Një muaj paraburgim dy të dyshuarve të tjerë për sulmin në veri

Prishtinë, 26 shtator 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar një muaj paraburgim për dy të dyshuarit e tjerë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë më 24 shtator.

Lajmin për Radion Evropa e Lirë e konfirmoi zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.

Të dyshuarit, të identifikuar me iniciale B.S dhe D.M akuzohen për veprat penale: Kryerja e veprave terroriste dhe vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Një ditë më herët, autoritetet shqiptuan të njëjtën masë të sigurisë ndaj V.T. Seanca dëgjimore për të u mbajt në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku ai po merr trajtimin.

Tre sulmues u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit në Manastirin e Banjskës, ku u barrikadua grupi i armatosur. Tetë të tjerë janë arrestuar gjatë operacionit policor të hënën dhe të martën.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka akuzuar nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, për organizimin e sulmit. Të martën, ai e publikoi një video të incizuar me dron, ku shihet Radoiçiqi i armatosur mes pjesëtarëve tjerë të grupit në Banjskë.

(r.m.)