Prishtinë, 12 dhjetor 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar një muaj paraburgim ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale të terrorizmit.
Lajmin e ka konfirmuar për mediet e Kosovës, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Pantiq është arrestuar më 10 dhjetor në pikëkalimin kufitar në Jarinjë. Arrestimi i tij ka nxitur reagime të ashpra të udhëheqësve të Listës Serbe dhe autoriteve në serbi.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se Pantiq dyshohet për sulm terrorist ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor dhe zyrtarëve të Policisë së Kosovës..
“Policia e Kosovës sot ka ndaluar në Pikën Kufitare në Jarinje ish zyrtarin policor, ish pjesëtarin e MUP-it i cili ishte integruar më parë në Policinë e Kosovës, Dejan Pantiç. I ndaluari sipas dëshmive të Policisë së Kosovës ka organizuar sulmin terrorist në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policor. Pantiç akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues”, shkruante Sveçla në Facebook.
(r.m.)