushtuar prej Egjiptit pro-sovietik dhe anti-perëndimor. Aty islamistët persekutoheshin, burgoseshin dhe dëboheshin. Në vitin 1967, tri shtete arabe sulmuan Izraelin me shpresën për ta shpartalluar njëherë e përgjithmonë. Por Izraeli i mposhti që të treja, duke arritur një fitore të shkëlqyer historike. Pas kësaj Rripi i Gazës ra në duart e izraelitëve dhe bashkë me ta hynë edhe islamistët.
Izraeli kishte interes që ata të forcoheshin. Me përqendrimin e tyre në edukim dhe shërbimet mjekësore, me mosbesimin dhe urrejtjen për komunizmin dhe synimet sovietike ata shërbenin si një kundërpeshë bindëse për propagandën e OÇP-së së Jaser Arafatit.
Veprimi taktik i Izraelit ishte i shkëlqyer. Vizioni strategjik ishte katastrofal. Lëvizja çlirimtare sekulariste ishte e prirur për të bërë një kompromis, që skicua si në fund si “tokë në shkëmbim të paqes”. Dy shtete Palestina dhe Izraeli do të krijoheshin krah për krah, duke qenë se askush nuk e mundte plotësisht dot tjetrin.
Po kjo llogjikë e kompromisit përshkak të peshores së forcave ecën në botën e politikës por jo në atë të misioneve e destinacioneve fetare. Islamistët të cilët kishin formuar më në fund Hamasin, kishin një agjendë tjetër, e cila nuk dekurajohej nga pafuqia ushtarake. Në fund të fundit, humbja në fushën e betejës, vdekja për kauzën ishte një fitore më vete. Vdekja e civilëve më pak e tmerrshme nëse mendon se shkojnë në xhenet.
Intifada e parë e vitit 1987 mund edhe të ishte shmangur por zbritja e Hamasit në fushëbetejë ishte si një kronikë e një katastrofe të paralajmëruar. Organizata të tjera fetare të dhunshme si Xhihadi Islamik konkurronin në të njëjtën linjë. Në vitin 1992, ndërsa OÇP-ja përgatiste një të ardhme paqësore me një shtet palestinez, Hamasi krijoi krahun e vet ushtarak, Brigadat Kasem.
Hamasi sanksionoi në programin e vet shkatërrimin e plotë të Izraelit, vendosjen e shtetit nga “lumi në det”, marrjen në dorë të Jeruzalemit, jo për shkak të vetëvendosjes palestineze por si vendi i tretë më i shenjtë islamik pas Mekës dhe Medinës. Nuk ka tavolinë negociatash që e qetëson këtë ambicje.
Ndërsa Autoriteti Palestinez zhytej në korrupsion dhe degradim, Hamasi u ngrit në sytë e palestinezëve si forcë me integritet moral dhe trimëri. Edhe koha ndryshoi, tani në xhamitë arabe shkonin moshat e reja dhe jo pleqtë. Rryma të caktuara fetare po shërbenin që feja të shihej jo më si aleate e diktatorëve po radikalizuese dhe mobilizuese e të rinjve pa të ardhme.
Në fund, kjo prirje vrau një shans të madh të paqes që mund të mos vijë më. Momentin kur Bashkimi Sovietik u rrëzua dhe dëshira e Izraelit për ta shuar me forcë rezistencën palestineze u ndalua nga ngulmimi i SHBA-së për një zgjidhje paqësore afatgjatë në vend të asaj të dhunshme.
Por Izraeli po bënte paqe me organizatën që po humbiste legjitimitetin si përfaqësuese e popullit arab të territoreve.
Kur në mesin e dekadës së kaluar, Presidenti George W Bush, me obsesionin e tij për përhapjen e demokracisë në Lindjen e Mesme, këmbënguli se përpara se të rifillonin bisedimet për paqe palestinezët duhej ta thonin me votë se kë dëshironin të kishin në krye, rezultatet ishin domethënëse. Gaza votoi gjerësisht për Hamasin, duke shokuar ata që mendonin se grupi islamist gëzonte vetëm mbështetjen e një pakice radikale.
Ishte në fakt, një shans historik për vetë Hamasin që të transformohej në një parti politike vizionare që do të qeveriste shtetin e ardhshëm. Po nëse OÇP/Autoriteti Palestinez/Fatah kishin zbuluar famën dhe miliardat që vinin nga paqja, Hamasi kishte zbuluar famën dhe miliardat që vinin nga agjenda ekstreme fetare, industria e luftës dhe qendrimet anti-perëndimore. Paqja u perceptua si rrezik ekzistencial për organizatën.
