Një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për spiunazh

Prishtinë, 6 qershor 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar të enjten masën e paraburgimit prej një muaji dBedri Shabanit e Muharrem Qerimit, të cilët u arrestuan një ditë më parë nën dyshimin për spiunazh.

Gjykata bëri të ditur se gjyqtari e pranoi si të bazuar kërkesën e prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit kundër dy të pandehurve për spiunazh.

“Gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi nëse të pandehurit lihen në liri, të njëjtit mund të jenë të paarritshëm për procedurën penale, dhe ka rrezik të ikjes. Po ashtu, gjykata vlerësoi se, nëse të pandehurit do të jenë në liri, mund të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë ose falsifikojnë provat e veprave penale, ose do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale”, thuhet në njoftim.

Gjykata njoftoi se ndaj të pandehurit Muharrem Qerimi iu caktua masa e sigurisë prej një muaji paraburgim edhe për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve

Prokuroria e Kosovës bëri të ditur më 5 qershor se dy shtetasit kosovarë u arrestuan pas një hetimi disamujor dhe se i ngarkon ata me veprën penale “spiunazh”.

Policia e Kosovës njoftoi të enjten se gjatë arrestimit të dy të dyshuarve për kryerjen e veprës penale “spiunazhi” ka sekuestruar prova materiale.

 “Gjatë kontrollit në lokacionin e dy të dyshuarve, meshkuj nga Kosova, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuter, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione,

Autoritetet nuk kanë treguar se për kë kanë spiunuar dy të arrestuarit. Por, burime brenda institucioneve të sigurisë kanë thënë se ata dyshohet se kanë spiunuar për Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA).

(r.m.)