Prishtinë, 9 dhjetor 2022 – Policia e Kosovës njoftoi se një pjesëtar i saj është plagosur lehtë në një sulm i armatosur në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe, të enjten pakpas menate.
Në njoftim thuhet se njësitë e policisë së Kosovës “janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM”, në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit.
“… një pjesëtar i policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë”, thuhet në njoftim.
“Njësitet relevante policore kanë dalë në vendngjarje, për të kryer hetimet, kurse zyrtari policor i lënduar është transportuar në QKMF për ofrimin e ndihmës mjekësore”, përfdundon njoftimi i Policisë së Kosovës.
Pas ofrimit të ndihmës së pafrë, polici i plagosur është dërguar për trajtim të specializuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë. Dr Avdush Bajgora, mjek në Klinikën Emergjente, ka thënë se i plagosuri është në gjendje shëndetësore stabile dhe jashtë rrezikut për jetën.
Bajgora ka thënë se gjatë ekzaminimit është konstatuar se i plagosuri i ka në trup dy cifla metalike dhe do t’i nënshtrohet një operacioni.
Sulmi ndaj policisë në Serbovc të Zveçanit ndodhi disa orë pasi Policia e Kosovës dërgoi forca shtesë në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe, gjë që shkaktoi zemërim të madh në Beograd. Autoritetet serbe e cilësuan këtë si “pushtim të veriut” nga Prishtina.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, shtimi i prezencës policore në veri u bë me qëllim të ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët. Ai tha kjo u bë e domosdoshme “pas sulmeve të njëpasnjëshme të armatosura ndaj zyrtarëve policor dhe qytetarëve në veri të vendit”.
Të martën, zyrtarët e komisioneve komunale të zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok u penguan të shkojnë në zyrat e tyre për të nisur përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave veriore nga persona të armatosur e të maskuar. Pati edhe të shtëna me armë zjarri dhe shpërthime të “schok” bombave. Në zyrën e komisionit komunal zgjedhor në Mitrovicën Veriore u gjet edhe një granatë dore e pashpërthyer.
SHBA dhe BE u bënë thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i shtyjnë zgjedhjet në veri, pasi vlerësojnë se atje nuk ka kushte për zgjedhje.
(r.m.)