Në kuadrin taktik pra, futja e elementit fetar në politikën palestineze i ka shërbyer Izraelit në planet afatshkurtra taktike. Që nga justifikimi se janë vetë palestinezët që nuk duan paqe, te hija e terrorizmit islamik e deri te lufta vëllavrasëse që u zhvillua mes grupeve Hamas dhe Fatah, për dominim ushtarak e politik. (Nganjëherë kjo armiqësi mes tyre ia kalon armiqësisë me Izraelin. Në fund të fundit, në sytë e të dyjave Izraeli është një armik i përkohshëm. Shteti palestinez është një premtim i garantuar në të ardhmen e mesme. Ajo që nuk dihet është çfarë shteti do të jetë ai që do të krijohet. Një shtet fetar apo laik, diktatorial apo liberal demokratik, njëpartiak apo pluralist, oriental apo perëndimor etj. Kjo betejë mes vizionesh mund të vlojë edhe shumë kohë pasi ajo me Izraelin do të ketë mbaruar.)
Sot, nëse do të kishin mundësi të ktheheshin në kohë, izraelitët që ndihmuan në instalimin e islamistëve në Gaza do të bënin çmos që kundërshtarët e tyre të mbeteshin ata të frikshmit e asaj kohe, ithtarët e Guevarës e të Kastros, socialistët e nacionalistët, anti-kolonialistët e anti-imperialistët.
Sot, shumë izraelitë janë të bindur se Hamasi duhet zhdukur sado viktima civile që të ketë lufta, sepse shumë më tepër civilë do të vdesin nga vazhdimësia e tij si forcë shkatërruese e proceseve normale politike në rajon. Po mund të jetë edhe një përpjekje e kotë. Disa argumentojnë se pikërisht vrasja e civilëve ia zgjat jetën Hamasit.
Unë nuk jam nga ata që gjej ngjashmëri në kauzën palestineze me atë shqiptare, apo që predikoj solidaritet mes të dyjave. Por nuk mund ta lexosh këtë histori pa kujtuar disi tokat shqiptare ku elitat politike e akademike serbe, maqedonase etj kanë parë një avantazh në depërtimin e kauzës fetare në luftën kombëtare të shqiptarëve. Ato kanë parë te kauza fetare ose një lloj kundërshtari më të dobët ose një lloj aleati të pamundur që do të bënte shqiptarët të ngatërronin luftën për synimet e arritshme rajonale të çlirimit kombëtar, me ato të ndërlikuara të Islamit global në një rajon pa lidhje të vazhdueshme tokësore me pjesën tjetër të botës myslimane. Një rajon e ardhmja e të cilit parashikohet të jetë në kuadrin e Bashkimit Europian.
Të trembur nga ajo që e shohin si një aleancë mes Perëndimit dhe shqiptarëve, elitat nacionaliste fqinje ëndërrojnë një përmbysje të raporteve me të cilën ata bëhen përfaqësuesit dhe aleatët e Perëndimit të fuqishëm, kurse shqiptarët me dorën e tyre zgjedhin aletrnativën më të dobët ushtarake dhe kauzën më të pamundur politike.
Në opinionin publik shqiptar rigjallërimi i fesë ka sjellë shumë më tepër debate për myslimanët sesa për fetarët e tjerë. Disa myslimanë thonë se kjo bëhet përshkak të paragjykimeve, ndërsa disa kritikë të tyre tregojnë me gisht nga ndërhyrjet e radikalizmit global që po vret traditën lokale të “Islamit shqiptar”. Këta të fundit thonë se të njëjtin qendrim kritik mbajnë edhe ndaj Kishës Ortodokse për shkak të një të huaji në krye të saj. Këta kritikë nga ana tjetër akuzohen se nacionalizmi i tyre është i kuq si ai i regjimit që ndaloi fenë në Shqipëri.
Në fakt, nuk është sekret se serbët dhe maqedonasit kanë kërkuar me ngulm të përballen me shqiptarët në fushën fetare sesa në atë kombëtare. Pse të mos e duan. Nëse konflikti është fetar, shqiptarët do të shkojnë në luftë të përçarë dhe pa të gjitha forcat e tyre të angazhuara. Ata nuk do të kenë mbështetje të aleancave më të fuqishme dhe krimet e natyrës terroriste të disa organizatave të Lindjes së Mesme, apo aziatike do t’u vishen edhe organizatave shqiptare për të justifikuar pastaj dhunën ndaj tyre.
60 vjet më parë kur Greqia vrau dhe dëboi me dhunë shqiptarët nga Çamëria, ajo u kujdes që të sulmoheshin vetëm shqiptarët myslimanë. Ortodoksit u nënshtruan dhe bënë paqe me krimin. Disa sepse u tmerruan nga dhuna mbi fqinjët e tyre, të tjerë u gënjyen nga propaganda fetare ose u blenë nga dhurimi i pronave dhe pozitave të mbetura pa zot. Çamëria nuk do të kishte shpëtuar gjithësesi nëse shqiptarët do të kishin rezistuar së bashku, por çështja do të kishte qenë ndryshe dhe lufta e sotme shumë më e lehtë për t’u fituar.
