Një peshkaqen “dhelpër”, i gjatë 1.5 metra, bie në rrjetat e peshkatarëve në Sarandë

Sarandë, 29 dhjetor 2022 – Një peshkaqen “dhelpër”, I gjatë 1.5 metra, ka rënë në rrjetat e dy peshkatarëve sarandiotë, të  mërkurën gjatë natës, shkruan gazeta shqiptare.

Herët në mëngjes të ditës së sotme, peshkatarët Mateo Gugashi dhe Spartak Ahmeti ose Taku i Malisë, siç e njohin në Sarandë, u nisën si zakonisht për të ngritur rrjetat e peshkimit të hedhura ditën e djeshme në vendin e quajtur Pogajet.

Dëshira dhe shpresa e tyre ishte që në prag të Vitit të Ri gjuetia t’u sillte bereqet dhe vërtet ashtu doli. Pasi mbërritën në vendin ku i kishin hedhur rrjetat dhe gjetën simallurën e fundit, filluan të tërhiqnin rrjetat, por, për habi, ata ndjenë se diçka jo e zakonshme po ndodhte në fundin e detit.

Në këto kushte peshkatari Mateo kërkoi ndihmën e Takut dhe të dy filluan të tërhiqnin me vështirësi rrjetat dhe t’i hidhnin në skaf.

Duke i ngritur rrjetat u habitën kur panë rrjetat të coptuara. Menjëherë kuptuan se një egërsirë e madhe ua kishte coptuar rrjetat.

Kur rrjetat u afruan ata e panë një peshk gjigand. Në rrjetat e tyre kishte rënë një peshkaqen i gjatë 1.5 m i quajtur Apepu (Peshkaqen dhelpër), me një peshë 1.5 Kv.

Kjo nuk është hera e parë që në rrjetat e tyre bien egërsira si kjo.

Peshkaqeni dhelpër ka bishtin e gjatë dhe e përdor atë edhe si “kamzhik” për të goditur prenë e tij. Ai ushqehet kryesisht me peshq. Noton shpejt dhe ka aftësi fiziologjike që temperaturën e brendshme të trupit të ruajë më të ngrohtë se temperature e ujit të detit.

Pavarësisht madhësisë, ky peshkaqen nuk është i rrezikshëm për njerëzit, për shkak se ka dhëmbë të vegjël.

Peshkaqeni dhelpër është i konsumueshëm. Ai është shumë i çmuar, për shkak të mishit të tij dhe vajit të mëlçisë.

(r.m.)