Banjallukë, 22 dhjetor 2021 – Disa serbë të Bosnjës shprehin shqetësimin për veprimet separatiste të udhëheqësit politik Milorad Dodik dhe kanë frikë nga një rikthim në kaos e madje edhe në konflikt, ndërsa luftojnë për të lidhur muajin me muaj, në vendin që ende nuk i ka tejkaluar plagët e luftës së viteve të 90-ta.
Shqetësimet rreth veprimeve të Milorad Dodikut për të bllokuar punën e qeverisë qendrore të Bosnjës dhe për t’u larguar nga institucionet e saj, përshkuan një varg bisedash të agjencisë së lajmeve Reuters me banorët e Pales, dikur qendra e forcave separatiste serbe në luftën e viteve 1992-1995 dhe tani kryeqytet i rajonit autonom serb të Bosnjës së pasluftës.
Ende e përndjekur nga ndarjet etnike, Bosnja është në mes të krizës më të thellë politike që nga fundi i luftës, ndërsa nacionalisti Dodik kërkon tërheqjen e Republikës Serbe nga forcat e armatosura, gjyqësori dhe sistemi tatimor i Bosnjës.
Nuk ka anketa të besueshme të opinionit mbi këtë çështje në Republikën Serbe, dhe serbët e punësuar në sektorin publik të kontrolluar nga partia e Milorad Dodikut, refuzuan të komentojnë hapur në lidhje me agjendën e tij, nga frika e humbjes së vendeve të punës. Së këndejmi është e vështirë të matet shtrirja e ndjenjës separatiste në të gjithë rajonin serb.
Në bisedat me agjencinë Reuters, megjithatë, banorët e Pales, që punojnë në sektorin privat ose janë në pension, shprehën shqetësimin për atë, që ata e shohin si një recetë për fatkeqësi nga veprimet e Mlorad Dodikut.
“Do të ishte një katastrofë”, tha Radomir Shkobo, një teknik ngrohjeje në një qendër tregtare në Pale, kur u pyet rreth shkëputjes së mundshme të Republikës Serbe. “Do të kishte mjerim edhe më të madh. Sa njerëz do të humbnin punën e tyre?”
Shumë banorë të Pales punojnë në Sarajevë, që është kryeqyteti i Bosnjës dhe qendra e njësisë tjetër autonome të vendit, federatës boshnjako-kroate.
Gjatë gjithë luftës së viteve të 90-ta, Sarajeva u granatua nga forcat nacionaliste serbe që ishin vendosur në malet përreth ku ndodhet edhe Pale. “Shumë prej nesh punojmë në Sarajevë kështu që unë mendoj se nuk mund të jetojmë të ndarë”, tha Koviljka Ninkoviç, e cila përkujdeset për të moshuarit.
Një burrë që shiste verë nga makina e tij në Pale dhe u prezantua si Miro, tha se separatizmi nuk do t’u sillte asgjë serbëve të zakonshëm, që mbajnë barrën e papunësisë së lartë, korrupsionit endemik të nivelit të lartë dhe keqmenaxhimit ekonomik. “Jetojmë në mjerim”, tha ai.
“Ndarja e Republikës Serbe nga Bosnja nuk mund të ndodhë derisa të tre popujt të bien dakord për këtë. Populli nuk është më në frymën e luftës”, tha pensionisti 85-vjeçar, Çedo Bojanoviç.
Pas luftës së viteve të 90-ta që la pas vetes 100 mijë të vrarë, Bosnja u nda në dy entitete autonome të lidhura nga një qeveri qendrore e dobët, e cila është zgjeruar nga të dërguarit ndërkombëtarë të paqes për të siguruar një shtet më funksional.
Milorad Dodik, anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës, synon që, gjithë pushteti t”u jepet dy rajoneve, përveç politikës fiskale, monetare dhe asaj të jashtme. Ai mohoi në një intervistë me agjencinë Reuters muajin e kaluar se ishte gati të sakrifikonte paqen e Bosnjës për të arritur qëllimet e tij.
Ai ka thënë më parë se kërkon autonomi të plotë të Republikës Serbe brenda Bosnjës, që nuk do të cenonte tërësinë tokësore të vendit. Por, boshnjakët e akuzojnë Dodikun se po rrezikon marrëveshjen e Daytonit dhe bëjnë thirrje për sanksione ndërkombëtare kundër tij.
Kroatët thonë se ai ka të drejtë kur akuzon mbikëqyrësit ndërkombëtarë të paqes për tejkalim të përgjegjësive të tyre, duke tërhequr vëmendjen te tensionet edhe brenda Federatës.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë paralajmëruar kundër shpërbërjes së institucioneve shtetërore të Bosnjës, por deri tani nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim konkret për të ndaluar Milorad Dodikun, duke i lënë partitë opozitare të sfidojnë agjendën e tij.
Mirko Sharoviç, udhëheqësi i Partisë Demokratike Serbe, partia më e madhe opozitare, tha se Milorad Dodiku “po na tërheq në një lojë të rrezikshme që nuk i duhet as Republikës Serbe e as Bosnjës – lëvizje të njëanshme që rrezikojnë paqen dhe sigurinë në të gjithë vendin”.
Gordana Katana, një analiste politike serbe boshnjake, tha se Milorad Dodiku ka mbështetjen kryesisht nga punonjësit e sektorit publik “dhe një grup i vogël ekstremistësh”. Por, ajo nuk beson se ai ka një mbështetje të gjerë popullore për “një aventurë që do të përfundonte në luftë”.
Ajo tha se Dodiku nuk drejton më një shumicë prej dy të tretash në parlamentin serb dhe aktualisht mund të miratojë vetëm deklarata jodetyruese, por jo edhe ligje në mbështetje të ndarjes.
(Zëri i Amerikës)