Kur Drashkoviçi u shfaq në Europë në fillim të viteve 90 duke folur me zë të lartë kundër diktatorit Sllobodan Millosheviç, liberalët perëndimorë të entuziasmuar e pyetën edhe për Kosovën. Patjetër, tha ai, edhe shqiptarët do t’i gëzojnë xhamitë dhe të drejtat e tyre fetare. Ky mbrojtës i demokracisë në Jugosllavi ishte i vendosur ta kategorizonte konfliktin me shqiptarët si një konflikt fetar.
Sot, në Malin e Zi, Podgorica tregon kujdes që t’i përshtatet në Malësi disa kërkesave të myslimanëve shqiptarë duke rënduar dorën kundër katolikëve. Puna nuk ka qenë pa fryte. Disa nga debatet mes shqiptarëve aty janë me të vërtetë të pabesueshme duke menduar se sa është margjinalizuar roli i shqiptarëve në një hapësirë që jo vetëm ka qenë autoktone po që ka një rol të jashtëzakonshëm në historinë, kulturën dhe traditat shqiptare.
Në Maqedoni, së fundi, një vendim gjyqësor me akuza për terrorizëm, në mënyrë shumë dashakeqe jepet në ditën e dytë të Ramazanit. Dihet që do të ketë një protestë shqiptare për këtë dënim në fund të një hetimi të dyshimtë dhe një gjykimi të përshpejtuar. Atëhere të paktën të kthehet në një protest fetare. Si çështja ashtu edhe data e verdiktit kanë si qëllim që të provokojnë ndjenjat fetare. Aty është prita ku preferojnë të ndeshen maqedonasit.
Historia tregon se ata që kanë sjellë fenë në konflikte të tilla janë penduar se u ka dalë shumë më keq. Edhe vetë SHBA fuqia më e madhe e botës nëse do të mund të kthehej mbrapsh nuk do ta kishte mobilizuar Bin Ladenin në luftën çlirimtare kombëtare të afganëve.
Demokracia nuk mund të vijë pa të drejta e liri fetare dhe disa zgjedhje kanë qenë të natyrshme. Po keqpërdorimi i fesë nga ekstremistët ashtu si keqpërdorimi i ideologjive politike sjell dëme afatgjata.
Ajo që na intereson ne nuk është se sa keq mund t’u dalë fqinjëve tanë nga kjo lojë. Në fund të fundit, Greqia e bëri krimin në një kohë kur ende mund t’ia hidhje. Po hesapet e Serbisë në Bosnje nuk kanë mbaruar ende e Maqedonia vetëm sa po zbulon se me çfarë po luan.
Ajo që na intereson ne është se si do të ndikojë ringjallja fetare në planin afatgjat në botën shqiptare. Jo të gjithë popujt kanë mundur të harmonizojnë aspiratat fetare me ato kombëtare dhe askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të ndodhte fjala vjen nëse një islamizëm virulent do të fuqizohej aq shumë sa t’i imponohej kauzës kombëtare shqiptare. As se cilat janë pasojat afatgjata të një udhëheqësi me kombësi greke në krye të një kishe të dizajnuar për të qenë kombëtare e për të vijëzuar identitetin shqiptar e jogrek të një pjese të ortodoksëve të Ballkanit. As nuk e dimë se deri në çfarë pike dëshira shqiptare për integrim me Perëndimin do të interpretohet e përjetohet si prokatolicizëm nga fetarët që janë të interesuar vetëm në forcimin e feve të tyre pa interes për ecurinë kombëtare.
Por, në një plan më afatshkurtër, sot kur shqiptarët kanë kohë që debatojnë për influencën islamike në Maqedoni dhe për domethënien e flamujve jeshilë në protestat e Shkupit, është ndoshta me vlerë të kujtohen rastet e Kosovës dhe të Gazës. Njëra kundërshtoi përpjekjen për fetarizimin e kauzës ndërsa tjera e përqafoi atë. Kosova u pavarësua në kohë rekord, Gaza është futur në një rrugë pa krye.
Shumë do të varet nga vetë myslimanët shqiptarë. Janë ata që do të vendosin nëse debatin për rolin e fesë në shoqëri do ta fillojnë kur ende nuk është zgjidhur çështja kombëtare apo do të dinë të gjejnë harmoninë mes sentimenteve të tyre politike e shpirtërore. Ata sigurisht do të kenë nevojë jo për paragjykimin po për durimin, mirëkuptimin dhe besimin e vëllezërve e motrave të tyre jomyslimanë.
Shqiptarët karakterizohen nga një mozaik i vërtetë shumëfetar. Po ata vetë do të vendosin nëse do ta përdorin këtë si një bekim e një fat me mundësi të shumta në rrugën drejt të ardhmes, apo si një mallkim që do t’i përçajë e do t’i fundosë në një konflikt të dhunës ricikluese si ajo që shohim çdo disa vite në Gaza e më gjerë në Lindjen e Mesme.