Gjykata Speciale – një sulm i drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit ligjor të Kosovës
Nga Ruben Avxhiu
Nuk mund të thotë kush se nuk ka pasur paralajmërime. Në një intervistë që bëra, në vitin 2014, me James Pettifer, studiues dhe autor i një numri librash për Kosovën dhe Ballkanin, në vitin 2014, ai paralajmëroi se ky do të jetë:
Një Tribunal i diskutueshëm i jashtëm, i menduar keq, me kompetenca të papërcaktuara, vetëm sa do të rihapë plagët e vjetra dhe do të përkeqësojë pajtimin e vërtetë. Dhe pse po veçohet Kosova? A do të vendoset një Tribunal i tillë edhe në Serbi? Ambasadori amerikan duhet t’i përgjigjet shqetësimit publik lidhur me këtë pyetje.
Sipas autorit britanik, e gjithë është një përpjekje e Perëndimit që të bindë Serbinë të mos ndjekë shembullin e Rusisë me Ukrainën (një paralele interesante me ditët tona kur kujton se këto fjalë u thanë në vitin 2014).
Ai thotë edhe se Gjykata Speciale është gatuar si ide nga një pjesë e komunitetit ndërkombëtar që nuk e kanë përtypur dot kurrë idenë e pavarësisë së Kosovës.
Intervistën e plotë mund ta lexoni këtu:
Zoti Pettifer, në një koment të kohëve të fundit, për gazetën “Illyria”, keni shprehur dyshimet tuaja për gjykatën speciale që po debatohet në Kosovë. Çfarë nuk shkon me të nga këndvështrimi juaj?
James Pettifer: Mendova se komenti për këtë çështje në faqen e internetit të Illyria ka qenë përgjithësisht shumë i mirë. Në thelb, çështja ka të bëjë me përpjekjet e disa segmenteve në bashkësinë ndërkombëtare, të cilët kurrë nuk kanë qenë dashamirës ndaj pavarësisë së Kosovës, për ta minuar atë pavarësi. Çelësi për ta bërë këtë është të minojnë sistemin ligjor të një vendi dhe demokracinë e tij praktike politike. Kuvendi i Kosovës mori vendim në vitin 2013 se kishte ardhur koha që misioni i EULEX-it për sundimin e ligjit të përfundonte dhe Kosova të jetë përgjegjëse për sistemin e saj ligjor. Përpjekja për të zgjatur mandatin e EULEX-it përmes themelimit të Tribunalit të propozuar është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit ligjor të Kosovës.
Pse mendoni se ka kaq shumë presion në këtë kohë për këtë nga qeveritë e vendeve të cilat në aspekte të tjera mbështesin dhe ndihmojnë Republikën e re të Kosovës?
Pse po ndodh kjo tani? Mendoj se ka një përgjigje shumë të thjeshtë për këtë. Komuniteti ndërkombëtar është e frikësuar nga sukseset e politikës ruse në Ukrainë dhe mjafton të shikoni ndonjëherë gazetat e Beogradit për të parë se sa nga afër po shikohet e gjithë kjo në Serbi.
Rusia për mendimin tim ka një ndikim ekonomik në rritje në Serbi dhe komuniteti ndërkombëtar ka frikë se Beogradi do të lëvizë në një moment të ardhshëm për aneksimin e pjesës së Kosovës në veri të lumit Ibër.
Për të joshur Beogradin lidhur me politikën e Kosovës që të mbahet gjallë ‘procesi i paqes’ ndërmjetësuar nga Baronesha Ashton, po ofrohet përpjekja për të sulmuar ish-udhëheqjen e UÇK-së, shumë prej të cilëve jo vetëm vepruan heroikisht në periudhën e luftës, por edhe kanë demonstruar përkushtimin e tyre për paqen dhe pajtimin në Kosovën e pas konfliktit. Ky proces i paqes ka përfshirë lëshime të pafundme të njëanshme nga Prishtina dhe ka pak për ta rekomanduar.
Çfarë duhet të bëjnë politikanët kosovarë?
Kjo nuk është rruga përpara – pretendimet e Martit mbi të cilat duket se është bazuar kjo lëvizje janë diskutuar dhe analizuar gjerësisht për më shumë se tre vjet dhe nëse nuk prodhohet diçka e re në aspektin e provave të forta, nuk ka asnjë bazë për ndonjë bashkëpunim me Kosovën. me një Tribunal të tillë të imponuar nga jashtë dhe të frymëzuar politikisht. Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta refuzojnë këtë javë dhe të thonë se nëse formohet nuk duhet të ketë asnjë bashkëpunim me të.
Gjithashtu duhet të miratohet një mocion që rikonfirmon vendimin e vitit të kaluar për përfundimin e EULEX-it brenda një afati kohor të dakorduar dhe të shpejtë.
Është edhe një çështje, një turp, puna e të huajve që jetojnë në të kaluarën kur LDK-ja kishte monopol politik në disa vende si pjesë të Gjermanisë duke bërë ndërhyrje të keqinformuara në politikën e brendshme të Kosovës.
Ekziston një argument se nëse Kosova do t’i thotë Jo kësaj gjykate, atëherë do të dukej sikur kosovarëve u mungon vullneti për të hetuar krimet që kanë ndodhur gjatë luftës. Ose që njerëzit në qeveri dhe në parlament kanë diçka për të fshehur për atë që duhet hetuar. A ka kuptim ky arsyetim?
Unë nuk e pranoj këtë, jo. Shqiptarët e Kosovës kanë një histori të gjatë bashkëpunimi pozitiv me Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës për Krimet në Ish-Jugosllavi dhe organe të tjera gjyqësore ndërkombëtare. Hetuesit e huaj policorë kanë punuar në Kosovë për shumë vite me dijeninë e qeverisë së Prishtinës
Nuk ka asnjë meritë në përgjigjet neurotike justifikuese të atij opinioni ndërkombëtar që kurrë nuk e ka mbështetur luftën për një Kosovë të lirë dhe demokratike. Qeveria dhe të gjithë liderët e Kosovës duhet të jenë krenarë për të kaluarën e tyre.
Një nga librat tuaj të fundit ofron një hulumtim të rëndësishëm mbi rrënjët historike të lëvizjeve që i paraprinë dhe në një farë mënyre i hapën rrugën UÇK-së. (Ushtria Çlirimtare e Kosovës: Lufta e nëndheshme ndaj kryengritjes ballkanike, 1948-2001). Sipas jush, a do të ndikojnë gjykatat dhe tribunalet në trashëgiminë e UÇK-së dhe në një kontekst më të gjerë në luftën çlirimtare të Kosovës?
Në çdo luftë ka akte dhe krime të dhunshme, dhe nëse krimet e luftës janë kryer nga dikush, në të dyja anët, ato duhet të ekspozohen dhe t’i nënshtrohen procesit gjyqësor. Por ligjet tashmë ekzistojnë si në Kosovë ashtu edhe në Serbi që e inkurajojnë këtë dhe është bërë njëfarë progresi. Një Tribunal i diskutueshëm i jashtëm, i menduar keq, me kompetenca të papërcaktuara, vetëm sa do të rihapë plagët e vjetra dhe do të përkeqësojë pajtimin e vërtetë. Dhe pse po veçohet Kosova? A do të vendoset një Tribunal i tillë edhe në Serbi? Ambasadori amerikan duhet t’i përgjigjet shqetësimit publik lidhur me këtë pyetje.