Një muaj paraburgim për të dyshuarin për plagosjen e dy të rinjve serbë në Shtërpcë

Prishtinë, 8 janar 2023 – Gjykata Themelore në Ferizaj ka vendosur një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit me inicialet A.K. i moshës 33-vjeçare, për plagosjen e dy personave në Shtërpcë, komunë e banuar me shumicë serbe.

Seanca gjyqësore për caktimin e masës ndaj pjesëtarit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili dyshohet se ka plagosur dy të rinj serbë, u mbajt të dielen.

Në njoftimin e kësaj gjykate thuhet se është vlerësuar se ekziston dyshimi që në një fshat të Komunës së Shtërpcës, i dyshuari me dashje ka tentuar që t’i privojë nga jeta të dëmtuarit M.S dhe S.S.

Më tej bëhet e ditur se në kundërshtim me Ligjin për armët në Kosovë, i dyshuari ka përdorur armën me leje.

Më 6 janar Policia e Kosovës (PK) njoftoi se dy persona, njëri rreth 11-vjeçar dhe tjetri rreth 21-vjeçar, janë plagosur me armë zjarri, në fshatin Drajkovc në këtë komunë të banuar me shumicë serbe.

Lidhur me rastin, në po të njëjtën ditë, PK-ja ka identifikuar e më pas ka arrestuar të dyshuarin A.K.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj njoftoi të premten se në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë ishte përfshirë “një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës” dhe se me të janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë.

Ndaj incidentit në Shtërpcë kanë reaguar të premten edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti.

Osmani tha se “plagosja e të rinjve 11 dhe 21-vjeçar në Shtërpcë është akt i patolerueshëm” dhe se autori duhet të vihet para drejtësisë. Ndërsa Kurti tha se është “thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre”.

Edhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë e kanë dënuar incidentin në këtë komunë të banuar me shumicë serbe.

Pas plagosjes së dy të rinjve serbë, të dielen u protestua në Shtërpcë.

Aty u tha se protesta u organizua pas “shtypjes së vazhdueshme të serbëve në Kosovë”.

(REL)