Prishtinë, 12 tetor 2021 – Gjykata Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të të arrestuarve që dyshohen për terrorizëm.
Ardijan Gjuraj, Nuhredin Skenderi, Ergim Syla, Mentor Bellaqa e Shkodran Krasniqi, të dyshuar për vepra që ndërlidhen me terrorizëm, u arrestuan nga Policia e Kosovës të dielën.
Sipas njërit prej avokatëve mbrojtës, të arrestuarit akuzohen “për përgatitjen e sulmeve terroriste ndaj rendit kushtetues”.
Sipas Prokurorisë Speciale, të arrestuarit dyshohen për veprat penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës”, “Kryerja e veprës terroriste” si dhe për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Po ashtu të arrestuarit dyshohen për veprën “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Avokati i 25-vjeçarit nga Prizreni, Nehrudin Skenderi, TomëGashi, tha se klienti i tij ishte arrestuar edhe më parë për vepra të tilla, por ishte liruar në mungesë të provave.
“Prokuroria i ka quajtur si grup që kanë përgatitur fonde dhe që kanë blerë armatim. Ne nuk e dimë nëse kjo është e vërtetë dhe nëse është blerë ndonjë armatim prej tyre, por jo prej Nehrudin Skenderit, definitivisht. Këtë e pranon edhe Prokuroria. Atëherë, për çfarë ka pasur të përdoret ky armatim?”, tha Gashi.
Kurse avokati i Ardian Gjurajt, Arben Kelmendi, tha se organet e ndjekjes nuk kanë ofruar prova për të cilat fajësohet klienti i tij.
“Vetëm dyshime dhe supozime të tyre dhe të paargumentuara dhe të pabazuara, ku Prokuroria Speciale asnjë provë nuk e ka dhënë dhe asnjë argument të specifikuar, konkretisht se çka ka bërë i mbrojturi im. As nuk është kreu (i grupit), as nuk ka lidhje me armët, as s’ka asnjë argument asnjë dyshim ndaj të njëjtit”, tha ai.
Veprat për të cilat dyshohen të arrestuarit përfshijnë dënime deri në pesë vjet burgim.
(r.m.)